Mimoza Ahmeti heq dorë si opinioniste e “BB8”

Mar 21, 2015 | 13:31
SHPËRNDAJE

Nuk mundi dot ta përballonte natyrën e formatit
 
Poetja Mimoza Ahmeti ka vendosur përfundimisht të heqë dorë nga pozicioni i opinionistes së “Big Brother 8”, vetëm pas dy të shtunave eksperiencë. Pas paralajmërimit që ajo bëri nëpërmjet një statusi në facebook para disa ditësh, Moza e lë me kaq, duke vendosur të mos jetë sot (e shtunë) në mbrëmje në kolltukun e spektaklit të “Big Brother 8”. Burime nga formati e kanë shpjeguar largimin  si pamundësi të saj për ta çuar deri në fund këtë sipërmarrje, pozicion që iu besua si profesioniste e vërtetë që është. Por që nuk rezultoi kështu. Duket se Moza e kishte marrë me qejf këtë punë, deri para disa ditësh kur ndodhi krisja. Shkak u bë një foto montazh i postuar nga Olti Curri në faqen e tij. Në foto ishte Moza dhe Edisoni, banori që u përjashtua nga loja, me disa germa arabe sipër që nënkuptonin fjalët e padeshifrueshme të Mozës, gjë që nuk i pëlqeu aspak. Moza e komentoi këtë fotomontazh si një tentativë për ta futur atë në sherr me Edisonin, banorin e “BB8”, i cili pas vendimit nga “Vëllai i Madh” u detyrua të linte lojën pa nisur ende mirë. Lidhur me këtë ngjarje, Ahmeti mori një kundërpërgjigje nga Olti Curri, i cili është opinionist i “Fan club” të “Big Brother”. Ai i përcolli asaj një mesazh, ku i linte të kuptohej që s’kishte pse ta merrte kaq seriozisht atë batutë e bërë thjesht me humor. Por Moza nuk e cilësoi thjesht si shaka, por si qëndrim të televizionit “Top Channel”, ku Curri është i punësuar. Më pas, Mimoza, duke e konsideruar si punë të vështirë, i ka kërkuar produksionit rritje të pagesës që ajo merrte dhe që ishte 20 mijë lekë në javë. Ajo kërkoi rritjen e kësaj shumë në 50 mijë në javë, me justifikimin se tani që e provoi presionin e formatit, mendoi se nuk ia vlente të punonte për aq pak para. Ndërkohë, pritet me kureshtje emri i opinionistit që do të zëvendësojë Mozën. Deri tani flitet për një rikthim të djalit nga Kosova Virus Shala, personazh mjaft simpatik ky, komentet e të cilit shkaktonin reagime të forta te konkurrentët, por edhe jashtë shtëpisë më të madhe në vend gjatë edicionit te parë të “BB” në Shqipëri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura