Ministria e Mbrojtjes mbyll hetimet për helikopterin, itinerari sipas planit

Apr 28, 2016 | 15:12
SHPËRNDAJE

Ministria e Mbrojtjes ka mbyllur hetimin administrativ për rrëzimin e helikopterit të FA-ve në fillim të muajit prill në, Grizhë të Shkodrës.

Helikopteri pas nxjerrjes nga liqeni (Foto ekskluzive
Helikopteri pas nxjerrjes nga liqeni (Foto ekskluzive

Sipas njoftimit, pas mbledhjes së të gjitha provave, doli se planizimi, organizimi dhe drejtimi i fluturimit stërvitor të helikopterit është bërë në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, që rregullojnë veprimtarinë e Forcave të Armatosura.

Sipas konkluzioneve, Baza Ajrore e Farkës dhe strukturat e tyre, kanë planizuar dhe drejtuar fluturime stërvitore në përputhje me rregullat e sigurimit të fluturimit ajror.

Ekuipazhi i helikopterit ishte duke kryer një stërvitje fluturimi vizual në përputhje me planin stërvitor të Forcës Ajrore.

Gjatë gjithë veprimtarisë së tij dyjavore, grupi i punës është asistuar nga eksperte amerikane te specializuar për aksidente ajrore.

Dy pilotë të Forcave të Armatosura humbën jetën dhe një ushtar profesionist mbeti i plagosur, pasi helikopteri ra në liqenin e Shkodrës.

Përplasja me ujin ishte fatale për Kapitenin Florian Deliaj dhe togerin Donald Hoxha, ndërkohë që i plagosur mbeti ushtari Gerald Baramuça.

NJOFTIMI

Mbyllet hetimi administrativ i urdhëruar nga Ministri i Mbrojtjes për rrëzimin e helikopterit të Forcës Ajrore me numër anësor 637 të tipit EC 145, të ndodhur në datën 6 prill 2016.

Ministri i Mbrojtjes në përputhje me kompetencat që i njeh legjislacioni në fuqi, në datën 7.04.2016 urdhëroi ngritjen e grupit të punës për hetimin administrativ me objekt: “Rrëzimi i Helikopterit EC-145” më datën 6 prill 2016 me afat përfundimtar të mbylljes së hetimit administrativ, datën 22 prill 2016.

Grupi i punës, gjatë procesit hetimor administrativ, mblodhi të gjitha provat shkresore dhe jo shkresore, dëgjoi dëshmitarët, palët e interesuara dhe në dijeni të ngjarjes, verifikoi në vend provat, në praninë e Prokurorisë të rrethit Shkodër kqyri vendin e ngjarjes, thirri, dëgjoi ekspertë të brendshëm dhe të huaj, si dhe krahasoi dhe analizoi provat e marra.

Në përfundim të këtij hetimi administrativ, grupi i punës doli në përfundimin se: planizimi, organizimi dhe drejtimi i fluturimit stërvitor të Helikopterit FA-637 në datën 6 prill 2016, është bërë në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, që rregullojnë veprimtarinë e Forcave të Armatosura.

Forca Ajrore, BazaAjrore e Farkës dhe strukturat e tyre, kanë planizuar dhe drejtuar fluturime stërvitore në përputhje me rregullat e sigurimit të fluturimit ajror.

Ekuipazhi i helikopterit ishte duke kryer një stërvitje fluturimi vizual në përputhje me planin stërvitor të Forcës Ajrore.

Ministria e Mbrojtjes falenderon Prokurorinë për bashkëpunimin dhe ndihmën e dhënë në këtë hetim administrativ si dhe institucione të tjera me të cilat kemi bashkëpunuar.

Gjithashtu falenderon ekspertët amerikanë dhe Ambasadën e SHBA-ve në vendin tonë, për asistencën e ofruar prej tyre.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura