Moisiu: Imuniteti të hiqet në Parlament

Aug 31, 2012 | 11:47
SHPËRNDAJE
Ish-presidenti Alfred Moisiu

Ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, deklaroi dje se politika shqiptare nuk mund ta ndryshojë Kushtetutën sipas tekave të saj dhe se libri themeltar i shtetit ka nevojë edhe për ndryshime të matura. Ish-kreu i shtetit, gjatë një interviste për “Top Channel”, theksoi se duhet të ndryshojë mënyra e zgjedhjes së Presidentit, pasi sipas tij formula aktuale çon në zgjedhje në formë pazari. “Kushtetuta ka nevojë për ndërhyrje, por duhet ndërhyrë në mënyrë të studiuar, siç bën e gjithë bota. Çdo ndryshim duhet bërë siç thotë populli ‘mat shtatë herë dhe prit një herë’. Edhe problemin e zgjedhjes së Presidentit ne duhet ta ndryshojmë në Kushtetutë. Ne kemi dy vjet që e ngremë këtë problem. Urdhëro, u zgjodh Presidenti i ri, e për mendimin tim u bë një zgjedhje nëpërmjet një procedure jo të hijshme, të mos them se u bë një pazar, se në fakt një pazari i ngjau. Pra, këtu ka nevojë që zgjedhja e Presidentit të bëhet nga populli”, tha Moisiu. Ish-presidenti, duke komentuar propozimin e maxhorancës për mbajtjen e një referendumi, për heqjen e imuniteteve, shprehet se kjo çështje duhet të zgjidhet në rrugë kushtetuese. “Kur ka dashur, politika shqiptare edhe brenda natës ka bërë qametin, duke ndryshuar gjysmën e Kushtetutës. Problemi nuk është se duhet referendum apo duhet me Parlament. Unë do të thosha se me Parlament është më mirë, sepse në fund të fundit duhet të ulen politikanët tanë dhe të mendojnë seriozisht për problemet që ka vendi përpara”, tha ish-kreu i shtetit. Moisiu është i mendimit se duhen patjetër ndryshime në mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë. Sipas ish-presidentit, gjykatat janë zaptuar nga korrupsioni politik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura