Me silenciator: Ekzekutohet pronari i kazinove në Itali

Aug 24, 2013 | 9:43
SHPËRNDAJE

Vendi ku ndodhi vrasja te rruga “Irfan Tomini” në Tiranë
Eliton Lafetaj, 37 vjeç, i njohur edhe si Elio Bendo është vrarë mbrëmë nga dy persona në Tiranë. Plagoset e dashura.

Pritë para shtëpisë, plagoset edhe e dashura e tij.

Ekzekutohet me silenciator në pritë para shtëpisë një biznesmen 37-vjeçar dhe plagoset e dashura e tij që ndodhej me të në makinë. Atentati ndodhi mbrëmë rreth orës 22:15, në afërsi të shkollës “26 Nëntori”, te rruga “Irfan Tomini” në Tiranë, në kohën që viktima po zbriste nga automjeti i tij me targa belge, para vilës ku banonte. Viktima është Elio Bendo, i njohur edhe me emrin Eliton Lafetaj, nga Puka dhe banues në Tiranë. Ndërsa e plagosura është 20-vjeçarja nga Elbasani, Amarilda Halili, që dyshohet të jetë e dashura e tij. Burime nga Policia e kryeqytetit thanë se viktima është pronar i disa kazinove në Itali, ndërsa në Tiranë deri para pak kohësh ka qenë administrator i disa pikave të basteve sportive. Autorët e ngjarjes kanë qenë dy persona që lëviznin me motor dhe në kokë kanë pasur skafandra. Ata kanë qëlluar katër herë në drejtim të makinës me një pistoletë me silenciator. Bendo është qëlluar me një plumb në kokë, që i ka sjellë vdekjen e menjëhershme dhe autorët për siguri e kanë qëlluar edhe një herë në shpatull. Ndërsa e dashura e tij 20-vjeçare është goditur nga një plumb i vetëm në këmbë, që nuk i ka shkaktuar rrezik për jetën.
ATENTATI
Elio Bendo, i njohur edhe me emrin Eliton Lafetaj, kishte vetëm disa ditë që ishte kthyer nga Italia, ku jeton prej vitesh dhe ushtron aktivitetin e tij si pronar i disa kazinove. Mbrëmjen e djeshme, pasi kishte darkuar me të dashurën e tij, Amarilda Halili, ai ka qenë duke u kthyer në shtëpi, një vilë në rrugën “Irfan Tomini”, me makinën tip “Benz”, me targa belge. Sapo ka parkuar automjetin, disa metra sa kalon shkollën “26 Nëntori”, dy persona me motor, me skafandra në kokë, janë afruar pranë derës së shoferit dhe kanë qëlluar në drejtim të tij pa i lënë kohë që të zbriste. Sipas deklarimeve paraprake që ka dhënë e dashura e tij nga Spitali Ushtarak, ajo nuk ka kuptuar asgjë derisa ka parë Lafetajn që ka rënë me kokë në timon dhe i gjakosur. Ajo ka deklaruar se nuk ka parë asnjë person, pasi të dyshuarit janë larguar me shpejtësi me motor. Ndërsa sa i përket faktit që nuk janë dëgjuar të shtëna, sipas burimeve autorët kanë përdorur armë me silenciator. 
PISTAT
Menjëherë pas identifikimit të viktimës së atentatit të mbrëmshëm, grupi hetimor i Policisë së Tiranës ka ngritur edhe pistat e para të hetimit. E para lidhet me aktivitetet e tij në Itali, ku ka qëndruar kohët e fundit, duke qenë se ka në pronësi disa kazino. Sipas Policisë ai ka pasur probleme vazhdimisht me Drejtësinë italiane, që ende nuk janë mbyllur, por çështjet në ngarkim të tij janë ende në hetim nga organet e drejtësisë italiane. Nga ana tjetër, Elio Bendo (Eliton Lafetaj) ka qenë person i skeduar edhe nga Drejtësia shqiptare dhe nën vëzhgim nga Policia e Tiranës. Në vitin 2012 ai është dënuar për plagosjen e pronarit të një lokali, ngjarje e ndodhur më 18 dhjetor të vitit 2011. Pas zënkës në lokal me një person, të cilit i kishte para borxh, Lafetaj ka qëlluar me armë e për pasojë është plagosur edhe pronari i lokalit, Iliaz Katiraj. Për këtë ngjarje 37-vjeçari u shpall në kërkim dhe u arrestua disa ditë më vonë. Ndërsa Policia po verifikon edhe pista të tjera, probleme të ndryshme personale që ai mund të ketë pasur pas divorcit.

DENIMI
Më 11 korrik 2012, Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 6 muaj burg viktimën e ngjarjes së djeshme, Elio Bendo (Eliton Lafetaj). Ai u deklarua i fajshëm për akuzën e “plagosjes së lehtë me dashje” dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Sipas Gjykatës, Lafetaj ishte autori i plagosjes së I. Katirajt, më 18 dhjetor 2011, para një lokali te “Unaza e Re” në Tiranë. Plagosja ndodhi kur Lafetaj dhe tre shokë të tij u përleshën fizikisht me të dëmtuarin dhe disa miq të tij. Konflikti mes palëve lindi për shkak të një shume prej 100 mijë lekësh që Lafetaj u detyrohej miqve të të plagosurit.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura