“Mos e trash zërin”, “S’dua ta shoh fytyrën”, zbardhet debati me dyer të mbyllura në Parlament për Reformën

Nov 4, 2019 | 15:02
SHPËRNDAJE

ARDIT HOXHA/ Në mbledhjen me dyer të mbyllura të Komisionit të Reformës Zgjedhore, debatet dhe përplasjet mes opozitës parlamentare dhe maxhorancës ishin goxha të forta.

komision0reformaz

Murrizi dhe Hajdari nga njëra anë dhe Hyseni me Gjiknurin janë përplasur për qëndrimet e kundërta të palëve për disa çështje. Por më e forta ishte çështja e ndryshimit të sistemit, ku opozita e re ngulmoi për një reformë tërësore, duke hedhur poshtë idenë e Kryeministrit Rama.

Murrizi, Hajdari, Gjoni dhe opozitarët e tjerë në këtë tryezë shkuan deri aty, saqë përmendën se në rast të mosplotësimit të kërkesës së tyre për ndryshimin e sistemit, ata nuk do ta japin votën e tyre.

Nga anëtarët e maxhorancës reagimi gjithashtu ka qenë i ashpër, duke i akuzuar opozitarët e rinj si “pengmarrës” të Reformës Zgjedhore, madje duke iu thënë se do të votojnë për këtë reformë siç u votua unanimisht për Reformën në Drejtësi nga 140 deputetë. Për më shumë se 2 orë të mbyllur në këtë mbledhje pa praninë e gazetarëve, në diskutimet e tyre deputetët nuk e shmangën as gjuhën e vrazhdë dhe të rëndë karshi njëri-tjetrit.

Pjesë nga debati

Rudina Hajdari – Një gjë që është shumë e qartë nga opozita dhe kolegët e mi janë të hapur të flasin vetë në lidhje me këtë gjë: në asnjë lloj mënyre nuk do të pranojmë një proces me dy faza. Këtë gjë nuk do ta marrim fare përsipër. Detyra jonë është që ne të vijmë me një lloj propozimi konkret, të kemi një vendim të qartë se cili është sistemi që ne do të shtyjmë përpara. Pra, të mos thotë zoti Roshi një gjë tjetër, zoti Alimadhi një gjë tjetër, Rudina një gjë tjetër, apo zoti Murrizi një gjë tjetër. Ne të gjithë si opozitë kemi për detyrë të kemi një sistem të qartë dhe detyra jonë, në mënyrë që të ecim në mënyrë paralele me rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, është që ta bëjmë brenda dhjetorit.

Myslim Murrizi – Edhe unë mbështes absolutisht atë që tha zonja Hajdari. Të njëjtën gjë ia thamë para gjysmë ore Boshardit dhe Sorekës, që ne nuk votojmë në dy, tri apo në gjashtë faza. Reforma Zgjedhore nuk është garë 4×4 që të bëhet me stafeta. Që të jemi më konkretë, ata mund të kenë detaje teknike apo jo në draftin që mund të na e keni vënë në dispozicion, se shoh disa nene të ndryshuara aty. Ky komision duhet të përqendrohet në katër pika kryesore, pastaj mund ta ndani në nënparagrafë si të doni, siç ka ndarë Gjermania dy pika në nëntë paragrafë. Së pari, është sistemi zgjedhor. Së dyti, është depolitizimi i komisioneve. Së treti, është financimi i partisë. Së katërti, është vota e emigrantëve. Ky është thelbi që unë kam pranuar të jem anëtar i këtij komisioni. Sa për buzëkuqe e të tjera, nuk jam. Ai nuk sheh nga sytë, ju thoni më duket se e ka fajin qerpiku. Ai është qorruar. Kështu që unë nuk merrem me qerpikë, po nuk i erdhi drita. Besoj se edhe kolegët e mi të opozitës janë të një mendimi me mua. Ju me atë “KÇK”-në, po gjetët lekë për të blerë vota për t’i bërë 84, rrugë e mbarë ju qoftë, se shpejt keni për t’ia parë hajrin!

Damian Gjiknuri – Unë e sqarova në fillim që ka një proces politik, që në fund të fundit, ky është komision me natyrë politike, ku ju keni të drejta të barabarta. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se nuk na pengon asgjë që të ecim me këto paketa në komision, paralel. Pastaj, është vendimmarrja juaj. Unë nuk ju imponoj dot.

(Ndërhyrje pa mikrofon)

Damian Gjiknuri – Ju lutem, me radhë. Unë po them: ejani me propozim në lidhje me sistemin zgjedhor. Ju do të vini me një propozim, ramë dakord. E dyta, të ecim me paketën e rekomandimeve të ODIHR-it. Unë them të ecim me këtë, të mos e mbajmë peng si proces vetëm e vetëm që po nuk u bë kjo, nuk do të ecë asgjë tjetër. Në fund të fundit pastaj, në qoftë se vendosni ju politikisht që do ta mbani peng, kjo është zgjedhja juaj, është një proces që ju e vlerësoni vetë nëse do të fitoni politikisht apo do të humbni më shumë. Kjo është çështja juaj.

Myslim Murrizi: Dakord, e the, e the atë.

Damian Gjiknuri – O Myslim, të thashë pra. Unë mendoj t’i miratojmë këtu. Ka dy miratime, ka dy votime: votimi këtu, mes nesh, dhe votimi në Parlament. Votimi mes nesh nuk na pengon të themi se paketa është gati.

(Ndërhyrje pa mikrofon) Të lutem, të lutem tashti! Rekomandimet e ODIHR-it duhet të ecin, t’i kemi ne këtu.

Myslim Murrizi – Po pse? Nuk i dua fare, nuk i votoj.

Damian Gjiknuri – Mirë pra, dakord Myslim, e the qëndrimin tënd.

Blerina Gjylameti – Në radhë të parë, unë besoj se nuk duhet të mbytemi në një pikë ujë. Për sa kohë është bërë një punë e mirë, sikundër edhe dy bashkëkryetarët e kanë thënë në adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, të cilat janë në draft apo mund të vijnë në drafte më të përditësuara, pse duhet ta pengojmë punën tonë? Që në krye të herës është diskutuar, madje edhe mbas tavolinës së organizuar nga OSBE/ODIHR, që ju duhej të vinit me një propozim në lidhje me ndryshimin e sistemit. Atëherë, është në të drejtën tuaj të vini me një propozim konkret. Nuk duhet të humbasim kohën e vyer, duke vazhduar të themi se duhet të ndryshojmë sistemin. Jemi dakord. Sillni propozime e diskutojmë.

Damian Gjiknuri – Zoti Hyseni do të bëjë propozim, mos bëni më asnjë koment!

Alket Hyseni – A do të më lini të flas? Beni, do të bëjmë muhabet apo punë? Këtu po bëjmë punë.

Damian Gjiknuri – Po u prish rregulli këtu, ne ca jemi me nivel testosteronesh të larta, do të vijnë edhe ca të tjerë nga jashtë dhe nuk do të bëjmë më asnjë bisedë. Kur kemi debate dhe ftohen të gjithë aktorët politikë, do të flasin të gjithë.

Alket Hyseni – Në temë jam, por nëse nuk moderoni dot, është problemi juaj. Unë po them që ne kemi miratuar këtu që pika e parë të jenë rekomandimet dhe kemi thënë që do ta heqim si pikë, sepse besuam se kjo është pika ku ne biem dakord të gjithë. Pika e dytë ishte për emigrantët, të cilën e kaluam si pikë të tretë dhe thamë që sistemin do ta bëjmë pikë të dytë. Ky është negocimi, ka edhe kompromise për këto gjëra dhe ramë dakord të heqim rekomandimet teknike, sepse ne jemi ata që do të merremi me këtë punë dhe do të biem patjetër dakord. Të kalojmë te pika e dytë dhe ndërkohë kemi fituar kohë, sepse edhe ju do të keni analizuar çështjet e sistemit, edhe ne do të analizojmë propozimet tona dhe në këtë mënyrë do të arrijmë një pikë.

Rudina Hajdari – Zoti Hyseni, i morëm parasysh kritikat tuaja, por në fakt nuk thatë asgjë, se bëtë një përmbledhje. Nuk të ka caktuar asnjeri të bësh përmbledhje se çfarë bëhet. Ti nuk ke ardhur të bësh përmbledhje këtu, mund të ikësh nga Parlamenti fare, nuk dua të ta shoh më fytyrën! E para, ndërhyrja e tij nuk ishte me vend, sepse zoti Fino foli shumë drejt kur tha që nuk kemi bërë asgjë, prandaj hajde të ngremë një grup pune. Pra, po bënte disa kritika me vend dhe kur janë të tilla, ne i pranojmë. Ndërkohë, zoti Hyseni ndërhyri dhe tha që nuk kemi bërë asgjë, por ndërhyrja e tij ishte e pavend dhe jokonstruktive, të jemi të qartë për këtë.

Alket Hyseni – Zoti kryetar, është e disata mbledhje që nuk bëjmë asnjë hap para, por bëjmë vetëm retorikë. Më thoni një rresht që kemi miratuar dhe kemi rënë të gjithë dakord? Bëjmë bla-bla dhe kjo nuk është dinjitoze për ne, se do të vijë dita që në fund të gjësë, nga presioni, (a i mbani mend ata 140 burra e gra që shkuan e kapën për veshi)… kështu do të na e bëjnë neve dhe juve. Mos u bëni trima sikur nuk e bëni dot! Komisioni ka një procedurë.

(Ndërhyrje pa mikrofon)

Ti mos na trash zërin, se nuk ta kemi frikën, por si bashkëkryetare duhet të moderosh e jo të kërcënosh!

Rudina Hajdari – Kam edhe një gjë të fundit. Duhet të mundohemi që të paktën (diskutojeni edhe ju me grupin tuaj, zoti bashkëkryetar) të gjejmë një mënyrë komunikimi më të drejtë, sepse kjo mënyrë nuk përballohet dot psikologjikisht. Jemi të lodhur, kemi shumë punë të tjera dhe nuk do t’i konsumojmë të gjitha energjitë… Për çfarë?! Ju lutem shumë, flisni me njëri-tjetrin dhe gjeni një gjuhë komunikimi. Edhe ne do të flasim me njëri-tjetrin, që të kemi një rregull këtu.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura