Meta: Bashkëpunimi me PS-në, afatgjatë. S’kemi biseduar për poste ministrore

Jun 28, 2013 | 19:04
SHPËRNDAJE

Menjëherë pas mbledhjes së Kryesisë, kreu i LS-së Ilir Meta doli para gazetarëve në një komunikimi me ta. I pyetur lidhur me jetëgjatësinë e koalicionit me PS-në, Meta u shpreh se bashkëpunimi me Partinë Socialiste është strategjik, afatgjatë dhe do të jetë në interes të vendit, qytetarëve dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si rruga që do të sjellë standardet më të mira për Shqipërinë.

Meta u shpreh gjithashtu pro propozimit të PS-së për ndarjen e ekzekutivit nga legjislativi.

“Ndarja e mandateve, natyrisht që është një hap përpara, jo një hap mbrapa, për të rritur rolin e qeverisë, dhe maksimizuar energjitë e të gjithë atyre që angazhohen në ekzekutiv, por njëkohësisht edhe një kontribut për të rritur më tej rolin e parlamentit dhe deputetëve në përmbushjen e angazhimeve që parlamenti ka. Kjo do të ndihmojë në efikasitetin e legjislativit dhe ekzekutivit.”- tha Meta. Sipas tij, propozimi që deputetët të mos jenë ministra, është një element novator dhe efikas, pasi përmirësohet puna e dy institucioneve.

Lidhur me kalimin në koalicionin e majtë, të deputetëve që kanë fituar nën siglën e Partisë Demokratike, por që kanë qenë ish deputet të PS-së, Meta u përgjigj kështu;

“Ne kemi arritur të kemi një maxhorancë shumë domethënëse, legjitime, por besoj se qytetarët shqiptarë e ndjejnë në këto pak ditë pasi kanë votuar, që nga kutitë e votimit ka dalë një maxhorancë tepër e përgjegjshme, me një frymë të gjerë bashkëpunimi dhe gjithëprfshirje, dhe kjo frymë bashkëpunimi dhe gjithëpërfshirje do të jetë e pandalshme.”- tha ai.

Kreu i LSI-së u përgjigj po ashtu edhe lidhur me bisedimet për ndarjen  e posteve ministrore.

“Nuk është diskutuar asgjë, as si aleancë dhe as si LSI në mënyrë specifike. Çështja e bashkëqeverisjes nuk është një çështje përqindjesh, është një çështje e një vullneti të përbashkët për të nisur në Shqipëri një politike të re, mbi bazën e bashkëpunimit dhe në funksion të vendit.Besoj se ne do t’i qëndrojmë fort kësaj fryme, dhe do të sjellë rezultate që priten nga qytetarët dhe nga qeverisja e ardhshme.”- theksoi Meta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura