Maturantët në Tiranë protestë pas provimit të Matematikës/ Dy ish-deputetet e LSI-së: Të bëjmë bashkë një grup ekspertësh që t’i kthejmë dinjitetin arsimit shqiptar

Jun 12, 2021 | 16:12
SHPËRNDAJE

Maturantët në kryeqytet protestuan të shtunën përpara Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, për vështirësinë në provimin e matematikës, që e zhvilluan dje, 11 qershor. Ata kërkuan ripërsëritje të testit të matematikës ose të rishikohet pikëzimi.

florida kerpaci-kejdi mehmetaj-protesta e maturanteve-testi i matematikes

Në mbështetje të të rinjve maturantë kanë dalë edhe dy ish-deputetet e LSI-së; Florida Kërpaçi dhe Kejdi Mehmetaj.

Sipas Kërpaçit matura shtetërore është kthyer prej vitesh në një proces qartësisht ndrydhës të ëndrrave dhe mundit të maturantëve.

Ajo, bën me dije se sot i bashkohet thirrjes së maturantëve protestues, me ngulmin që kërkesat e tyre të gjejnë zgjidhje për të mos penalizuar asnjë maturant në ndjekjen e degës që preferojnë dhe meritojnë.

Jam nxitur për këtë status jo vetëm nga protesta e sotme por edhe nga mesazhet e shumta të maturantëve ekselentë që më kanë shprehur zhgënjimin nga testi i matematikës. E kam shprehur gjithmonë që matura shtetërore është kthyer në një proçes eskperimental që shkatërron të ardhmen e të rinjve! Nuk kemi luksin të humbasim në emigrim asnjë të ri, ndaj një zgjidhje sa më gjithëpërfshirëse është përgjigja e duhur”, thekson Kërpaçi.

Po ashtu, Mehmataj deklaron se përgjatë këtyre viteve, ajo që kemi dëshmuar është në fakt shkatërrimi i mëtejshëm i sistemit tonë arsimor; abuzim me dijen, abuzim me mësimdhënien, abuzim me mësuesin e patjetër abuzim me nxënësit.

Me gjithë dështimet e vazhdueshme të mësimit online dhe paaftësinë e qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit për të menaxhuar situatën, e njëkohësisht duke kujtuar protestat për “Turin” vitin e kaluar, pata shpresuar që provimet e maturës këtë vit do i përshtateshin nivelit të dijeve të maturantëve për ti dhënë atyre shansin të ndiqnin shkollën e lartë të ëndrrave. Por jo!”, shkruan ajo.

Sipas saj, edhe këtë vit tezat u publikuan në media pa filluar mirë provimet e po njësoj “Turi” u zëvendësua me “Sindin”, për të shkatërruar ëndrrat e një tjetër brezi.

Ajo thekson se ministria duhet sa më parë të plotësojë kërkesat e arsyeshme të maturantëve, ky do të ishte i vetmi vendim që do lehtësonte sado pak rrugën e tyre drejt dijes në vazhdim.

Ndërkohë, kjo qeveri, klasa politike, e gjithë shoqëria kemi një borxh të madh ndaj rinisë së këtij vendi. Është koha seriozisht të reflektojmë! Të ndalojmë abuzimet, prerjet e shiritave të fasadave, lojën politike me mësuesit, korrupsionin me tekstet shkollore”, shkruan Mehmetaj.

Ajo tha se është koha të bëjmë bashkë një ekip ekspertësh të paanshëm e të pavarur, për ti kthyer dinjitetin arsimit shqiptarë.

protesta maturante12jfif

Risjellim në kujtesë se Maturantët në kryeqytet protestuan të shtunën përpara Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, për vështirësinë në provimin e matematikës, që e zhvilluan dje, 11 qershor.

Të rinjtë maturantë kërkuan ripërsëritje të testit të matematikës ose të rishikohet pikëzimi.

Ata pretenduan se testi ishte shumë i vështirë dhe ndryshe nga modeli që u kishte prezantuar Ministria e Arsimit në muajin maj.

Rreth 34 mijë maturantë iu nënshtruan dje provimit të tretë të maturës shtetërore, atij të lëndës së Matematikës. Testi në total kishte 60 pikë dhe pragu i kalueshmërisë është 25 % (15 pikë).

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura