Muri i Budapestit, muri i turpit

Jul 24, 2015 | 12:44
SHPËRNDAJE

Diplomati Bashkim ZeneliBASHKIM ZENELI

Nuk ka shumë kohë që Hungaria vendosi të ndërtojë një mur të gjatë dhe të lartë në kufirin e saj për të penguar hyrjen në vend të refugjatëve, si vend transit për në Gjermani dhe Austri.
Ky është muri i dytë për Europën e pasluftës. I pari, muri i Berlinit, u ndërtua më 13 gusht 1961, tamam 54 vjet më parë. Ai qëndroi në këmbë për plot 28 vjet, deri më 9 nëntor 1989.
Tani, 26 vjet nga shembja e tij, e bashkë me të edhe e mbarimit të luftës së ftohtë, ndërtohet edhe një mur tjetër, muri i Hungarisë. Ai do të jetë më i gjatë edhe më i lartë se muri i Berlinit. Sigurisht nuk do të qëndrojë aq gjatë. Sigurisht nuk do të vriten mbi 140 veta që patën tentuar të kalonin atë mur.

Muri i Berlinit ishte simbol i ndarjes së dy Gjermanive, simbol i ndarjes së Europës, i ndarjes së sistemeve, i ndarjes së demokracisë nga diktatura. Ai ka histori të pashembullta, tragjike, të dhimbshme. Ai ishte muri që pengonte lirinë. Sigurisht muri i Budapestit nuk do të jetë kurrsesi i tillë.
Por pas 54 vjetësh, edhe ky mur do të quhet të paktën muri i turpit. Dhe Hungaria është vend i NATO-s e BE-së. Dhe jemi në vitin 2015. Jemi në Europën e Bashkuar, jemi në Europën pa kufij, që pret të zgjerohet edhe me ato vende që “pengon” muri. Sot flasim për lëvizje të lirë, atëherë ky term në Europë nuk njihej. Sot flasim për integrime, atëherë ky term nuk njihej…

Sigurisht që Hungaria ka shqetësimet dhe problemet e veta me këtë dyndje të refugjatëve drejt Europës dhe Perëndimit, drejt Gjermanisë, Austrisë, Francës etj…
Dhe ky shqetësim është i ligjshëm…
Por a mund të pengohet ky fluks me një mur, që nuk është si ai i Berlinit, por do të jetë një mur i rëndë njerëzor. Do të jetë një mur i pafuqive, një mur i mungesës së solidaritetit, një mur i madh ndarës që njerëzit nuk do ta harrojnë kurrë…

Çfarë duhet të bëjnë Gjermania, Italia, Austria? Të ndërtojnë mure? Mure me tullat e Europës së Bashkuar?
Dhe ka një paradoks të pashoq pikërisht me Hungarinë që po ndërton këtë mur e që duhet të bëjë të ndihet keq dhe e turpëruar: plot 26 vjet më parë, në majin e vitit 1989, ministri i Jashtëm komunist i qeverisë hungareze, Gjyla Horn, dhe homologu i tij austriak, Allois Mock, prenë në sytë e gjithë botës me një gërshërë të madhe murin me tela që ndante kufirin midis tyre. Dhe i prenë që gjermano-lindorët të kalonin nëpërmjet Hungarisë në Austri e prej andej në atdheun e ndarë perëndimor.

Në gusht kancelari Kohl ftoi kryeministrin hungarez Neneth dhe ministrin Horn në Gjermani dhe i priti në kështjellën e famshme Gymnish. Ata i thanë se kufiri do të jetë i hapur. Të gjithë gjermano-lindorët do të kalojnë, asnjë nuk do të kthehet. Kishin kaluar me dhjetëra-mijëra deri atë ditë. Dhe kancelari gjerman, kancelari legjendar Helmut Kohl, shkruan në kujtimet e tij se “unë nuk u përmbajta, unë qava… dhe i thosha kryeministrit hungarez se atë që po bën Hungaria për ne këto ditë, Gjermania nuk do ta harrojë kurrë… Dhe kur i thashë kryeministrit hungarez se çfarë mund të bëjmë për ju, ai m’u përgjigj prerë: Hungaria nuk shet njerëz! Ai kishte marrë një përgjegjësi të madhe…

Hungaria ishte vend anëtar i Traktatit të Varshavës dhe në Hungari kishte 200 mijë trupa ushtarake sovjetike të stacionuara”.
Hungarezët ishin të parët që hoqën një gur të madh, historik nga muri i Berlinit, plot 7 muaj para se ai të shembej.
Sot Hungaria e pas 26 vjetësh, atëherë Hungaria komuniste, sot Hungaria demokratike anëtare e NATO-s, e anëtare e BE-së po ndërton me shpejtësi një mur, një mur që do të shihet për keq, një mur që do të pengojë njerëzit të shkojnë në Perëndim… kështu mbrohen kufijtë, me mur? Kështu zgjerohet BE-ja, me mur? Kështu është kuptuar nga qeveria hungareze kalimi i lirë?

Willy Brandt reagoi si rrallë kush në botë për murin e Berlinit. Në Bruksel po heshtet për murin e Budapestit.
Unë nuk dua të krahasoj qeverinë e fundit socialiste të kryeministrit Miklosh Nemeth, me qeverinë demokratike të kryeministrit Viktor Orban. Por di mirë që i pari mbeti në histori me kufirin që hapi, drejt lirisë… 7 muaj para se të shembej një mur, Muri i Berlinit.
Ky është një mur i turpit, ndonëse nuk do të flasë aq shumë sa muri i Berlinit. Por do të flasë, do të flasë edhe për Hungarinë, por do të flasë edhe për BE-në, që duhet të nxjerrë mësime… se aty po trokitet të hyjmë pa vonesa, pa mure të tjera.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura