Miratimi i Reformës, si e komentojnë analistët Nazarko, Fevziu, Baze, Zheji

Jul 22, 2016 | 11:31
SHPËRNDAJE

Reforma në Drejtësi u miratua mbrëmë përmes një votimi historik, me 140 vota pro të deputetëve pas negociatash maratonë, sidomos 48 orët e fundit.

img_0117

Sot një ditë më pas palët duket se po shijojnë fitoren.

Por çfarë fitoi Edi Rama dhe Partia Socialiste, Lulzim Basha dhe Partia Demokratike apo edhe Ilir Meta dhe LSI-ja e tij?

Opinionistët Mentor Nazarko, Blendi Fevziu, Mero Baze dhe Artur Zheji japin vlerësimin e tyre për këtë çështje.

Mentor Nazarko në Panorama: U dëshmua përfundimisht forca komanduese e ish-kryeministrit Berisha dhe roli i kryetarit të PD-së, Basha, midis Shilës së Berishës dhe Karidës së perëndimorëve. Opozita arriti të ekuilibronte deri diku institucionet e reja të drejtësisë, diçka që e bën kontrollin e tyre edhe më të vështirë dhe për të kur të vijë nesër në pushtet.

Më në fund, u testua faktori më i rëndësishëm, bashkësia perëndimore. U kuptua qartë dhe nga të paditurit sesa seriozisht e ka kjo bashkësi misionin e vet për të ndërtuar në Shqipëri një shtet funksional, anëtar të NATO-s dhe kandidat për BE. U testua serioziteti me të cilin reforma ishte konceptuar nga bashkësia perëndimore, e angazhuar deri në fund në nivel të lartë për përmbushjen e saj.

Blendi Fevziu në Opinion.al: E para Basha ka shmangur një konflikt publik dhe të panevojshëm të opozitës me ndërkombëtarët. PD është rikthyer në pozicionin e saj natyral, atë që ka pasur që në themelim, bartëse e vlerave perëndimore dhe aleate e drejtëpërdrejtë e Europës demokratike dhe SHBA. Cdo sjellje tjetër, çdo refuzim do të kishte pasur pasoja afatgjata për të. Në këtë rast, ndërkombëtarët do vijojnë të mbeten partnerë kryesore të PD në betejën e ardhshme të saj për reformën elektorale dhe votën e lirë!

E dyta, shmangu mundësinë e rrjedhjeve nga PD dhe hapjen e një konflikti të brendshmëm. Nëse PD nuk do të votonte dhe mazhoranca do t’i bënte 94 votat e nevojshme edhe me ndihmën e disa deputetëve të PD, pasoja do të ishte shumë e madhe. Sinjalet ishin dhënë dhe media ishte në dijeni të emrave dhe ofertave që ishin bërë në këtë drejtim.

E treta, Basha ka luajtur deri në momentin e fundit për të marrë sa më shumë ndryshime në favor të tij dhe ja arriti kësaj. Ai modifikoi mjaft pika të draftit, duke marrë favore që opozita nuk i kishte as në ligjin aktual. Përmes këmbënguljes dhe negocimit, arriti disa gjëra që në thelb dukeshin të pamundura disa muaj më parë.

Mero Baze në Tema: Duhet thënë se në orët e fundit, vendimtar për gjunjëzimin e Lulzim Bashës, ka qenë pranimi i ofertës perëndimore nga Ilir Meta dhe ngritja e tij nga tavolina e bisedimeve, duke lënë të vetëm Lulzim Bashën. Ai është momenti që reforma u quajt e mbyllur politikisht dhe mesazhi i ardhur nga Brukseli ishte të ndërpriten negociatat dhe drafti të shkojë në Kuvend.

Në këtë pikë mund të thuhet pa frikë se ilir Meta i shpëtoi nderin Lulzim Bashës, duke e tërhequr zvarrë në proces në minutat e fundit, nëse kemi parasysh dhe kërcënimin e tij se nëse nuk votonte PD, do jepte dorëheqje dhe vendi do shkonte drejt zgjedhjeve. Basha nuk ishte i gatshëm për asgjë nga këto, as për çarjen e votave brenda PD, dhe as për zgjedhje në vjeshtë.

Një tjetër arsye që PD bëri këtë betejë të pakuptimtë kundër reformës dhe ndërkombëtarëve, është dhe përpjekja e Bashës për të testuar mbështetjen politike në grupin e tij parlamentar dhe për të testuar se kush mund t’i dilte nga rreshti. Dhe këtu është dhe paradoksi. Mbështetësit e reformës brenda PD, ku shquhet Eduard Selami dhe Majlinda Bregu, po votojnë sot të njëjtin draft, që duhet ta pranonin dhe dy ditë më parë, por ata u fyen dhe sulmuan nga brenda partisë, vetëm se e pranuan atë që pranon Basha sot, pa leje të tij. Biles vet Berisha i kërcënoi me përjashtim në deklaratën e tij. Është e çuditshme se si një parti që tërhiqet zvarrë dhe më në fund voton reformën, urren në finale, më shumë ata që ishin qysh në fillim pro reformës, se sa ata që e zvarritën atë. Kjo tregon se sa zemërthyer po shkojnë ata në votim.

Artur Zheji në 360gradë.al: Votimi i saj (Reformës), është padyshim fitore i reflektimit të klasës politike shqiptare, nën shtrëngesën popullore dhe nën shtrëngesën e pjesës progresive të ndërkombëtarëve. Sepse sistemi i Drejtësisë Shqiptare është i kalbur realisht. Askush dhe asnjëherë, nga Opinioni Publik, nuk ka qenë kundër Reformës në Drejtësi. Por mediat e kryeministrit, të bollshme dhe të rafinuara, të dirizhuara me art të hollë dhe të lëvdueshëm, ja hodhën popullit në sahan, si një “kockë” të artë, simbas recetës së thjeshtë, se kjo Reformë e kryeministrit, do të shpëtojë Shqipërinë.

Krejt të vetëdijshëm që nuk ishte kështu! Rama, ka shfrytëzuar gjithmonë dhe mjeshtërisht, naivitetin dhe atë pjesë të mirë, që kanë njerëzit apo partnerët që e kanë shoqëruar, që e kanë mbështetur apo e kanë dashur, në të gjithë jetën e tij të trazuar. Janë të shumtë ata që e pandehin Ilir Metën, dinak dhe të stërholluar. Ndoshta edhe Meta vetë, për veten e tij, ka këtë vlerësim. Por në thelb dhe në aksionin politik, Meta është krejt naiv dhe krejt i parashikueshëm, në krahasim me Ramën. Rama ja kaloi ujin nën rrogoz të paktën edhe dy herë më parë, tani është e treta.

Edhe Koço Kokëdhima, gjithmonë kish menduar se Rama, ishte dhe do të jetë delfini i tij i përjetshëm, krijesa e tij, në kacavirrjen drejt pushtetit, plot kurthe dhe prapaskena, herë kundër Fatos Nanos që e futi në politikë, herë kundër Ilir Metës, që e mbrojti nga Nano dhe e lartësoi në karrierë, herë kundër Majkos, që vinte mediat ta tallnin dhe kundër çdokujt tjetër…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura