“Me të njëjtin volum, truall dhe funksion”, flet eksperti: Ja pse duhet të rindërtohet Teatri Kombëtar

Jun 1, 2020 | 19:59
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ “Ndërkohë që në vendet europiane, zhvillimi i kulturës teatrore mishërohet në shumë godina teatrore të trashëguara nga e kaluara, Shqipëria prishi dhe të vetmin objekt historik teatror që kishim”.pjimage (8)

Me një eksperiencë prej 4 dekadash në fushën e restaurimit, arkitekti Latif Lazimi thotë se shembja e Teatrit Kombëtar dhe mënyra se si ndodhi, ishte një akt sa i papritur, edhe i shëmtuar. Sipas tij, restaurimi i godinës ishte plotësisht i mundur dhe tanimë që rrënimi është fakt i kryer, rindërtimin e propozon për hir të “ringritjes së memories historike të Teatrit Kombëtar”.

“RESTAURIMI I TEATRIT ISHTE PLOTËSISHT I MUNDUR”

Arkitekti-restaurator, Latif Lazimi, shprehet se për të ishte e vështirë për t’u besuar se Teatri Kombëtar do të mund të shembej. “Aq më pak në një mënyrë aq të shëmtuar, siç ndodhi. Si specialist, isha i bindur që do të ruhej dhe do të restaurohej si një godinë me vlera arkitetonikourbanistike dhe historike, si një memorie e kryeqytetit. Si qytetar i Tiranës, ndjeva keqardhje për këtë veprim të shëmtuar.

Arkitekti restaurator, Latif Lazimi
Arkitekti restaurator, Latif Lazimi

Nisur nga aspekti profesional, e duke pasur një eksperiencë 40-vjeçare në restaurimin e monumenteve dhe disa specializime ne Itali në këtë fushë, mund t’ju them se restaurimi i Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental ishte plotësisht i mundur.

Nga eksperienca në IMK, mund të them se ne kemi hasur shumë monumente si kisha, kala, monumente antiko-mesjetare, banesa monumentale me përmasa të mëdha, që kanë qenë në gjendje para rrënimi dhe janë restauruar. Ato vazhdojnë dhe qëndrojnë sot e kësaj dite shumë mirë, duke i shërbyer me funksionin e tyre të vizitueshmërisë dhe përdorimit utilitar, ndonëse kanë kaluar shumë vite nga ndërhyrjet restauruese”, thotë specialisti.

VLERAT QË RISJELL RINDËRTIMI I GODINAVE

Ndonëse monumentet, siç thotë Lazimi, pas rrënimit, i humbasin vlerat si të tilla, ajo që do të sillte rindërtimi i Teatrit Kombëtar, sipas tij, është një “ringritje të memories historike që përfaqësonte, e që ishte mëshiruar në këtë godinë për më shumë se 80 vjet”. Po ashtu, arkitekti shton se shembja e kësaj godine e lë Shqipërinë pas, krahasuar me vendet e tjera, me një dëshmi më pak të kulturës teatrore që është bërë në vendin tonë. “Shqipëria për arsye të ndryshme historike nuk është dalluar në krahasim me vendet ballkanike dhe ato europiane më gjerë, se ka trashëguar ndonjë zhvillim në aspektin e kulturës teatrore, në krahasim me këto vende. Ndërkohë që në këto vende, zhvillimi i kulturës teatrore mishërohet në shumë godina teatrore të trashëguara nga e kaluara, vendi ynë prishi dhe të vetmen godinë teatrale të trashëguar nga e kaluara. Pra, ne mbetemi pas vendeve përqark nesh, pa këtë trashëgimi”, shprehet arkitekti.teatri

“TEATER, JO MUZE!”

Sa i përket diskutimit, nëse rindërtimi do të duhej të sillte një Teatër-muze, apo godina të vijonte të njëjtin funksion si më parë, Lazimi shprehet se: “Ringritja e teatrove, duhet të bëhet jo si muze, por si objekt funksional. Një opsion është duke u ruajtur pamja e jashtme që godinat kishin para shembjes dhe të bëhet trajtimi bashkëkohor në brendësi të tyre, sa i përket aspektit funksional. Ajo që dua të theksoj, është fakti se për sa u përket monumenteve që prisheshin, në ligj ka qenë se ato duhet të rindërtoheshin me të njëjtat volume, në të njëjtën parcelë dhe me të njëjtin funksion që kishin më herët”.teatri kombetar

“PROJEKTI I INGELS, I PAPËRSHTATSHËM”

Për sa i përket konceptit të Bjarke Ingels për Teatrin e ri Kombëtar, në të njëjtin truall, ku ishte kompleksi teatror prej më shumë se 8 dekadash, arkitekti e shikon si të papërshtatshëm, kjo jo vetëm për prishjen e raportit të intensitetit të ndërtimit, por edhe për mungesën e një qasjeje ndaj arkitekturës vendase.

“Në të gjithë botën, tendenca e arkitektëve të aftë ka qenë dhe është që në ndërtimet të cilat ata realizojnë, të bëhet e mundur, që zgjidhjet e tyre arkitektonike t’i përshtaten edhe arkitekturës kombëtare të vendit ku do realizojnë objektin. Pra, në rastin konkret, Teatrin. Në këtë rast, ndërtimi i ri nuk përshtatet me përmasat dhe trajtimin arkitektonik dhe volumor të mjedisit ku do të vendoset. Përpos kësaj, as që nuk bëhet fjalë për një përshtatje me arkitekturën kombëtare shqiptare”, shprehet ai.

QENDRA HISTORIKE

Arkitekti-restaurator, Latif Lazimi, tregon se rrënimi i godinave historike e ka zanafillën, në postdiktaturë, ndërsa vitet e fundit, sipas tij, ka arritur kulmin dhe nuk njeh të ndalur. Duke iu referuar ligjit për trashëgiminë kulturore në fuqi, Lazimi thekson se në këtë proces, “Instituti i Monumenteve, si dhe Ministria e Kulturës janë jashtë rolit ligjor që duhet të luajnë”. “Një rast konkret flagrant, është ndërtimi i ri pranë Kullës së Sahatit ngjitur me të. Nga ana ligjore, në ligjin për trashëgiminë kulturore, që është në fuqi, duhet të theksohet se ngritja e ndërtimeve të reja pranë një monumenti, duhet të respektojë distancat nga monumenti. Po ashtu, trajtimi i ndërtimit të ri, jo vetëm që nuk duhet të dëmtojë monumentin, por as ta konkurrojë atë. Në rastin konkret, ndërtimi ngjitur me Kullën e Sahatit, jo vetëm paraqet rrezik për monumentin, por do të dëmtojë dhe pamjen panoramike të këtij simboli të Tiranës”, shton ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura