Mediat kosovare e dërgojnë te Drita, Fejzullahu: Pas pushimeve vendos për Partizanin

Jun 3, 2018 | 11:35
SHPËRNDAJE

Rinovimi i kontratës së Arbnor Fejzul lahut mbetet një nga çështjet që Partizani duhet të zgjidhë para fillimit të punës për sezonin e ri. Më 30 qershor mbrojtësi del lojtar i lirë, por të kuqtë, me kushtet që i kanë ofruar lojtarit, duke ruajtur parametrat e kontratës së vjetër, kërkojnë që ta mbajnë sërish në ekip Fejzullahun. Pas ndeshjes me Kamzën, që ishte e fundit për sezonin e shkuar, palët janë ulur dhe kanë biseduar për çështjen e rinovimit.

Fejzullahi konference 2
Drejtuesit i kanë paraqitur kushtet e tyre dhe tani presin përgjigjen e mbrojtësit, i cili ashtu si pjesa tjetër e skuadrës ka nisur pushimet. Por, në ditët e fundit nga Kosova ka dalë një lajm, sikur Arbnor Fejzullahu mund të kalojë te kampionët e Dritës së Gjilanit, me të cilët mund të merrte pjesë në turin paraeliminator të Championsit. Nisur nga ky lajm, “Panorama Sport” kontaktoi me vetë lojtarin, i cili prej disa ditësh ndodhet me pushime në Antalia, së bashku me të fejuarën e tij. 25-vjeçari e mohoi këtë lajm. Më tej, Fejzullahu pohoi për gazetën se për të ardhmen do të vendosë vetëm pasi të kthehet nga pushimet. Mbrojtësi deklaroi se sapo të kthehet në Tiranë do të bisedojë sërish me drejtuesit e Partizanit dhe do të vendosë për të ardhmen e tij. “Sa i përket lajmit për kalimin tim te Drita në Kosovë, mund të them se nuk ka asgjë të vërtetë.

Fejzullahi

Që pas përfundimit të sezonit me Partizanin kam nisur pushimet dhe për momentin ndodhem në Turqi. Dihet që e kam lënë t’i kthej një përgjigje Partizanit dhe sapo të kthehem në Tiranë nga pushimet, do të ulem sërish në bisedime me drejtuesit dhe do të vendos për të ardhmen”, u shpreh Arbnor Fejzullahu për “Panorama Sport”. Burime pranë klubit kanë bërë të ditur për gazetën se për çështjen e rinovimit të Fejzullahut është angazhuar personalisht Drejtori i Përgjithshëm i të kuqve, Olsi Rama, pasi mbrojtësi preshevar konsiderohet si pjesë e planit të Partizanit të sezonit të ri.

mici fejzullahu

Dëshira e lojtarit është që të gjejë një mundësi për të luajtur afër të fejuarës së tij, që jeton dhe studion në Zvicër, përndryshe është i prirë të mbetet i kuq, por me kusht që kontrata të jetë e kufizuar dhe joafatgjatë. Fejzullahu pritet të përfitojë edhe me kontratën e re rreth 5 mijë euro në muaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura