Meta vë veton, Reforma në Drejtësi rrezikon votimin pas 30 korrikut

Jun 24, 2016 | 8:30
SHPËRNDAJE

Ndryshimet kushtetuese për Reformën në Drejtësi nuk do të shqyrtohen nga Parlamenti me procedurë të përshpejtuar. Edhe pse socialistët kërkuan që drafti kushtetues me 33 firmat e deputetëve të kalonte jo me procedurë normale, por t’i kalonte direkt seancës për votim si ligji i dekriminalizimit, Grupi i PS-së është tërhequr dje nga kjo kërkesë.

Konferenca e Kryetarëve
Konferenca e Kryetarëve

Shkak për këtë tërheqje, veç kundërshtisë së opozitës, është bërë dhe qëndrimi i kryetarit të Parlamentit, Ilir Meta, i cili ka kërkuar që për ndryshimet kushtetuese dhe paketën e 7 projektligjeve të ndiqen procedurat parlamentare në përputhje me Rregulloren.

Kjo përplasje, e cila disa ditë më parë u shoqërua me letërkëmbime mes Gramoz Ruçit dhe Ilir Metës, ka bërë që gjatë mbledhjes së djeshme të Konferencës së Kryetarëve, Grupi i PS të tërhiqet nga qëndrimi i mëparshëm.

Duke kërkuar që drafti kushtetues të njoftohet në Parlament dhe të futet në program, pasi në mbledhjen e ardhshme ai do të jetë pjesë e kalendarit të punimeve.

DISKUTIMET

Gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve mësohet që socialistët janë shprehur se kërkesa e tyre është keqkuptuar dhe se ka pasur për qëllim që ndryshimet kushtetuese të ishin pjesë e kalendarit të punimeve të Kuvendit.

Por mësohet se kreu i Parlamentit, gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura, është shprehur se “në çdo rast do të zbatohet Rregullorja dhe Kushtetuta”. Pas diskutimeve, konferenca ka vendosur që drafti të futet në programin e Parlamentit dhe javën e ardhshme ai të shqyrtohet nga Konferenca e Kryetarëve për t’u futur në kalendarin e ri.

Dje gjatë seancës drafti i ndryshimeve kushtetuese u është shpërndarë deputetëve të Parlamentit, pasi, sipas Rregullores, nisma ligjore futet automatikisht në programin e Kuvendit.

AFATET

Sipas nenit 77/a të Rregullores së Kuvendit, projektligji i ndryshimeve kushtetuese pritet të futet në kalendarin e punimeve në seancën e 30 qershorit. Por kjo nismë nuk mund të shqyrtohet nga Komisioni i Ligjeve dhe Këshilli i Legjislacionit jo më parë se dy javë nga data e depozitimit, pra jo më parë se 14 korriku.

“Projektligji shqyrtohet në mbledhjen e përbashkët të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe Këshillit për Legjislacionin jo më parë se dy javë nga data e depozitimit. Mbledhja drejtohet nga kryetari i Kuvendit”, thuhet në nenin 77/a.

Ndërkohë që në nenin 77/b, parashikohet që seanca për votimin e ndryshimeve kushtetuese të thërritet 2-3 javë pasi të jetë hartuar raporti i Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit të Legjislacionit. Kjo do të thotë që votimi në Parlament mund të kalojë përtej muajit korrik, duke u shtyrë në këtë mënyrë për në sesionin e ri parlamentar.

“Seanca plenare për miratimin e amendamenteve kushtetuese thirret jo më parë se dy javë dhe jo më vonë se tri javë nga paraqitja e raportit. Seanca e debatit zhvillohet e hapur dhe transmetohet drejtpërdrejt nga televizioni publik”, thuhet në nenin 77/b.

FATION BINJAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura