“Marubi” në Amsterdam, 100 vitet e vendit më të izoluar përmes fotografive

Jul 27, 2016 | 18:00
SHPËRNDAJE

Në vitin e largët 1850, ai la Italinë për t’u vendosur në qytetin veriperëndimor të Shqipërisë.

ambientet e muzeut marubi

Ishte një qytet që e donte kulturën dhe shpirtërisht i lidhur me vendin e tij, dhe italiani Pietro Marubi u ndje mirë sapo u vendos aty, në Shkodër, edhe pse nuk e dinte se po i jepte jetë një dinastie, e cila do të jetonte plot një shekull. Një dinasti që fatkeqësisht do të shuhej, ashtu si metodat e vjetra të fotografimit në pllaka xhami.

E megjithatë, pasuria që ka lënë pas tashmë ka fituar një tjetër dimension, jo thjesht në rang kombëtar, por edhe atë ndërkombëtar, duke u kthyer në një fenomen, se si në një vend të vogël si Shqipëria mund të zhvillohej në mënyrë paralele me vendet me të zhvilluara të Europës arti i fotografisë. “Dinastia Marubi-100 vitet e studios fotografike shqiptare” (“The Marubi Dynasty – A hundred years of Albanian studio photography”), titullohet ekspozita që do të hapet në muajin shtator në Amsterdam. Muzeu i fotografisë, “Foam”, në kryeqytetin holandez do të ekspozojë për publikun një koleksion të përzgjedhur fotografish të studios “Marubi”, mes viteve 1856-1959.

Posteri i ekspozitës me fotografi të Marubëve në Amsterdam
Posteri i ekspozitës
me fotografi të Marubëve
në Amsterdam

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për më shumë se dy muaj (16 shtator-27 nëntor), duke rrëfyer, siç shprehen organizatorët e ekspozitës, historinë e një vendi të izoluar të Europës. Hapjen e saj e ka bërë të ditur Muzeu Kombëtar “Marubi”, ndërsa përmes një njoftimi në faqen e muzeut, organizatorët bëjnë me dije konceptin kuratorial, si dhe një historik të shkurtër mbi veprimtarinë e studios fotografike “Marubi”.

Sipas tyre, fotografitë e realizuara prej kësaj dinastie nuk kanë vetëm interes artistik, por edhe historik, social e antropologjik. Hapja e këtij aktiviteti është përshëndetur edhe nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, sipas së cilës “Puna e mirë do durim e kokën ulur, por nuk harron të dalë në dritë. Një tjetër lajm i mirë për trashëgiminë tonë kulturore”.

DINASTIA

Hipur mbi një gomar, edhe pse me një përpjekje për t’u veshur alla franga, do të kthehej në një dëshmi se për shqiptarët rrugëtimi drejt Europës do të ishte i ngadaltë dhe kokëfortë. Edhe pse Pietro Marubi e kishte nisur, bash në një hap me Europën. Tri gjenerata fotografësh realizuan në studio portrete të kategorive të ndryshme njerëzish, që nga borgjezia qytetase, barinj, kriminelë, aktorë dhe piktorë të kohës, ofiqarë osmanë, deri te Mbreti Zog.

Në vitin 1850, jo shumë larg prej shpikjes së fotografisë, italiani Pietro Marubi mbërriti në Shkodër. Atje ai hapi të parën studio fotografike në rajon. Pas vdekjes së Pietros, asistenti i tij, Keli, mbajti të njëjtin mbiemër, Marubi, si një homazh për mjeshtrin e fotografisë. Ai e zhvilloi studion më tej dhe ia trashëgoi të birit, Gegës. Tanimë, koleksioni i pasur prej 150 mijë negativësh në xham përbëjnë një objekt studimi nga pikëpamja historike, sociologjike, kulturore, antropologjike e artistike.

Nga muzeu Foam në Amsterdam
Nga muzeu Foam në Amsterdam

Momente të rëndësishme nga historia e trazuar e Shqipërisë, që nga koha e Perandorisë Osmane, deri në periudhën e diktaturës komuniste, rituale, kostume popullore, grupe shoqërore, portrete figurash të njohura e të panjohura, mund të gjenden në këtë koleksion.

RIVLERËSIM I PASURISË

Sipas organizatorëve, ekspozita që do të hapet në Amsterdam është “prezantimi i një historie të pasur fotografike në një vend të izoluar të Europës, që shpesh lihet në hije”. Vetëm pak muaj më parë, një tjetër ekspozitë e Marubëve u hap në Berlin.

Duket se hapja e muzeut të ri në Shkodër, në një ndërtesë historike në qendër të qytetit, por sipas gjithë parametrave bashkëkohorë, i ka rikthyer dinjitetin pasurisë së jashtëzakonshme fotografike, e cila deri vonë ruhej në ambiente tërësisht të papërshtatshme, duke iu fshehur syrit të vizitorëve. Tashmë, koleksioni fotografik dhe gjithë objektet që fotografët e parë kanë përdorur, mund të shikohen nga vizitorët, shqiptarë e të huaj.

Dhe, me sa duket, hapja e muzeut të ri po i jep frytet, duke tërhequr vëmendjen e galerive dhe muzeve prestigjioze në Europë. Ekspozita “Dynasty Marubi – A hundred years of Albanian studio photography” është pjesë e një serie ekspozitash mbi fotostudiot më të hershme që “Foam” ka prezantuar së fundmi, duke treguar interesin gjithnjë e më shumë në rritje gjatë këtyre 20 viteve të fundit mbi fotografinë e përditshme dhe vlerat e saj sociale, historike e artistike gjithashtu. Ekspozita është mundësuar në bashkëpunim të ngushtë me Muzeun Kombëtar “Marubi” në Shkodër.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura