Mbesa e At Zef Pllumit: Rama t’ia heqë dekoratën Çokut

Dec 17, 2015 | 10:19
SHPËRNDAJE

Një ditë pasi Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kërkoi falje publike nga qyteti i Shkodrës për dekorimin e torturuesit të At Zef Pllumit, Shyqyri Çokut, ka reaguar sërish mbesa e klerikut të shquar.

Angjelina, duke folur për "Panorama"
Angjelina, duke folur për “Panorama”

Angjelina Gjeka, mbesa e At Zef Pllumit, tha se që të jenë më të lehtësuar, Kryeministri Rama duhet që t’ia heqë publikisht dekoratën. “Unë e prita mirë, mirë më erdhi ajo falje, por nuk u ndjeva bash mirë, sepse ajo falje për menimin tem është gjysma, jo krejt, sepse e kërkoi faljen, por duhej të thoshte kryeministri publikisht që ajo dekoratë që ia dhanë hetuesit që në atë kohë e burgosi dhe e dënoi axhën, duhej të thoshte publikisht që ajo dekoratë duhet të kthehet mbrapa”, tha Gjeka.

Kryeministri Rama kërkoi ndjesë për medaljet e dhëna për disa ish-hetues dhe torturues të ish-të përndjekurve politikë gjatë regjimit komunist. Duke zgjedhur Shkodrën, si qytetin ku janë dënuar e pushkatuar më shumë klerikë e kundërshtarë të regjimit komunist, kreu i qeverisë vlerësoi figurën e At Zef Pllumit, por edhe figurën e profesor Sami Repishtit, të cilët janë torturuar nga i njëjti persekutor dhe hetues, Shyqyri Çoku, duke i cilësuar ata si “dy shpirtra të bukur të rezistencës antikomuniste shqiptare”.

Kryeministri Rama, duke shfrytëzuar takimin e radhës të turit të tij “Të pastrojmë më tej Shqipërinë”, u kërkoi ndjesë publike të gjithë atyre ish-të dënuarve apo familjarëve të tyre që janë ndier keq nga lajmi i dekorimit të disa hetuesve dhe gjyqtarëve të regjimit komunist.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura