“Më jep 5 milion lekë ose do kesh pasoja”, prokuroria: Burg 2 vjet

Feb 12, 2016 | 15:03
SHPËRNDAJE
“5 mln lekë (të vjetra), pasi në të kundërt, do të kesh pasoja”. Kështu e ka kërcënuar me një letër anonime një të afërmen e tij shtetasi Ardi Boshnjaku në dt. 19.03.2015, në qytetin e Elbasanit.
Tani Prokuroria për Krime të Rënda kërkon për të dënimin me 2 vjet burgim me akuzën “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”.
HETIMET
Nga hetimet u arrit të provohej se autori i letrës anonime ishte shtetasi Boshnjaku, i cili, pas identifikimit dhe arrestimit të tij, deklaroi se “letrën e kishte shkruar për shaka”.
Por, në bazë të veprimeve hetimore, rezulton se kjo letër kërcënuese nuk ishte “një shaka”, për faktin se ai ka kryer të gjithë veprimet e nevojshme dhe ka qenë në pritje të posedimit të parave nga e afërmja e tij, pasi në letër i kishte dhënë edhe orientimet e nevojshme se ku do të dorëzohej shuma e parave.
Policia-Berat
Hetimet ndaj të pandehurit u zhvilluan fillimisht në masën e sigurisë “arrest me burg”, vendosur nga Gjykata për Krime të Rënda. Por masa e sigurisë u zbut në “detyrim për paraqitje nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda.
NGJARJA
Sipas hetimeve të Prokurorisë për Krime të Rënda rezulton se mbrëmjen e datës 19.03.2015, shtetasja E.D, e cila përkohësisht jetonte vetëm me fëmijët, pasi bashkëshorti i saj ishte arrestuar për “prodhim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike”, gjen në derën e shtëpisë së saj një letër. Në përmbajtje të kësaj letre, një person pa emër, i kërkonte të dorëzonte të nesërmen në markatën e qytetit të Elbasanit shumën prej 5 milionë lekëve (të vjetra), pasi në të kundërt do të kishte pasoja. Gjithashtu, “letërshkruesi” i kërkon shtetases E.D. që të mos njoftojë policinë.
E shqetësuar, shtetasja e kërcënuar komunikon me kunatën e saj, e martuar me shtetasin F. Boshnjaku. Ky i fundit i sugjeron që të shkojnë të bëjnë kallëzim në Policinë e Elbasanit, veprim i kryer rreth orës 23.00 të të njëjtës datë.
Pas kallëzimit, shtetasi F. Boshnjaku kthehet në shtëpinë e tij, ku e presin bashkëshortja e tij dhe i biri, Ardi Boshnjaku, të cilët ishin në dijeni të letrës kërcënuese ndaj shtetases E.D. që prej disa orësh, të informuar nga vetë e kërcënuara.
Shtetasi F. Boshnjaku i deklaron bashkëshortes dhe djalit të tij se, e kërcënuara E.D. kishte bërë kallëzim në Polici për ngjarjen. Në këtë moment ka reaguar djali i tij, shtetasi Ardi Boshnjaku, i cili ka thënë se përse kanë bërë kallëzim, pasi letrën e kishte shkruar ai për shaka.
Të gjendur në këto kushte, shtetasi F. Boshnjaku dhe bashkëshortja e tij shkojnë sërish në shtëpinë e të kërcënuarës E.D. për të sqaruar situatën, ndërsa djali i tyre largohet në drejtim të Tiranës, duke u strehuar tek halla e tij.
Ndërkohë, nga ana e Policisë, pasi është marrë kallëzimi, kanë nisur kryerjen e veprimeve hetimore, ndër të cilat edhe disa kamera sigurie në pallatin ku jetonte E.D., në të cilën dalloheshin qartë tiparet e personit që dyshohej se kishte lënë letrën kërcënuese.
Nga ana e Policisë u kërkua në shtëpinë e tij shtetasi Ardi Boshnjaku, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale, por nuk u gjet në apartament. Me ndërhyrjen e familjarëve dhe hallës së tij në Tiranë, shtetasi Ardi Boshnjaku u vetëdorëzua në polici, ku deklaroi se letrën e kishte bërë për shaka.
Në përfundim të hetimit, Prokuroria për Krime të Rënda e akuzon shtetasin Ardi Boshnjaku për “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, pasi i pandehuri ka kryer të gjitha veprimet për të marrë në dispozicion shumën e kërkuar në letër.
Kështu, përmbajtja e letrës tregon se i pandehuri Ardi Boshnjaku nuk ka pasë për qëllim për të bërë shaka me shkruarjen dhe çuarjen e kësaj letre para derës së hyrjes së nuses së dajës, por me këtë veprim ai ka synuar, dëshiruar dhe pritur që E.D, pasi ta lexonte, t’i dërgonte vërtet shumën e parave që ai i kishte shkruar në letër, tek vendi i paracaktuar prej tij (sigurisht pa e ditur se kush do i merrte ato më pas), duke e vënë dhe para kushtit që po të bisedonte me njeri, apo po të kallzonte në polici, ajo do kishte pasoja.
I pandehuri Ardi Boshnjaku, ka pritur vërtet që të nesërmen e asaj dite, E.D., të dërgonte paratë tek vendi që ai i kishte paracaktuar, duke shkuar e marrë vetë ato. I pandehuri e ka parashikuar këtë, dhe me vetëdije ka lejuar (pritur) ardhjen e pasojës (shtënien në dorë të parave). I pandehuri, në fakt ka menduar se E.D. nuk do të kallzonte në polici, dhe megjithëse ai ishte vënë në dijeni nga e ëma (kur u ndodh në shtëpi në darkë të datës 19), ai tregoi se letrën e kishte shkruar vetë, vetëm pasi i ati tha se kishin bërë kallzim në polici për të gjetur dërguesin e letrës.
Edhe pasi u vu në dijeni të kallzimit që kishte bërë në polici E.D, dhe megjithëse pohoi para prindërve se letrën e kishte shkruar vetë, i pandehuri, nuk shkoi bashkë me të ëmën në shtëpi të E.D. për ta ‘’sqaruar’’atë, por u largua drejt Tiranës (megjithëse kishte mundësi, dhe kohën e nevojshme ta bënte këtë) ku këtu, vetëm pasi u lajmërua nga e ëma se e kërkonte polica, me insistimin edhe të hallës së tij, vendosi të vinte nga Tirana në Elbasan, dhe të paraqitej në policinë vendore, ku pas marrjes së shpjegimit të tij u arrestua. Fillimisht ai u hetua me masë sigurimi ‘’arrest në burg’’ e nga data 15.04.2015 ai është i lirë, pasi Gjykata e Apelit caktoi ndaj tij masën e sigurimit ‘’detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore’’.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura