Misioni i pamundur i dekriminalizimit

Mar 20, 2015 | 12:40
SHPËRNDAJE

AGRON TUFA

   Nuk jam në dijeni të hollësishme për marrëveshjen pozitë-opozitë lidhur me çështjen e personave me poste publike, që kanë precedentë penalë. Por shohim, si gjithmonë zhurmën që prodhohet në media dhe, gjykuar nga situata informative e diskursive që i instalojnë qytetarit tonë analistët (të njëjtit!) nëpër studio kuptohet lehtë se është fjala për një regjim fiktiv të transferimit të fajit te kundërshtari.Kjo është gjëja që më së paku i intereson shoqërisë sonë, e cila po çuditet e neveritet nga bëmat e përfaqësuesve që ka zgjedhur vetë, majtas apo djathtas qofshin ata. Sigurisht qytetari ynë kur i ka votuar pa paragjykim, qoftë edhe kur votën e tij ka pranuar ta shesë në këmbim të mjerimit të vet, e ka ditur së paku se përfaqësuesit e tyre nuk janë engjëj të rënë nga qielli. Ajo që e trondit sot qytetarin tonë, është shkalla e paskrupullt e zhytjes dhe njehsimit me krimin e gjithëllojshëm, që këta përfaqësues e kanë pasur e që tash ka teptisur e ka dalë në rrugë, ditën për diell.
Por, cilado qoftë “marrëveshja”, edhe nëse ajo ndodh sa për sy e faqe, ajo nuk ka funksionuar e nuk mund të funksionojë, përderisa tonin po e diktojnë shantazhet, përbetimet, killerat dhe tritoli. Dhe e gjithë kjo kulturë lemeritëse, që po instalohet në të gjitha rrafshet e përditshmërisë sonë, ka ngjallur një psikozë të rëndë frike e pasigurie, duke e shndërruar habitatin tonë shoqëror në një xhungël. Instrumentet ligjore janë, nuk duhen shpikur. E keqja nuk qëndron te ligjet dhe institucionet, por te vullneti për t‘i zbatuar ato institucionalisht. Një vullnet i tillë nuk ekziston, sepse vetë institucionet që duhet t‘i zbatojnë këto ligje, komandohen nga struktura të kriminalizuara.
Rendi publik ka dështuar në përballje me ta. Madje, me një dështim fantastik, duke u vetëdiskretituar. Drejtësia po ashtu. Partitë kryesore të pozitës dhe opozitës, që janë tutorë të vërtetë të figurave të inkriminuara në pushtet, kanë përgjegjësinë për këtë gjendje të pashpresë ankthi e pasigurie.    
Çdo mendje e shëndoshë, normale, nuk do të dëshironte ta shihte vazhdimin e jetës së vet e të familjes së tij këtu, në perspektivën e një Shqipërie të tillë ku sundon retorika dhe tritoli, droga dhe vrasjet e porositura. Kjo që po shohim sot, është veçse pasoja. Shkaku është higjiena e pistë politike që e ndërton identitetin e saj me portrete të errët banditësh e killerash. Përndryshe – pyesim ne – nga na erdhi ky lloj antropoidi? Nga Marsi? Dihet pra, politika e lartë i solli në pushtet. Ndaj unë nuk kam asnjë pritshmëri kur palët politike përlyhen e zhyhen në krim e korrupsion.
Po cilat janë vështirësitë që e bëjnë të pamundur kryerjen e këtij procesi dekriminalizimi në mënyrë të besueshme dhe të qëndrueshme? A ekziston ndonjë mundësi e tillë që kjo dukuri mbisunduese, në mos krejtësisht, të paktën të ketë një kufi, që jep shpresë, se në të ardhmen me përpjekje e vullnet të mirë të mund të vihet nën kontroll?
Vështirësia kryesore është degradimi i elitave politike. Fatkeqësisht, ata (partitë e mëdha politike) e kanë në dorë përfaqësimin, mënyrën si të përfaqësohen. Ata kanë të drejtë të zgjedhin dhe zgjedhin më të pasurit, më të fortët, më të aftët për të kallur tmerr e shantazh. Kur nuk kanë siguri, partitë veprojnë si superbanka.
Në bashkëpunim me elementët e kriminalizuar, investojnë paratë e krimit, për të përftuar një të ardhme të sigurt të horizontit kriminal në krejt vendin. Krediti i bankës së krimeve e vetëpërfton identitetin duke u shumëfishuar, tashmë duke ardhur në pushtet, me një hapësirë të pamat, të shfrenuar, me kushte e asete te reja, i mbrojtur nga politika e lartë dhe ligjet e shtetit dhe, sidomos, me një sistem drejtësie, i cili u shërben në rolin e foljeve ndihmëse e gjysmëndihmëse.
Ne kemi parë mjaftueshëm e deri në bezdi se si këta mekanizma gjasme ligjorë veprojnë arbitrarisht e në mënyrë selektive nga policia te gjyqet, duke ushtruar një terror e dhunë arbitrare mbi subjekte private e të vobekta, ndërsa heshtin e ndërtojnë alibi kur ndeshin me krimin e strukturuar në sistem, me korrupsionin që po trand Europën. Kësaj i thonë të kapësh e të ndëshkosh pa mëshirë një hajdut xhepash dhe të heshtësh e të përligjësh vrasjet tronditëse, aferat, kartelet e drogës që i udhëheq dhe drejton politika e lartë në Parlament.
Dhe, deri sa të kemi një qasje të tillë mentale të politikës, e cila zgjedh të identifikohet në këtë mënyrë, zor se do të ketë shpresë për dekriminalizimin e pushtetit. Sepse një qasje e tillë terrorologjike mbush radhët e Parlamentit dhe institucioneve publike të shtetit me këtë format terroristi. Ajo që kemi në dorë tash për tash, është vota për t‘i hequr qafe. Por dhe kjo kërkon guxim të madh, vetëdije të palëkundur, sepse liria e votës tënde vjen duke u ngushtuar nga presioni i parasë, shantazhit, premtimeve dhe formave të tjera të frikësimit.
Një ditë as këtë luks më nuk do ta kemi. Një ditë edhe kjo pandehmë, se krimi mund të ndëshkohet me votë, mund të mos jetë më shpresë. Atëherë çfarë ndryshimi ka midis një diktature politiko-ideologjike dhe një diktature banditeske? Që të dyja të kallin tmerr dhe lemeri.
Shoqëria shqiptare sot është më e tradhtuar se kurrë; atë e kanë tradhtuar përfaqësuesit e zgjedhur prej saj, institucionet e rendit dhe drejtësisë, sikundër se dhe instrumentet e tjera shtetërore të shtrëngimit e detyrimit, të gjobës dhe ndëshkimit, pa krijuar asnjë shtegdalje tjetër, përderisa premtimet për punësim, drejtësi e rend publik dolën shakaja më e hidhur e më e tejzgjatur e pushtetit, që i nxori stoqet 300-ditëshe me suksese mu në autostradë… Siç duket, për të na i shitur për pesë pare spec djegës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura