Ministria e Kulturës mbështet financiarisht 92 projekte artistike

Feb 16, 2016 | 14:14
SHPËRNDAJE

Një listë prej 92 projektesh artistike do të mbështesë financiarisht për këtë vit Ministria e Kulturës. Botime librash, ekspozita, koncerte, zhvillime pjesësh teatrore… ka nga të gjitha llojet në listën e miratuar, nxjerrë nga 220 projekteve konkurruese. Ajo çka të bën më shumë përshtypje është numri i madh i festivaleve. Rreth 30 syresh, që nga teatri tek opera, libri, kitara, filmi, folku, danci kontemporan (dy të tillë), muzikë xhaz, rrok… Nëse do të realizoheshin e do të ndiqeshin të gjithë, nuk kishim për t’u ankuar asnjëherë për “thatësi” kulturore në vend.

Ministria e Kulturës
Ministria e Kulturës

Pavarësisht se sa është shuma e përfituar nga secili nga projektet, (ende nuk janë bërë publike), do të duhej që më parë të bëhej një bilanc apo një ekspoze e impaktit që aktivitetet e mbështetura në dy vitet e mëparshme kanë pasur në publik, nëse janë ndjekur, nëse janë pëlqyer, nëse e justifikojnë mbështetjen financiare.

Është i treti vit, që Ministria e Kulturës shpall një garë të hapur për projekte dhe i shpall publikisht fituesit, por ende nuk e dimë nëse janë zhvilluar të gjitha ato qindra projekte të mbështetura financiarisht nga MK. Përveç festivaleve apo aktiviteteve, që tashmë janë konsoliduar, e kanë provuar vlerën e tyre dhe kanë pasur edhe ndjekje mediatike, për shumicën e projekteve kemi lexuar vetëm në listën e fituesve, në krye të vitit. Por se cili ka qenë fati i tyre, nuk dihet.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Kulturës, “Kolegjiumi, i konsultuar me ekspertë të vlerësimit të politikave dhe strategjisë kulturore, vlerësoi fitues projekt-propozimet që shprehin: Zhvillim të krijimtarisë kombëtare, ide novatore dhe garantojnë cilësi dhe profesionalizëm në realizim, hulumtojnë në projekte edukimi që nxisin leximin, aftësitë krijuese dhe zhvillojnë audiencën, sjellin zhvillim dhe gjallërim të skenës artistike e kulturore në Shqipëri, dëshmojnë respektimin e të drejtës së autorit, përkrahjen e të rinjve – duke filluar nga potenciali i tyre krijues e deri te punë- simi i tyre”.

Duke u ndalur te këta të fundit, Ministria njofton se mes 92 projekteve fituese, janë përfshirë edhe 20 të artistëve të rinj, që “propozojnë proces kërkimor teatror në zhvillimin skenik, festivale muzikore, edukim të artit, trashëgimisë përmes teknologjisë, duke besuar në rritjen e audiencave dhe kultivimin e publikut të ri në moshë”.

Gjithnjë sipas njoftimit, projektet e përzgjedhura u janë përmbajtur kritereve të shpallura qysh në muajin dhjetor dhe paraqesin të gjitha mundësitë për t’u realizuar brenda afateve. Ndër të tjera, paraqesin edhe aftësi për të thithur fonde nga burime të tjera, pasi këto projekte mbështeten vetëm pjesërisht nga ana e Ministrisë së Kulturës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura