Ministri Manja përballet me kritika për ‘goditjet politike’ ndaj SPAK

May 13, 2022 | 20:25
SHPËRNDAJE

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja shfaqi rezerva për punën e prokurorëve në hetimin e çështjeve të korrupsionit, duke konstatuar se “vijon të mbetet i ulët roli proaktiv” i tyre, gjatë një seance dëgjimore  të premten në komisionin parlamentar të Ligjeve lidhur me monitorimin e zbatimit të rekomandimeve të Këshillit të Ministrave kundrejt Prokurorit të Përgjithshëm.

Capture

Manja tha se disa rekomandime të dhëna në fillim të vitit 2021 janë plotësuar nga prokuroria, ndërsa disa janë plotësuar pjesërisht, duke vënë theksin tek hetimet për çështje të korrupsionit. Ministri solli statistika për të mbështetur vlerësimet e tij për punën e prokurorëve.

“Referuar hetimeve proaktive ose hetimeve të filluara kryesisht për veprat penale në fushën e korrupsionit në vitin 2021, numri i përgjithshëm i veprave penale të referuara dhe kallëzuara është 41541 , nga të cilat vetëm 125  janë vepra penale të filluara kryesisht nga Prokurori, ose rreth 0,3% e numrit të përgjithshëm,” tha ai.

Të njëjtin konstatim, Manja kishte edhe për punën e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK. Në gjuhën e shifrave, ministri tha se ka pasur rritje të procedimeve anti-korrupsion.  Nga 339  procedime penale, numrin më të lartë e zë vepra penale e “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” me 90 procedime dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike ” me 83 procedime. Por, sipas Manjës, mungon nisja e hetimeve nga vetë prokurorët.

“Vijon të mbetet i ulët roli i prokurorit përsa i përket hetimeve proaktive ose hetimeve të filluara kryesisht, ku rezulton se janë regjistruar 18 procedime penale kryesisht nga organi i Prokurorisë së Posaçme,” shtoi ai.

Ai vlerësoi punën e SPAK në hetimin e çështjeve që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe bashkëpunimin me agjencitë e huaja, për të cilat tha se është përdorur në metoda e përgjimit në një numër të madh të tyre.  Manja tha se roli i Prokurorisë së Përgjithshme mbetet i ulët në hetimet për krimin e organizuar, “pasi në total për të gjitha veprat penale rezulton se janë regjistruar vetëm 18 procedime penale, kryesisht nga organi i Prokurorisë së Posaçme”.

Ministri Manja u përball me kritikat e deputetëve të opozitës në komision për deklaratat publike të tij dhe të kryeministrit Edi Rama ndaj punës së SPAK-ut.

“Kryeministri Rama i kërkoi SPAK të hetojë kundërshtarin e tij politik,” i tha Enkelejd Alibeaj duke i cilësuar deklaratat si tentativë për të imponuar axhendën e drejtësisë.

Ndërsa deputeti Oerd Bylykbashi i quajti “goditje politike” deklaratat e bëra nga kryeministri dhe ministri për punën e drejtësisë. “Këto deklarata politike janë në kundërshtim dhe me parimet kushtetuese dhe shkatërrojnë frymën e reformës në drejtësi,” tha ai, duke i kërkuar ministrit që të heqë dorë nga “instrumentet e presionit” mbi drejtësinë.

Manja u përgjigj se deklaratat e Ramës tregojnë shqetësim për performancën e punës së SPAK, por nuk janë ndërhyrje në punën e prokurorisë. “Ndërhyrje është ajo që bën partia juaj duke përmend gjyqtarët me emër,” tha ai duke shtuar se sistemit të drejtësisë sot i garantohet pavarësia nga politika.

Deputetët e opozitës po ashtu ngritën problematikën me moszbardhjen e krimeve zgjedhore, shqetësim, i cili sipas Manjës është edhe i qeverisë. /Reporter.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura