Ndarja nga jeta e ikonës së portës shqiptare/ Meta mesazh ngushëllimi: Mburojë e pakalueshme! Njeri me vlera dhe integritet të lartë qytetar

Oct 5, 2022 | 21:08
SHPËRNDAJE

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar për ndarjen nga jeta të legjendës së futbollit, Sulejman Maliqati, njërit nga portierët më të famshëm të të gjithë kohërave.

meta

Sipas ish-kreut të Shtetit, “Maliqati hyri në historinë e sportit tonë si mburoja e pakalueshme e portës që nuk luajti kurrë me doreza”.

Meta thotë se profesor Sula do kujtohet se njeri me vlera dhe integritet të lartë qytetar.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të legjendës së “Partizanit” dhe Ekipit Kuq e Zi, “Nderit të Kombit” Sulejman Maliqati, njërit nga portierët më të famshëm të të gjithë kohërave të futbollit shqiptar, i cili hyri në historinë e sportit tonë si mburoja e pakalueshme e portës që nuk luajti kurrë me doreza, pasi e ndiente topin jo vetëm me duar e gishta por e njësonte me vetë qenien e tij.

Shtatë herë Kampion Kombëtar dhe Nënkampion i Lojrave të Leipzigut të vitit 1958, ai përfaqësoi denjësisht fanelën e “Partizanit” dhe ngriti lart emrin e Shqipërisë në arenat ndërkombëtare sportive, për t’u përjetësuar si shembull frymëzimi për fëmijët dhe brezat e ardhshëm të sportistëve drejt rrugës së suksesit.

Do ta kujtojmë gjithmonë Profesor Sulën, njeriun me vlera dhe integritet të lartë qytetar, edukatorin shembullor për brezat më të rinj, këtë model të mjeshtërisë sportive dhe atdhedashurisë!

Ngushëllimet më të sinqerta familjes, të gjithë sportdashësve dhe në veçanti tifozëve të “Partizanit”! Të prehet në paqen e merituar!”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura