Mini-Shengeni Ballkanik, çështja shqiptare dhe një primat i Serbisë?

Jan 7, 2020 | 10:13
SHPËRNDAJE

DRITAN HOTI  dritan hoti

Përgjatë historisë, organizimet politike shumëkombëshe si dhe paktet supranacionale në Juglindje të Europës kanë marrë shtat me synimin që arkitektura ballkanike t’i korrespondonte sistemit ndërkombëtar europian dhe fuqisë që orvatej t’i imponohej atij. Jo rrallëherë ndodhte që taktikat dhe skemat diplomatike të komplikuara të fuqive europiane në të shkuarën e tyre të përshpejtonin rivalitetet dhe përplasjet kombëtare në Ballkan e mandej gama e zgjeruar e këtyre krizave të përfshinte në të edhe vetë kombet europiane. Mirëpo, ka pasur edhe raste kur vetë shtetet ballkanike kanë ndërmarrë iniciativa të ndryshme në shërbim të një status quo-je të caktuar. Në këtë logjikë u finalizua edhe Pakti Ballkanik i 1934-ës, i njohur ndryshe si “Entente Ballkanike”, nëpërmjet të cilit 4 shtete të Ballkanit dhe konkretisht Jugosllavia, Greqia, Rumania dhe Turqia, të shqetësuara nga pretendimet e Italisë në Mesdhe dhe Bullgarisë në Azinë e Vogël, lidhën pra Paktin e sipërpërmendur, i cili shkonte në drejtim të ruajtjes së status Quosë së atëhershme në Ballkan.

Qysh prej atëherë, iniciativat e mëdha gjeopolitike që kanë përcaktuar fizionominë e marrëdhënieve ndërmjet shteteve të Ballkanit janë projektuar në mbështetje të sistemit ndërkombëtar europian, apo në funksion të rendit ndërkombëtar të luftës së ftohtë. Kështu ngjau me ndërtimin e parë apo të dytë të Jugosllavisë, si dhe po me shpërbërjen e saj përfundimtare, e cila në fakt u detyrohet arsyeve edhe më komplekse. Në morinë e zhvillimeve të përgjakshme dhe dramatike që ka përjetuar Ballkani në 3 dekadat e fundit, megjithëse kanë ekzistuar disa iniciativa të mëparshme, e tillë CEFTA- Marrëveshja e tregtisë së lirë e vendeve të Europës Juglindore e Qendrore, si një fazë paraprake përgatitore për integrimin në BE, në të cilën përfshiheshin jo vetëm Shqipëria e Kosova, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut e Bosnje Hercegovina, por edhe Moldavia, ndërkohë asnjë nga nismat e mëparshme nuk mund të matet për nga veçantia me marrëveshjen aktuale të Mini-Shengenit Ballkanik. Ndryshe nga marrëveshjet ekonomike fillestare të bërthamës së vendeve themeluese të BEsë, të cilat u iniciuan në kushtet e një simetrie me ndërgjegjësimin e qëndrimeve politike, duke lançuar kësisoj realitetin e Bashkimit Europian aktual; shtetet aderuese të Mini-Shengenit dhe Serbia që ka ndërmend të vetëvendoset në epiqendër të kësaj marrëveshjeje, njëkohësisht përfaqësojnë bindje e qëndrime gjeopolitike të kundërta nga njëra-tjetra. Iniciativa për një marrëveshje të një Mini-Shengeni, e cila parashikon shkëmbime dhe lëvizje të njerëzve, mallrave dhe kapitalit të 6 Shteteve të Ballkanit Perëndimor: Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës, vjen në një nga momentet gjeopolitike më të koklavitura që Ballkani po përjeton aktualisht. Marrëveshjet juridike, në të gjitha rastet krijojnë realitetet e tyre. Mirëpo, historia na mëson: se me qëllim që iniciativat ekonomike të gjenerojnë një stabilitet rajonal, nevojitet domosdoshmërisht që ato të kombinohen me terrenin e duhur politik. A nuk ekzistonin shkëmbime tregtare si dhe lëvizje personash midis kombeve europiane në vigjilje të Luftës së Parë Botërore, gjë që nuk i pengoi ata të hynin në luftë njëri me tjetrin. Për më tepër, në tryezat e njëpasnjëshme ndërmjet shteteve pjesëmarrëse në Shengenin Ballkanik do të përvijohej një skenar i ngjashëm: do të synohej të ravijëzohet një treg i përbashkët ndërmjet 6 shteteve të Ballkanik Perëndimor, ndërkohë që njëkohësit me të Serbia, e cila ende përbën nyjën kryesore të stabilitetit të një pjese të rëndësishme të Europës Juglindore, sakaq do të vazhdonte të afishonte kokëfortësinë në qëndrimet e saj tradicionale përkundrejt Kosovës. Dhe jo vetëm kaq, por më tej ajo do t’i përmbahej duplicitetit të qëndrimeve në politikën e saj të jashtme, nga njëra anë konsolidimin e arsenalit të saj ushtarak, me armatim të siguruar nga Rusia, që nënkupton përforcimin edhe të pozitave të kësaj të fundit në Serbi, aderimin në Unionin Ekonomik Euro-aziatik dhe nga ana-tjetër do të ishte e prirur për manovra “përafruese” me perëndimin dhe në këtë rast, fryma dhe dinamika e bashkëpunimit brenda suazës së Mini-Shengenit ballkanik midis shteteve aderuese do të influencohej drejtpërdrejt nga orientimet e saj gjeopolitike.

Për vetë natyrën e problematikave kombëtare, gjendjes së marrëdhënieve aktuale ndërmjet shteteve të Ballkanit, afërsisë së tyre gjeografike, ecuria e suksesshme e një Mini-Shengeni Ballkanik do të kondicionohej në të njëjtën kohë nga tendencat për një zgjidhje konstruktive politike, sikundër do të influencohet edhe nga mosmarrëveshjet politike. Marrëveshja e një Mini-Shengeni ballkanik nuk mund të interpretohet si një mishërim i një versioni të ri të Jugosllavisë. Akuza të tilla reflektojnë mendjengushtësinë të kombinuar me një mungesë të një sistemi të kërkuar reflektimi për të analizuar çështjet e diplomacisë. As edhe një nga premisat aktuale të konstelacionit gjeopolitik në Ballkan nuk e favorizon këtë opsion dhe asnjë prej popullsive të 5 shteteve aderuese në këtë iniciativë nuk do ta pranonte një riorganizim të ngjashëm politik me atë të Jugosllavisë së dikurshme, sërish rreth primatit të Serbisë aktuale, e cila në shumicën e parametrave të saj nuk e disponon pozitën dhe rëndësinë që ajo gëzonte në prag të Luftë I Botërore, apo asaj në dalje të Luftës II Botërore. Edhe më pak një projeksion i ngjashëm politik do të pranohej nga popullsitë shqiptare të shtrira në Europën Juglindore, të gjendura tashmë në një realitet shumë here më të favorshëm gjeopolitik, të përfaqësuara nga dy shtete kombe shqiptare, Shqipëria dhe Kosova, të cilat edhe një situatë me të disfavorshme në të shkuarën e tyre e kanë kundërshtuar një skenar analog. Për më tepër, një riorganizim i tillë i ri politik, i cili nuk gjen asnjë element mbështetës nuk do t’i shkonte aspak për shtat interesit dhe skemave diplomatike të vendeve perëndimore dhe mbi të gjitha, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë që iniciativa për një Mini-shengen Ballkanik nuk përligj as edhe entuziazmin e Kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili kthehet herë pas here në një protagonizëm pa përmbajtje dhe të pakuptimtë me përfaqësuesit e lartë politikë të Kosovës. Në marrëveshjen e Mini-Shengenit, nëpërmjet së cilës të gjitha shtetet anëtare shpresojnë jo vetëm avantazhe ekonomike, që parashikohet të vijnë prej qarkullimit pa pengesa me njëri-tjetrin, por edhe përfitime në formën e një subvencioni financiar nga Bashkimi Europian. Serbia, e cila e mendon veten si një kryesuese të kësaj sipërmarrjeje, synon që një realitet i tille të dinamizojë ekonominë e saj duke krijuar edhe një lloj epërsie përkundrejt aderuesve të tjerë të Mini-Shengenit, duke nxjerrë mundësisht edhe përfitime taktike.

Me qëllim që një iniciativë e tillë ekonomiko-administrative të mundet të jetë performante, në Ballkan më shumë se kudo tjetër, ajo duhet të evoluojë paralelisht me klimën e favorshme politike, e cila ende mungon. Duke mbajtur parasysh tendencat e dinamikave gjeopolitike si dhe natyrën e interferencave të fuqive të mëdha të kohës sonë në këtë rajon, në një moment të caktuar, sërish Serbisë do t’i kërkohet të përcaktoje orientimin e saj përfundimtar gjeopolitik, prej ku do të varet jo vetëm ecuria e një nisme të tillë të kufizuar, e tillë ajo e Mini-Shengenit Ballkanik, por edhe zhvendosja në etapën pasuese të çështjes shqiptare. Reagimi në Serbi përkundrejt ligjit të miratuar në Parlamentin e Malit të Zi në lidhje me tërësinë e pronave të Kishës Ortodokse Serbe është një indikator domethënës. Mjafton një ndodhi serioze politike, me qëllim që inspirimi për iniciativa me karakter tregtaro-administrative të zbehen. Në Ballkan, roli i ekonomisë nuk e ka tejkaluar ende rëndësinë e politikës, e cila ende vazhdon të shënjojë tërësinë e zhvillimeve si dhe përcakton realitetet e reja, cilado qofshin ato, në këtë rajon.

*Pedagog i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura