Ndryshimet në Kushtetutë/ ISP: S’janë pjesë e mbështetjes nga 3 ambasada, instrument taktik i mazhorancës për…

Jul 14, 2020 | 14:40
SHPËRNDAJE

Këshilli për Legjislacionin dhe Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut ka miratuar sot në unanimitet propozimin e opozitës parlamentare për ndryshimet në Kushtetutë, sa i takon heqjes së koalicioneve parazgjedhore dhe hapjes së listave për deputetë.

pro ligjhet

 

Instituti i Studimeve Politike thotë se me këtë veprim, Shqipëria “bëhet vendi i vetëm evropian dhe i dyti në botë (pas Rusisë) që ndryshon Kushtetutën në periudhën e COVID-19. Po ashtu Shqipëria bëhet vendi i vetëm në botë që ndryshon Kushtetutën me procedurë online”.

“Pas vetëm dy javë konsultime dhe procedurë parlamentare Kuvendi i Shqipërisë përmes Këshillit për Legjislacionin vendosi me 100% të votave të ndryshojë Kushtetutën e Shqipërisë“, shkruhet në statusin në rrjetet sociale të Institutit.

Duke iu referuar debatit të fortë që shkaktuan këto nisma për ndyrshime në Kushtetutë, sipas Institutit, “shihen gjerësisht si një instrument taktik i shumicës parlamentare në funksion të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare”.

“Ndryshimet u iniciuan nga deputetët e pakicës në parlament dhe u mbështetën nga mazhoranca parlamentare. Ato kanë shkaktuar debat të fortë politikë dhe shihen gjerësisht si një instrument taktik i shumicës parlamentare në funksion të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Miratimi i hapjes së listave është lajm pozitiv dhe koncepti i hapjes drejt qytetarit vendimmarrës do të duhej të kishte mbështetje të gjerë të të gjithë spektrit politik.

Ndryshimet e reja kushtetuese kanë një rrugë të gjatë deri në miratim në seancë dhe reflektim në Kodin Zgjedhor, i cili ndërkohë, është ndryshuar nga marrëveshja politike e datës 5 qershor. Një prej pikave thelbësore të marrëveshjes ishte ajo, sipas të cilës, asnjë ndryshim tjetër nuk mund të bëhet në Kod pa miratim paraprak në Këshillin Politik. Ndryshimet kushtetuese nuk u diskutuan në Këshillin Politik dhe nuk janë pjesë e rekomandimeve dhe as e mbështetjes nga ambasadat e SHBA, BE dhe UK që asistuan Këshillin Politik.

Si dhe sa e kemi ndryshuar Kushtetutën prej vitit 1998? Nëse do ta krahasonim me një libër kemi lënë të pandryshuar vetëm titullin e librit, hyrjen dhe ISBN, – gjithçka tjetër, përfshirë përmbajtja e tij është ndryshuar. Vijon tradita e demokracive hibride, sipas të cilës, kur kemi një problem dhe një qëllim politik afatshkurtër, nuk i zgjidhim ato duke ndryshuar sjelljen tonë ndaj problemit/qëllimit, por duke ndryshuar Kushtetutën, pra, duke ia përshtatur Kushtetutën nevojave ditore politike dhe duke e (keq)përdorur atë si mjet për arritjen e qëllimeve politike”, shkruan Instituti i Studimeve Politike.

109783569_3163053837070947_2638192317759375909_o

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura