Ndërrimi i këngës tre muaj para Eurosong, fansat i shkruajnë Elhaidës: Ishte e dobët

Feb 25, 2015 | 8:39
SHPËRNDAJE

E drejtë ose jo mënyra se si RTSH vendosi të zëvendësojë këngën që do të shkojë në Eurosong me një tjetër të re, që nuk ka konkurruar në Festivalin e Dhjetorit, Elhaida Dani po mbledh mbështetjen e publikut, i cili shprehet i kënaqur për këtë ndërrim, për shkak të nivelit të dobët të asaj që fitoi.

Elhaida Dani ne festivalin e RTSH

Menjëherë pas “dekonspirimit” të lajmit për ndërrimin e këngëve, Elhaida Dani ka njoftuar në faqen e saj në facebook, lajmin e ri në lidhje me konkurrimin e saj në Festivalin Europian.

Siç tashmë është bërë publike, Elhaida Dani nuk do të konkurrojë në Eurosong me këngën “Diell”, për shkak të tërheqjes nga gara të kompozitorit Aldo Shllaku. RTSH vendosi realizimin e një kënge të re të kënduar po nga Dani, me tekst të Sokol Marsit dhe muzikë të ZZap&Chriss. “Mendoj se është e drejtë t’ju komunikoj personalisht vendimin e marrë që më është komunikuar së fundmi. Këtë vit do të përfaqësoj Shqipërinë në Eurovision me një këngë tjetër nga ajo me të cilën u shpalla fituese e FiK, në dhjetor të vitit të kaluar.

Ky lajm do bëhet publik dhe zyrtar së shpejti, por dëshiroja që të isha unë ajo, që jua komunikoj për herë të parë. Autori i këngës “Diell”, për arsye personale dhe të pandryshueshme, ka vendosur të tërheqë këngën e kompozuar prej tij, dhe për fat të keq do të jetë e pamundur të këndohet nga unë në Eurovision Song Contest 2015.

Duke respektuar këtë zgjedhje të tijën personale, në dakordësi me RTSH, e mbi të gjitha duke respektuar rregullat e vendosura nga ESC, më është komunikuar që si fituese e FiK, unë duhet të përfaqësoj vendin tim në Vjenë me një këngë të re.

Urimi dhe dëshira ime është që ky vendim i papritur, që më është bërë i ditur, të mos sjellë pakënaqësi dhe polemika. Qëllimi mbetet ai, që Shqipëria të ndahet me një rezultat sa më të mirë, dhe të gjithë do punojmë sa më shumë për ta arritur”, shkruan Elhaida Dani në tri gjuhë, shqip, anglisht dhe italisht.

PUBLIKU
Pëlqimet e këtij lajmi kanë qenë me mijëra dhe komentet mbi 250, nga shqiptarë e të huaj. Shumica e tyre shprehen se kënga që fitoi Festivalin e Këngës në RTSH ishte e “vogël” për të treguar potencialin e zërit të këngëtares. “Besoj se ishte një lajm i mirë, për pjesën më të madhe. Shpresoj që kënga tjetër të jetë ajo që ti meriton”, shkruan një komentues..

“Ishte vendimi më i mirë i mundshëm. Me atë këngë, as deri në aeroport nuk shkoje dot”, shkruan një tjetër. Por ka edhe nga ata, e jo pak, që e konsiderojnë këtë ngjarje si një nga “çuditë shqiptare”. “Këto janë broçkulla! Ti e fitove festivalin sepse je Elhaida dhe jo se e meritoje të fitoje me atë këngë aq të vakët. Po meqë jemi në Shqipëri, ka llojlloj pazaresh që bëhen në prapaskenë dhe më vjen keq që ti u bëre pjesë e tyre. Ne donim të të kishim patjetër përfaqësuese në ESC, por jo në këtë mënyrë!”, është një tjetër koment.

 ARTISTËT
Më të prekurit në këtë histori janë pa dyshim artistët, të cilët ndryshe nga publiku i thjeshtë, nuk duan të përfshihen drejt për drejtë me komente. Por ka edhe nga ata që kanë thënë fjalën e tyre në rrjetet sociale. Mes tyre janë këngëtarja Linda Halimi, fituese e vendit të tretë të edicionit të shkuar të festivalit në RTSH, e cila shkruan se kjo ngjarje tregoi se kujt në të vërtetë i takonte fitorja.

Një status i tekstshkrueses dhe këngëtares Suela Kalaja, ka tërhequr jo pak vëmendje. Sipas saj, në festival nuk ka më garë, juritë janë kukulla dhe arti e artistët në Shqipëri tallen. Emi Bogdo një tjetër pjesëmarrëse në festival, ka komentuar në statusin e Kalasë, duke e quajtur një rast të turpshëm. Po kështu, këngëtarja Marsela Çibukaj shprehet se arti kërkon më shumë respekt dhe vlerësim.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura