Mjekët e rinj në provim për licencë, UMSH tregon datën e fundit të regjistrimit

Nov 3, 2018 | 7:30
SHPËRNDAJE

Në prag të sezonit të XII të Provimit të Shtetit për profesionistët e rinj të Mjekësisë, kanë nisur regjistrimet për të qenë pjesë e testit që iu mundëson marrjen e licencës.

mjeke

Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë fton studentët, që kanë përfunduar praktikën profesionale, të aplikojnë për provimin e certifikimit deri në datën 9 nëntor 2018. Për këtë nevojitet paraprakisht nxjerrja e një sërë dokumentesh: formulari i aplikimit (shkarkohet në faqen e internetit); kopje e kartës së identitetit; kopje e noterizuar e diplomës së studimeve universitare; kopje e noterizuar gjithashtu e diplomës së lëshuar nga universiteti(në mungesë të saj, lista e noterizuar e notave; libreza e praktikës profesionale lëshuar nga këshilli kombëtar i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë; raporti mjeko-ligjor; dëshmi penaliteti; vërtetim nga Prokuroria që nuk jeni në ndjekje penale si dhe dy fotografi në format pasaporte.

Sakaq, ata që janë regjistruar tashmë në Provimin e Shtetit, pasi kanë marrë pjesë në sezonet e mëparshme, duhet të bëjnë vetëm një rifreskim dokumentesh, duke dorëzuar vetëm dëshminë e penalitetit, raportin mjeko-ligjor dhe vërtetimin për mosndjekje penale. Sezoni i radhës për mjekët e rinj zhvillohet në muajin dhjetor, pasi QSHA të ketë hartuar listën e dërguar nga urdhrat përkatës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura