Me “Ballkanin e Hapur” jemi duke shkuar në Moskë

Jan 21, 2022 | 7:34
SHPËRNDAJE

gjergj kristo frasheriNGA GJERGJ KRISTO FRASHËRI/ Mund të fluturoni ku të doni me avionin që keni në dispozicion! Nuk ju pengon kush. Ju siguroj se nuk ju ka zili kush midis miqve të mi të ngushtë, por edhe shumë të vjetër. Por mos i thoni të pavërtetën këtij vendi, as edhe popullit të Kosovës dhe as atdhetarëve tanë shqiptarë në Ballkan që presin gojëhapur të jetojnë në shtetin e tyre kombëtar!

Ata presin gojëhapur si zogjtë që ushqen gruaja ime çdo mëngjes në ballkonin e shtëpisë, të cilët hapin gojën nëse u vonohet disa minuta ushqimi i përditshëm. Kështu janë krijesat biologjike, frymorët, në tërësi. Kështu jemi katandisur edhe ne shqiptarët në Ballkan.

Duke menduar se mund t’ju ndihmoja pak më shumë, përgjigjen time e dhashë publikisht. Shqiptarët e paaftë dhe të blerë të shek. 21 falen sot, më besoni, në Stamboll. Atje u duket vetja më të zgjuar, më të pasur dhe më të aftë për t’ia hedhur Europës “naive”, në të vërtetë më të aftë për hile, kur u duhet të realizojnë detyrimet që ata vetë kanë nënshkruar me Perëndimin. Më besoni, kështu ka qenë edhe në vitet ‘50 të shek. 15, në kohën e Skënderbeut, kur heroi i përbetohej botës për besnikërinë e tij, ndërsa Europa nga ana tjetër vërente tradhtitë e shokëve të tij që adhuronin sulltanin etj.

E them këtë, pasi Orientin e njoh prej aktivitetit tim në terren dhe të punës shkencore institucionale që kam pasur në vitet 1980-2001, fillimisht brenda vendit dhe më tej i komanduar në institucionet të huaj të specializuara, në Lindjen e Afërme, duke filluar prej Turqisë etj. Aty kam dalluar ballkanasit, midis tyre veçanërisht shqiptarët, që jetojnë gati të pandryshuar prej shekujsh në vende të huaja, të cilët shquhen për këtë prirje (dhunti) natyrale historike hermetike.

Të pandryshueshëm qysh prej origjinës nga vijnë dhe për ku dynden, me genin e tyre të konservuar në guaskë prej prehistorisë që bota përreth nuk e ka idenë e asaj vjetërsie, me huqet e përditshme, qëkurse ngrihen në mëngjes nga krevati. Nuk ka fè dhe ideologji që i përpunon, përveç asaj që kanë zgjedhur apo ndryshuar vetë gjatë historisë, me lejen e Perëndive dhe Zotave që u kanë lënë trashëgim të parët, malet dhe bregdeti i tyre. Lexova vetëm titullin e Pyetësorit që na keni drejtuar.

Më tej nuk lexova, ishte e kotë dhe e lodhshme, më besoni i nderuar. Njoftohem sinqerisht sa më poshtë: Nuk mund ta duroj më pyetjen tuaj prej lodërze, të cilën na drejtoni dhe “prisni përgjigje” prej nesh, se “A mendoni se Ballkani i Hapur i sjell përfitime vendit?” Së pari, nuk na mbetet neve gjë për të menduar për të dhënë përgjigjen që prisni, sepse pyetja juaj është jashtë konceptit dhe kundra formulës së këshilluar nga BE-ja. Ju pyesni popullin që po ë çoni ku e dini ju, a kemi ne dëshirë të shkojmë në Europë, apo po qe do t’u jepja ndonjë qofte me panine, jeni gati të shkojmë me “Ballkanin e hapur” në Stamboll.

Europa bashkë me SHBA-në na këshillojnë që shtetet e Ballkanit Perëndimor të lidhen dhe të punojnë me njëri-tjetrin (jo i ashtuquajturi prej jush “Ballkani i Hapur”, i cili është reduktuar në Serbi, Maqedoni e Veriut dhe Republika e Shqipërisë). Pyes për të dhjetën herë, pse nuk janë përfshirë në Ballkanin e propozuar prej jush Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia (e Veriut), duke e lënë për një çast mënjanë Çamërinë, e cila është ndërkohë brenda familjes europiane?

Me sa e njoh unë politikën dhe diplomacinë e BE-së, këtë kusht të vënë nga Brukseli, nëse duam të shkojmë një ditë në Europë, duhet ta realizojmë dhe në asnjë mënyrë nuk duhet ta shkelim apo injorojmë. Sepse duke mos e kryer detyrën e caktuar prej saj dhe të pranuar prej nesh me marrëveshje dokumentare, Republika e Shqipërisë nuk do shkojë asnjëherë në Europë, madje as që do t’i afrohet derës së anëtarësisë si anëtar i familjes së saj.

Me rradaken provinciale osmane të atyre që ju rrethojnë (të cilëve u është mbushur mendja, se po të flesh një javë në hotelet e Evropës dhe të takosh syresh të qeverive evropiane je bërë evropian), Shqipëria është dhe do të mbetet larg Europës, jo prej dëshirës, “dashurisë” dhe pasionit të saj, porse BE-ja do ta mbajë atë larg me “shkaqe dhe pretekste” nga më të ndryshme dhe të “pakuptueshme” për ne që jetojmë këtu buzë Adriatikut Lindor.

Republika jonë është larg, madje shumë larg përmbushjes së kushteve të firmosura prej saj për t’u pranuar në Europë. Ju e dini këtë, sepse po të mos e dini, atëherë jeni duke na gënjyer rëndë, aq sa ne duhet të mendohemi, pse duhet të gënjehemi nga një qeveri. Përpos duhet të mendojmë, se ç’duhet të bëjmë për të shpëtuar shtëpitë tona këtu. Sepse ne aktualisht jemi të ikur, por na duhen shtëpitë për nipërit dhe mbesat tona, të cilët po i edukojmë me shqiptarinë në mërgim, ashtu siç kanë bërë edhe gjyshërit e familjes sime me prindërit tanë.

Mjerisht nuk e di i nderuar zoti Kryeministër se sa i arsimuar jeni ju në teoremat e matematikës, sa njohës dhe se sa i familjarizuar jeni me mentalitetin e administratës ligjore evropiane në pozitat e një qytetari evropian, i cili e fiton paranë e vet me punën e vet dhe jo në mënyrë pasive sociale etj. Me këtë dua të them i nderuar, se Ju personalisht dhe qeveria juaj e kanë braktisur premtimin, se do ta çojë këtë popull në Europë. Mjafton varfëria që na rrethon këtu. Me këtë rast doja të thosha edhe diçka nga ana ime.

Gjatë Luftës së Kosovës, në biseda me diplomatë gjermanë të Ministrisë së Jashtme atje, me të cilët kisha kontakte të përditshme (pasi asokohe jetoja dhe punoja në kryeqytetin Bonn), isha njohur me disa projekte të tyre për marrjen (pranimin) e Republikës së Shqipërisë në BE. Prej tyre pata mësuar se shqiptarët në Ballkan do të merreshin në BE tërësisht në vitin 2024 (pra, jo vetëm Republika e sotme e Shqipërisë). Doja të thosha, se kur dëgjoj Kryeministrin tonë të llafoset për “Ballkanin e Hapur”, më duket se ne të gjithë patriotët këtu në Republikën tonë jemi duke ngrënë bukë misri me qepë dhe na duhet të mbushim pyetësorë të një maniaku, i cili përkon më nivelin mesjetar të shumicës së popullsisë sonë tejet patriote dhe atdhetare, por me mungesa të theksuara paditurie qytetarie.

Ai më shëmbëllen sikur të jetë “toidhjo” përfaqësuesi i kësaj mase. Si përgjigje për çështjen e Ballkanit të hapur për Kryeministrin tonë, më dalin ligjëratat e dy zonjave shqiptare nga Kosova, tejet të nderuara për mua, pavarësisht se nuk i njoh dhe nuk kam pasur asnjë kontakt deri më sot me ato, zonja Edita Tahiri (e mbiquajtur prej meje, Teuta I ilire bashkëkohore) dhe zonja Vjosa Osmani (e mbiquajtur prej meje Teuta II ilire), gra dhe atdhetare të mençura dhe tejet të nderuara prej meje dhe gruas sime), të cilat i ka përzgjedhur historia e fatit të kombit tonë.

Së dyti, zoti Kryeministër na pyesni: “A mendoni se Ballkani i Hapur i sjell përfitime vendit?”. Për çfarë përfitimesh e keni fjalën? Përfitime në rangun atdhetar kombëtar nuk sjell, Zero. Më duket se e sqarova më sipër. Ndoshta e adresoni pyetjen rreth përfitimit ekonomik që ka Republika e Shqipërisë, se shqiptarët e tjerë në Ballkanin Perëndimor nuk marrin pjesë. Qesharake, i dashur maestro! Sot po më dukeni një Kryeministër i përkohshëm!

Ndaj ju pyes, cili është kuptimi dhe leverdia ekonomike që ka për Ju – Ballkani i hapur? Që të japim përgjigje, duhet të kemi informacion konstruktiv profesional prej jush, kush ka shfaqur dëshirën për investime dhe përse, cili ka bërë premtime dhe në cilat drejtime do të jenë ato, që të bindemi se vendi ynë do të ketë interes për angazhimet e tyre? Po qe për investimet dhe turizmin e shqiptarëve të Maqedonisë, të Kosovës, të Malit të Zi, të lutem vëllaçko mos na lodh më tej.

Besoj se për ata edhe po nuk qe Republika jonë e hapur, Hape (pa Ballkanin e Hapur), e ke lejen me pash, besoj, nuk e ke vetëm prej meje. Mos e ke fjalën për serbët që të hynë e të dalin dhe të bëjnë biznes (përkthimi: të vjedhin bashkë me pushtetin tonë dhe të ndajnë paratë)? Ka qeveria ndonjë strategji për joshje prej strukturave ekonomike të këtyre vendeve që të investojnë në Shqipëri, domethënë më saktë – jo t’u japim leje si deri më sot të vjedhin pasurinë e popullit tonë në bashkëpunim me ju, duke kaluar në të zezë produktet e pasurisë kombëtare, si mineralet dhe lëndët e tjera të para të papërpunuare (bruto natyrale), si nafta, bakri, qymyrguri, çeliku, hekur nikeli, kromi, gurët e çmueshëm natyror, pyjet dhe të tjera dhe të tjera … Në të tilla kushte, jam personalisht kundër Ballkanit të Hapur (model Vuçiç), nëse vërtet më pyet.

Basta me të tillë pyetësorë! Kjo qeveri do të vjedhë, duke na bërë bashkëpunëtorë dhe bashkëvotues. Së fundi pyes, pse na vihet përpara ky pyetësor? Çfarë kërkon qeveria dhe Kryeministri prej meje si qytetar? Por ato që pyet, Pyetësori nuk ka të dhëna analitike për profesionistin. Pyetësori juaj, që në mënyrë të shëmtuar dilni ju vetë si Kryeministër ta prezantoni, ka vetëm pyetje politike dhe çarqe për qytetarin e ndershëm.

Nga ana tjetër nuk i përgjigjem Pyetësorit Tuaj, pa më dhënë Ju përgjigje: “A përfiton kombi shqiptar me heqjen e gardhit kufitar Shqipëri-Kosovë? Mbusheni ju vetë përgjigjen e kësaj pyetjeje prej nesh. Pastaj … këtu jemi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura