Milo i pakënaqur nga marrëveshja me PS: Ministrat po zvarrisin zbatimin e udhëzimeve të Ramës

May 22, 2015 | 23:25
SHPËRNDAJE

Kryetari i PDS-së, Paskal Milo, shpreh pakënaqësi ndaj zbatimit të marrëveshjes që ka arritur me Kryeministrin Rama. Duke folur për gazetën “Panorama”, Milo shprehet se ministrat po pengojnë zbatimin e saj.

Rama dhe Milo

“Marrëveshja ka filluar të zbatohet, por me ritme shumë të ngadalta. Në takimin që pata me Kryeministrin, zotin Rama dhe me koordinatorin e PS, Taulant Balla, u hap drita jeshile për zbatimin e marrëveshjes dhe Kryeministri i dha porosi të veçantë zotit Balla që të zbatohej marrëveshja, tashmë e njohur, por për fat të keq me gjithë përpjekjet e zotit Balla në kontaktet e vazhdueshme me mua, ai nuk ka mundur që të çajë murin e heshtjes ose të rezistencës të një numri ministrash, të cilët hapur nuk refuzojnë, por mesa kuptohet, nuk ekzekutojnë udhëzimet e Kryeministrit”, tha Milo.

Sipas tij, ky ngërç i krijuar, shton pakënaqësinë në radhët e PDS-së dhe nuk motivon njerëz në fushatë. “Në këto rrethana, shtohen dozat e njohura të pesimizmit dhe të pakënaqësisë, por duke qenë në fushatë elektorale, kam shpresë se ministrat e nderuar të zotit Rama do ta kuptojnë që partneriteti politik dhe elektoral kërkon të ushqehet me besim reciprok dhe me veprime konkrete”, tha Milo. Ai shprehet se nuk ka asnjë arsye që zbatimi i marrëveshjes të zvarritet.

“Marrëveshja që u zvarrit për gati 2 vite u mendua se do të zbatohej menjëherë pasi u firmos koalicioni i ri elektoral, ndonëse te PDS ekzistonte edhe në atë kohë dyshimi se me firmosjen e kësaj marrëveshjeje elektorale, do të harroheshin edhe premtimet për të harruar marrëveshjen e vjetër. Për fat të keq, ka shenja që i ushqejnë këto dyshime. Edhe pse jemi në fushatë, nuk ka pse të mos nominohet zv.ministri që na është premtuar, drejtoritë e përgjithshme dhe ato rajonale”, tha Milo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura