Ndahet nga jeta profesori i njohur i muzikës, Gjovalin Lazri/ Presidenti Meta: La pas një trashëgimi të vyer

Jul 8, 2020 | 20:58
SHPËRNDAJE

U shua sot në moshën 84 vjeçare, profesori i shquar i muzikës, Gjovalin Lazri. Vetëm 11 ditë më parë Lazri u dekorua nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta me titullin “Mjeshtër i Madh”, çmim i cili u tërhoq nga i biri.

1594226892_violincel

Gjovalin Tish Lazri lindi në Shkodër më 13 tetor 1936. Në vitin 1950 -1958 ndjek Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Në vitin 1959 fillon studimet e larta në Akademinë e Muzikës dhe Arteve ne Pragë. Më pas ka punuar si mësues violonçeli dhe zv/Drejtor Artistik i Shkollës se Mesme Artistike “Jordan Misja”, në Tiranë.

Duke reaguar, Presidenti Ilir Meta thotë se është Thellësisht i trishtuar për ndarjen nga jeta të Profesorit.

Sipas tij, Profesor Lazri la pas një trashëgimi të vyer në artin shqiptar, duke u shndërruar në shembull frymëzimi për studentët e tij, si një personalitet i shquar i artit dhe muzikës shqiptare

Reagimi i plotë i Presidentit Meta:

Thellësisht i trishtuar për ndarjen nga jeta të Profesorit të violinçelit, Gjovalin Lazri, ish-drejtuesit të Liceut Artistik “Jordan Misja”, të cilin pak ditë më parë pata nderin ta çmoja me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, në vlerësim të talentit të spikatur muzikor dhe me mirënjohje për kontributin e veçantë të dhënë në dekada për edukimin e shumë brezave të artistëve të rinj, të cilët kanë bërë emër edhe në skenat më të famshme europiane dhe botërore.

Si përfaqësues i denjë i plejadës së mësuesve dhe drejtuesve të shquar të Liceut Artistik “Jordan Misja”, Profesor Lazri la pas një trashëgimi të vyer në artin shqiptar, duke u shndërruar në shembull frymëzimi për studentët e tij, si një personalitet i shquar i artit dhe muzikës shqiptare, i cili të impononte respekt me talentin e spikatur dhe vlerësimin për përkushtimin dhe profesionalizmin si drejtues.

I shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së nderuar Lazri, bashkëpunëtorëve dhe gjithë studentëve të tij për këtë humbje të madhe dhe të pazëvendësueshme për ta dhe artin shqiptar.

Përjetë do ta kujtojmë me nderim dhe respekt veprën dhe figurën e Profesor Lazrit!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura