Meta, takim me kryeministrin kroat: Do trefishojmë përpjekjet që në Samitin e Zagrebit të kemi vendim pozitiv për negociatat

Oct 30, 2019 | 12:30
SHPËRNDAJE

“Do të dyfishojmë e trefishojmë përpjekjet tona në javët që vijnë, në muajt që vijnë, në mënyrë që Samiti i Zagrebit në maj 2020 të rezultojë me një vendim pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian”. Keshtu ka deklaruar presidenti i vendit, Ilir Meta gjate takimit qe pati ne Zagreb, në një takim të veçantë me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković.

meta

Kreu i Shtetit e falenderoi Kryetarin e Qeverisë kroate për mbështetjen e shkëlqyer dhe pa rezerva që Kroacia i ka dhënë rrugëtimit europian të Shqipërisë.

“Marrja e Presidencës së BE për herë të parë nga Kroacia dhe qëndrimi i saj pro zgjerimit është një mundësi e shtuar për Shqipërinë dhe rajonin në funksion të perspektivës europiane”, – nënvizoi Presidenti Meta.

meta1

Presidenti Meta dhe Kryeministri Plenković ndanë të njëjtin qëndrim se integrimi europian i Shqipërisë dhe rajonit janë e vetmja alternativë e të ardhmes sonë të përbashkët.

Liderët ranë dakord se bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve duhet të ngrihet në të njëjtin nivel me partneritetin strategjik dhe bashkëpunimin e shkëlqyer politik.

meta2

Presidenti Meta theksoi se lidhja direkte ajrore Tiranë-Zagreb do t’i shërbente forcimit të këtij bashkëpunimi, si dhe ndërlidhjes mes nesh.

Një tjetër projekt ambicioz është ndërtimi i gazsjellësit Adriatiko-Jonian IAP, si zgjatim i TAP, që do të ndërlidhë më shumë vendet tona në fushën energjitike dhe do të diversifikojë burimet e energjisë.

Presidenti Meta shprehu gjithashtu kënaqësinë që komuniteti shqiptar në Kroaci, përfaqësohet në Parlamentin kroat me deputeten, Ermine Lekaj Prljaskaj, një tjetër tregues i lidhjeve të forta tradicionale shqiptaro-kroate.

Gjatë takimit, Kreu i Shtetit vuri në dukje edhe domosdoshmërinë e liberalizimit sa më parë të vizave mes BE-së dhe Kosovës, për t’i dhënë fund izolimit të pamerituar të qytetarëve të saj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura