“Modelingu fushë e pistë, ka miss-e që kurrë s’kanë shkelur në pasarelë”

Aug 12, 2017 | 13:58
SHPËRNDAJE

E bukur dhe e zgjuar është prerja fatale”, rrëfen modelja bukuroshe, që me sa duket i gëzon të dyja virtytet. Atalanta është shumë ndryshe nga koleget e saj. Modelingun e ka nisur shumë herët, ndaj i ka të shumta kurorat kombëtare dhe ndërkombëtare, por mbi të gjitha i ka këmbët në tokë. Sapo ka përfunduar studimet për arkitekturë, sepse për bukuroshen, një modele duhet edhe të shkollohet. Në intervistën dhënë për “Bluetooth”, ajo rrëfen emocionet e çmimeve që ka marrë. Më tej Atalanta shpreh se ka njohur shpesh modele që s’kanë lidhje me modelingun. Një femër e bukur nuk kishte se si të mos kishte një dashuri të madhe përkrah. Duket se bukuroshja e pasarelave është totalisht e dashuruar me partnerin e saj.4789
Si ka qenë kjo verë për Atalantën?
Kjo verë ka qenë më shumë e zënë se verat e tjera. Jam një njeri që merrem me shumë gjëra njëkohësisht, e duket sikur këta tre muaj u mblodhën më shumë se kurrë. Finalizova studimet universitare pesëvjeçare për arkitekturë me titullin master. Më në fund kam hapur biznesin tim të jogurterisë dhe ëmbëlsirave në Elbasan, për këtë mund të flasim gjerësisht në një intervistë tjetër. Dhe kam shijuar e do shijoj ende pushimet në jug të Shqipërisë, e ndoshta edhe jashtë.
Duket se dalloni nga modelet e tjera; nuk përfshiheni në skandale dhe s’jeni pjesë e lajmeve rozë. Është një strategji kjo?
Mendoj se asnjë nga vajzat nuk e dëshiron të përfshihet në këto lloj skandalesh, madje edhe ato që e kanë bërë, tani po përpiqen ta pastrojnë profilin e tyre. Normalisht, jam kujdesur të mos jem pjesë e tyre, por mund të them se edhe stili im i jetës jo shumë aktiv nëpër Bllok dhe jetë nate ka bërë të vetën. Mbetet një strategji, sepse dua që njerëzit të më njohin për ato gjëra për të cilat po investoj punë e mund, e jo për gjëra çasti. Jam arkitektja e fatit tim.454878
A ju largon nga fama ky stil?
Në Shqipëri po. Ne kemi aftësinë të bëjmë të famshëm njerëz me antivlera, që nuk përçojnë asnjë mesazh të mirë. Vazhdimisht tundohem të bie pre e këtyre stileve me ndonjë gjë të përgatitur, por më pas shikoj se sa vlerave të vërteta do u vë shqelmin njëkohësisht. Normalisht, kudo në botë do ishte e kundërta, ka plot artiste që tregojnë aq sa duan nga pjesa rozë, e më shumë për artin ose profilin në jetë.
Shumë kurora, shumë çmime; sa e shpërblyer ndiheni?
Unë ndihem shumë e shpërblyer, dhe e gjitha kjo ka ndikuar në të ndjerët një njeri më i plotësuar dhe me një ego të ushqyer mirë. Por në kuadër të vendit tonë nuk ndihem shumë e shpërblyer. Mbaj mend që kur erdha nga jashtë me një ‘valixhe’ eksperiencash, titujsh dhe mbështetjeje nga të huajt, u përballa me një realitet ndryshe nga ç’isha mësuar dhe kuptova që duhej ta pranoja këtë gjë./Gsh.al/

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura