Ndoka publikon kandidatët, emri i tij në listën e PD

May 2, 2013 | 9:10
SHPËRNDAJE

Propozimet në Shkodër dhe Lezhë. Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka publikuar dje në faqen e tij në “Facebook” listën e kandidatëve për qarkun e Lezhës dhe të Shkodrës. Në këto dy zona elektorale PDK-ja ka edhe mbështetjen më të madhe të elektoratit, por jo aq sa me votat e marra në vitin 2009 apo 2011 t’i japë një mandat më shumë koalicionit të djathtë.

Ajo që bie në sy është fakti se në asnjërën prej këtyre dy listave nuk figuron emri i kryetarit të demokristianëve Nard Ndoka, çka konfirmon faktin se ai pritet të jetë në një vend të sigurt në listën e Partisë Demokratike në qarkun e Shkodrës. Më herët “Panorama” mësoi faktin se përfshirja e emrit të Ndokës në listën e demokratëve ishte kushti i vetëm që ish-ministri i Shëndetësisë i vuri PD-së për t’u larguar nga koalicioni opozitar.

Pak ditë më parë, gjatë prezantimit të koalicionit të maxhorancës me 25 parti, u përfol se katër kryetarë të partive aleate, përfshi edhe kreun e PDK-së, do të përfshihen në listën e PD-së. Së bashku me Ndokën pritet të kenë një mandat të sigurt edhe Fatmir Mediu, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Shehi.

Në listat e publikuara nga PDK-ja bie në sy fakti se as në Lezhë dhe as në Shkodër emrat e parë nuk janë figura të njohura të kësaj partie, çka të bën të mendosh se ata mund të përfshihen në listën e Tiranës, ku edhe koalicioni i djathtë ka nevojë për të marrë sa më shumë vota për të ruajtur balancën 16-16. Lista e Lezhës do të kryesohet nga Alfred Daçi, ndërsa ajo e Shkodrës nga Pjetër Boshi. (PANORAMA)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura