Mos e kurse “Mbretin lakuriq”!

Jun 16, 2018 | 11:46
SHPËRNDAJE

AGIM BAÇIbaci agim

Do të jetojmë si fëmija e përrallës së Andersenit, “Rrobat e mbretit”, që i thotë mbretit se është lakuriq apo do të duartrokasim si shumica, pa guxuar të themi se çfarë shohim realisht? Kjo dilemë nuk ka të bëjë thjesht me një guxim për të pohuar vetëm realitetin, por ka të bëjë me kurajën për të pasur disa përgjigje të rëndësishme në jetë, që i japin kuptim asaj që duam apo asaj që i ikim.

Por, a komunikojmë ne sot si shoqërime të vërtetat? A po rritet një brez, me të cilin mund të bashkëndajmë kurajën për të ndryshuar? A besojnë të rinjtë e sotëm se mund të marrin në dorë fatet e vendit? A i kemi bërë ne si brez detyrat që t’ua besojmë atyre të nesërmen, apo vijojmë të ngarkojmë mbi to edhe dështimet dhe dyshimet tona? Është më se e zakonshme që çdo brez është disi skeptik lidhur me fuqinë që kanë të rinjtë. U ka ndodhur edhe gjyshërve me prindërit tanë.

U ka ndodhur prindërve tanë me ne. Do t’u ndodhë edhe brezave që do të vijnë. E megjithatë, kohët e ndryshme kanë patjetër sfida të ndryshme. Në botën e sotme, ku ndryshimi ka një shpejtësi shumë më të madhe sesa ajo që kanë pasur breza më parë, pikëpyetjet dhe sfidat janë edhe më të mëdha. Prej kohësh kanë ndryshuar edhe marrëdhëniet në familje, në shoqëri, në prodhim e sidomos në komunikim. Teknologjia e sotme e ka zvogëluar botën.

Të rinjtë e sotëm komunikojnë lirisht me bashkëmoshatarët e tyre në mbarë botën, flasin disa gjuhë të huaja, kanë shëtitur për të parë mjaftueshëm se si rrojnë të tjerët. Por a janë të mjaftueshme të gjithë këto lehtësira dhe avantazhe që kanë të rinjtë për të besuar se brezi i ri do të mund t’i përballojë sfidat? Ne si shoqëri kemi ardhur nga një periudhë e gjatë e gënjeshtërt dhe e dhunshme. Filma, libra, muzeume, tekste shkollore dhe një kastë e tërë akademikësh të emëruar nga sistemi i shkuar, kanë krijuar një botë të gënjeshtërt nga ajo që ka qenë.

Dhe, fatkeqësisht, shumë pasoj atë asaj bote të dhunshme, të gënjeshtërt e me shumë mosbesim, vijojnë të jenë mbi jetët tona, pasi shumica e asaj ideologjie që është prodhuar në atë kohë ka vijuar të ushqejë edhe brezat pas vitit 1990, sidomos me pranimin e dhunës si normalitet. Ndërkaq, bota e sotme –një botë e nënshtruar ndaj konsumizmit-është e rrezikuar nga manipulimi dhe spektakli.

Të rinjtë, në shumicën e rasteve, janë të joshur nga fama, për të cilën nuk kursejnë asgjë që t’i arrijnë. Ndaj, me një të shkuar të dhunshme dhe një të tashme të manipuluar, të rinjtë kanë të drejtë të pyesin, se cilës anë i përkasin: të jenë fëmija që thërret “Mbreti lakuriq”, apo të duartrokasin atë që u sugjerohet si më e mira për ta? Kjo pyetje vjen edhe më e mprehtë në këtë kohë kur gënjeshtra ka marrë fytyrën e së vërtetës, kur kemi të bëjmë me “një shoqëri të lëngët”, siç thotë sociologu Zygmunt Bauman, pra që merr vetëm formën që i japin.

Vështirësitë e përgjigjeve shtohen edhe ngase duartrokitësit e “mbretit lakuriq” i fshehin dështimet pas sloganeve se “gjithçka është vendosur”, se “është e kotë të luftosh”, se “e drejta dhe morali janë fjalë pa kuptim”. Të gjitha këto justifikime janë rreziku i madh që brezi i prindërve të sotëm të mos arrijë që të paktën të komunikojë me të rinjtë përmes së vërtetës. Në fakt, kjo është sfida dhe këtu duhet të ndalim. Sepse sfida e parë për t’u besuar fëmijëve tanë është që të pranojmë se çfarë nuk mundëm të bënim, se çfarë bëmë keq dhe çfarë nuk guxuam, që të paktën ata të ruajnë dashurinë për ne dhe të na falin për atë që nuk mundëm të ishim më të guximshëm, që nuk mundëm t’u thoshim disa të vërteta, që lamë gënjeshtarët dhe “të fortët” të merrnin në dorë fatin tonë.

Filozofi Izajah Berlin shprehej se frika ndaj lirisë nuk është gjë tjetër veçse frika ndaj zbrazëtisë! Por liri nuk do të thotë të mos pyesësh askënd apo që të bësh ç’të duash. Përkundrazi, liri do të thotë të luftosh që të fitosh edhe kur e sheh malin e mundimshëm përpara teje. Liri do të thotë të marrësh parasysh se ç’mund të ndodhë kur thua të vërtetën, ndërkohë që të tjerët duartrokasin rrobat e mbretit që nuk i ka. Liri do të thotë të mbrosh mendimet e tua pa menduar se e shkuara është e kotë. Për këtë betejë secili ka pjesën e vet. Dhe pa u parë në këtë pasqyrë, pa pranuar se cilit krah i përkasim përballë “mbretit lakuriq”, nuk kemi asnjë shans të fajësojmë të tjerët. Aq më pak fëmijët tanë, te të cilët në një mënyrë a në një tjetër jemi gjithnjë pasqyrë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura