Marrëveshja për aeroportin, opozita: Nuk ul çmimin e biletës

May 4, 2016 | 14:11
SHPËRNDAJE

Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese miratoi dje marrëveshjen për kontratën e rishikuar të koncesionarit të Aeroportit të Rinasit. Miratimi i draftit u shoqërua me debate, pasi opozita ngriti shqetësimin se marrëveshja nuk sjell ulje të çmimit të biletave.

Deputeti i opozitës, Helidon Bushati, tha se shtyrja e marrëveshjes me 2 vjet rrit automatikisht 20 milionë euro fitimet e koncesionarit dhe nuk sjell ulje të çmimit të biletave.

aeroporti

“Sot kemi 1,9 milionë pasagjerë. Në biznesplanin e paraqitur nga koncesionarë ka qenë që deri në vitin 2020 do të arrihej në 1,5 milionë pasagjerë. Domethënë, koncesionarit i është garantuar investimi i kryer. Në këto kushte, grupi negociator duhet të negocionte këtë pikë të kontratës, pasi është e vetmja pikë që ndikon në çmimin e biletës së pasagjerëve”, u shpreh Bushati.

Por për përfaqësuesit e Ministrisë të Transporteve, kjo ishte kontrata më e mirë që mund të arrihej. Drejtori i kabinetit në Ministrinë e Transporteve, Kristian Keri, tha se koncesionari në fillim kërkoi shtyrje 15 të kontratës për heqjen e ekskluzivitetit.

“Kjo ishte marrëveshja më e mirë e mundshme që mund të arrihej dhe Qeveria ka përfitime. Kërkesa e parë që na është bërë ka qenë për 15 vjet shtesë të kontratës. Në rast se deri në 2025 nuk do të ndërtohet asnjë aeroport në Jug, kontrata nuk do të shtyhet më shumë se 2 vjet”, u shpreh Keri.

Transportet pranuan se në 2 vitet e para në Kukës nuk do të ulen avionë mbi 100 vende, për shkak të kapacitetit vjetor të këtij aeroporti.

Nga opozita u kërkua që nga Qeveria të qartësohet shitja e aksioneve të koncesionarit te kompania kineze. Por ky shqetësim nuk mori përgjigje, për shkak të debatit të krijuar. Në këto kushte kryetari i Komisionit, Eduart Shalsi, kaloi me miratimin e kontratës.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura