Mbarojnë biletat e “Tri motrave”, nisin rezervimet për javën tjetër

Jan 20, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Nëse ende nuk i keni prerë biletat për shfaqjet “Tri motrat”, për këtë javë do të duhet të prisni javën tjetër. Biletat për dramën e Çehovit, e cila po shfaqet në Teatrin Kombëtar janë shitur për të gjitha ditët, këtë javë.

Gjate shfaqjes "Tri motrat" mbreme ne Teatrin Kombetar
Gjate shfaqjes “Tri motrat” mbreme ne Teatrin Kombetar

Tashmë kanë nisur rezervimet për javën tjetër, në datat 29, 30, 31 janar, në ditët e premte, e shtunë e diel ora 19:00. Bileta kushton vetëm 300 lekë.

“Tri motrat”, me regji të Hervin Çulit, skenografi të Kristo Çalës, kostumografi të Blerina Kokonës dhe koreografi të Kozeta Bakiut, pati premierën ditën e shtunë. Një shfaqje që u mirëprit nga publiku, i cili e ndoqi për më shumë se 3 orë e gjysmë.

Publiku ka mundësi ta shohë atë nën interpretimin e aktorëve të ndryshëm, në net të ndryshme. Ishte vendimi i regjisorit, që disa nga rolet kryesore të interpretohen nga dy aktorë.

Kështu, roli i Olgës vjen nën lojën e Anila Bishës dhe Flaura Kuretës, roli i Mashës nga Gladiola Harizaj dhe Eriona Kakeli, ai i Natashës nga Ina Gjonçi dhe Olta Gixhari, ndërsa Andreji nga Lulzim Zeqja dhe Indrit Çobani.

Në rolet e tjera janë Elia Zaharia, Neritan Liçaj, Helidon Fino, Bujar Asqeriu, Naun Shund, Gert Ferra, Mehdi Malka, Natasha Sela, Genti Deçka dhe Rael Hoxha. Çdo njëri prej kasteve të aktorëve garanton një shfaqje që ia vlen të ndiqet deri në fund.

Jo vetëm promocioni nga ana e institucionit, si pjesë e një fushate nën logon “Eja në teatër”, mendimet pozitive të shprehura në rrjetet sociale nga ata që e kanë ndjekur veprën në dy shfaqjet e para të saj, por ndoshta edhe përplasja mes drejtorit të TK-së dhe gazetarit të “ABC News”, ka tërhequr vëmendjen e publikut drejt Teatrit Kombëtar. Rezultati janë biletat e shitura…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura