Ndërhyrjet, hiqen çmimet e Festivalit të të Rinjve

Jul 15, 2011 | 10:23
SHPËRNDAJE

“Nuk do të ndajmë çmime, kemi pasur shumë ndërhyrje!”.Kështu shprehet drejtoresha e Drejtorisë së Artit pranë Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Herida Duro, për Festivalin Teatror të të Rinjve, i cili do të zhvillohet në vjeshtë si çdo vit. Megjithatë, përgatitjet kanë filluar me kohë dhe organizatorët, së bashku me jurinë, shpallin sot projektet fituese që do të përfitojnë nga fondi i vendosur në dispozicion të këtij aktiviteti. Këtë vit numërohet i shtati edicion i festivalit, megjithatë ndryshe nga të gjitha herët e tjera, juria në mënyrë unanime ka vendosur të mos ndajë çmime. “Duke iu referuar eksperiencës së një viti më parë, vendosëm të mos ndajmë çmime si tradicionalisht. Vjet kemi pasur shumë ndërhyrje dhe menduam ta shmangim këtë situatë. Çmimi është kthyer si një qëllim në vetvete dhe të rinjtë mendojnë vetëm si ta fitojnë atë”, thotë Duro, e cila është edhe një nga anëtarët e jurisë së këtij edicioni. Ajo thotë se ndërhyrjet kanë qenë nga më të ndryshmet dhe kjo ka qenë arsyeja pse këtë vit emrat e anëtarëve të jurisë janë mbajtur të fshehtë. Megjithatë, tanimë gjithçka është vendosur. Dje ka qenë edhe mbledhja e fundit e anëtarëve të jurisë, ku u vendosën emrat e fituesve dhe mënyra se si do të veprohej në lidhje me çmimet. Ndarja e një trofeu ka qenë gjithnjë një stimul, për të bërë diçka më të mirë, për t’u impenjuar më shumë, megjithatë Duro thotë se ata që e kanë punën me pasion, do të sjellin diçka të mirë gjithsesi. “Bota e artit është shumë ambicioze dhe të gjithë duan të fitojnë. Një vit më parë pati shumë reagime, pati të pakënaqur, edhe pse ne ndamë një shumicë çmimesh dhe nuk dinim se kë të nderonim më parë”. Po ajo nuk e eliminon përfundimisht idenë e ndarjes së një çmimi. “Do të ndajmë ndonjë çmim, ku të shohim se ka vlera të vërteta. Nëse nuk ka një regjisor që të spikasë, nuk ka përse të ndajmë çmimin për “regjisorin më të mirë”… Kudo këto lloj aktivitetesh funksionojnë si takime teatrore, ku të rinjtë sjellin risi e shkëmbejnë eksperienca”, thotë Duro.
Ndarja e fondeve
Mes 15 projekteve të paraqitura, 4 prej të cilave të eliminuara menjëherë për mungesë dokumentacioni, juria e festivalit teatror të të Rinjve vendosi që të shpallë 6 projekte, që do të përfitojnë nga “Fondi i të rinjve”. “Ishte parashikuar që të shpalleshin 4 projekte fituese, por, pas një pune intensive seleksionuese, vendosëm të kualifikojmë 6 projekte. Me këtë rast do të rishikojmë edhe shumat që do të marrë secili projekt”, thotë drejtoresha e Drejtorisë së Artit në MTKRS, Herida Duro. Për këtë edicion është akorduar një fond prej 4 milionë lekësh të reja, të cilat do të ndahen jo më në mënyrë të barabartë, por në varësi të peshës që kanë projektet, numrit të aktorëve, skenografisë, kostumografisë e elementëve të tjerë. Mësohet se konkurrenca dhe ndërhyrjet nuk kanë qenë të forta vetëm për çështje çmimesh, por edhe për t’u bërë pjesë e projektit. “Festivali i të rinjve është një promovim shumë i mirë për të rinjtë, të cilët më vonë mund të përdorin këtë eksperiencë në të mirë të tyre, plus që marrin edhe një fond të konsiderueshëm”, thotë ajo. Në shumicën e herëve është operuar me vepra me pak aktorë, në mënyrë që edhe fondet të mund të ndaheshin mes më pak njerëzish. Por kjo “hile” nuk do t’u shpëtojë organizatorëve, këtë vit, të cilët do të përdorin një formulë tjetër ndarjeje të fondeve.
Projektet fituese
Zakonisht preferohen emra të mëdhenj: Shekspir, Ibsen, Beket, Kamy… dhe pak dramaturgji shqiptare. Kjo, jo edhe për faj të të rinjve. Kemi apo nuk kemi dramaturgji shqipe, kjo është një çështje që ka kohë që diskutohet… Dhe, ndërsa ngrihet kjo pyetje, të rinjtë pa dyshim që ndihen më të sigurt kur kanë në dorë veprën e një autori të madh të huaj, qoftë ky klasik apo bashkëkohor, por që është provuar më parë edhe nga të tjerët. Megjithatë, juria e këtij viti, e përbërë nga Ferdinand Hysi, Vasjan Lami, Inis Gjoni, Herida Duro dhe Edlira Qyshka, kanë bërë një përzgjedhje veprash që ofrojnë pak nga të gjitha, klasike, bashkëkohore dhe shqiptare. Ndër të tjera, u bë kujdes që projektet e paraqitura të mos ishin ngjitur më parë në skenë nga të njëjtët regjisorë, në formën e punëve të diplomave, siç ka ndodhur në edicionet e shkuara. Mes 11 dosjeve të shqyrtuara (4 u eliminuan për mangësi dokumentacioni) u përzgjodhën 6 projekte, që do të ngjisin në skenë vepra nga Kamy, Beket, Uilliams, Satri, Dorfman dhe i vetmi shqiptar, Haqif Mulliqi.

Projektet

Fituesit
Esmeralda Stafa: “Kaligula” nga Albert Kamy
Redian Mulla: “Oh, ato ditë të lumtura” nga Samuel Beket
Lorin Terezi: “Menaxheria e qelqtë” nga Tenesi Uilliams
Armela Demaj: “Show time” nga Haqif Mulliqi
Elis Mataj: “Me dyer të mbyllura” nga Zhan Pol Sartr
Kliton Hoxha: “Vdekja dhe virgjëresha” nga Ariel Dorfman
Të skualifikuarit
Dasara Xhangolli: “Britma grash” Babis Cikliropulos
Klodiana Kadillari: “Shtëpi kukulle” nga Henrik Ibsen
Kliton Rama: “Shqipëria vendos” nga Mbres Musa
Oriana Cama: “Intrigë pasioni” nga Uilliam Shekspir
Ledian Papagjoni: “Emigrantët” nga Slavomir Mrozhek

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura