Marrëveshja për krijimin e qeverisë/ Kurti dhe Mustafa negociojnë në prani të diplomatëve të Quint-it

Jan 28, 2020 | 19:27
SHPËRNDAJE

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, janë duke mbajtur takim, në të cilën janë duke marrë pjesë edhe përfaqësues të ambasadave të vendeve të Quint-it dhe përfaqësuesja e BE-së në Kosovë.

Takimi i Kurtit dhe Mustafës, ka nisur rreth orës 17:00, ndërkaq, që një orë më vonë, në Kuvendin e Kosovës kanë hyrë përfaqësuesit e zyrës së BE-së në Kosovë dhe të ambasadave të vendeve të Quint-it.

B9B41DC7-9569-4BDA-B096-186C96D534D9_cx0_cy10_cw0_w1023_r1_s

Në takimin e Kurtit dhe Mustafës, janë duke marrë pjesë shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, ambasadori i Gjermanisë, Christian Held, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, si dhe përfaqësues të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës dhe të ambasadës së Italisë në Prishtinë.

Lidhja Demokratike e Kosovës po e sheh dorëheqjen e kryetarit të sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca si zgjidhje për nyjën e krijuar rreth marrëveshjes për koalicion qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje. Sipas LDK-së, dorëheqja e Konjufcës do t’u hapte mundësi partive në negociata, Vetëvendosjes dhe LDK-së, që të ndajnë në mënyrë të barabartë pushtetin, ngase kjo pozitë do t’i bartej nën udhëheqje LDK-së, kurse pozita e kryeministrit Vetëvendosjes.

LDK-ja pretendon që pozitën e kryetarit të kuvendit ta mbajë deri në ditën kur kuvendi ta zgjedhë presidentin e ri të Kosovës, diku në pjesën e parë të vitit 2021. Duke kërkuar që Vetëvendosje me marrëveshjen për koalicionin qeverisës ta mbështesë kandidatin e LDK-së për president, kjo e fundit më pastaj do t’ia kthente postin e kryetarit të kuvendit Vetëvendosjes, kurse do të ruante për vete postin e presidentit të shtetit.

Ndërkaq sa u përket ministrive, Vetëvendosje dhe LDK kanë një marrëveshje që ato të ndahen pesë me pesë, si dhe dy ministri për pakicat.

Por, një zgjidhje e tillë, e cila do të çonte në dorëheqje kryetarin e kuvendit Glauk Konjufca, deri më tani është kundërshtuar nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje. Lideri i saj, Albin Kurti, i mandatar për postin e kryeministrit, ka thënë se nëse LDK-ja e ka ndarë mendjen se kjo është oferta “merre ose lëre”, kjo sipas tij nënkupton “lëre” ofertën.

Për të ndihmuar në përafrimin e qëndrimeve dhe arritjen e marrëveshjes, Vetëvendosje kishte paralajmëruar se në negociatat e radhës do të ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e vendeve të Quint-it dhe Bashkimit Evropian.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, para se të hynte në takim ka thënë se LDK-ja nuk ka lëvizur nga qëndrimi i saj, duke thënë se propozimi të cilën e ka ofruar kjo parti është zgjidhja që funksionon dhe që u ofron të dyja palëve partneritet të fortë dhe balancim të pushteteve.

Quint: Nuk ndërmjetësojmë për formimin e qeverisë së re

Vendet e Quint-it, më herët të martën, kanë thënë përmes një deklarate se nuk mbështesin asnjë kandidat ose parti politike në Kosovë, gjatë procesit të formimit të qeverisë.

Përmes kësaj deklarate, këto vende e kanë ritheksuar qëndrimin e shprehur edhe më 30 gusht të vitit 2019, se “çdo sugjerim se qeveritë tona përkrahin ndonjë parti apo kandidat të veçantë në zgjedhje është i pasaktë”.

“Në prag të spekulimeve të fundit, ne do të donim të sqaronim qëndrimin tonë në lidhje me procesin e formimit të qeverisë në Kosovë. Siç është cekur në deklaratën tonë të 30 gushtit 2019, ne përfaqësojmë shtetet që janë thellësisht të përkushtuara ndaj Kosovës demokratike dhe të pavarur. Çdo sugjerim se qeveritë tona përkrahin ndonjë parti apo kandidat të veçantë në zgjedhje është i pasaktë”, thuhet në deklaratë.

“Përgjegjësia për të ardhmen e Kosovës, për udhëheqësit e Kosovës, dhe për vetë Kosovën, është vetëm e juaja, e popullit të Kosovës. Ne nuk do të ndërmjetësojmë”, thuhet në deklaratën e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Drejtuesi i Sekretariatit për media në Lëvizjen Vetëvendosje, Erzen Vraniqi ka shkruar në Facebook se në fund të takimit të zhvilluar të hënën, ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, kishte pajtim që të martën ose të mërkurën të ftohen në takim edhe ambasadorët e Quint-it si dhe shefja e Misionit të BE-së në Kosovë.

“Kjo është bërë me qëllim të heqjes së çfarëdo dyshimi tek ambasadorët mbi pajtimin e dy palëve për pjesëmarrjen e ambasadorëve në takimin e sotëm (v.j. e martë). Ata nuk janë menduar asnjëherë si ndërmjetësues, por vetëm si ndihmues eventualë për çfarë vetë e kanë shprehur gatishmërinë”, ka shkruar Vraniqi.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka fituar zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, menjëherë pas certifikim të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 27 nëntor, kanë nisur punën për harmonizimin e programit për bashkëqeverisje.

Megjithatë, mosmarrëveshjet kishin lindur pas kërkesës së Lidhjes Demokratike që t’i garantohet mundësia e propozimit për postin e presidentit të vendit, pas skadimit të mandatit të presidentit aktual, në vitin 2021.

Më 26 dhjetor është konstituuar përbërja e re e Kuvendit të Kosovës, dhe kryetar i këtij institucioni është zgjedhur Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se ky veprim i kthen negociatat për krijimin e një koalicioni qeverisës në pikën zero.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura