“Marie Kraja” feston 15-vjetorin, 14 këngëtarë në garë

Oct 20, 2015 | 14:28
SHPËRNDAJE

Janë 14 këngëtarë, që nga fqinjët Itali e Greqi, në Francë e Rusi, deri në Korenë e Jugut, që konkurrojnë këtë vit për trofeun e zërit më të mirë operistik “Marie Kraja”. 

Për të 15-in vit zhvillohet aktiviteti më i rëndësishëm në llojin e vet, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon, Festivali Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja”. Përgjatë dy netëve, në datat 30 dhe 31 tetor, në orën 19:00 në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, spektatori do të rrijë mbërthyer, duke ndjekur garën, në pritje të një fituesi.

Producentja dhe drejtorja artistike e festivalit, Zana Çela
Producentja dhe drejtorja artistike e festivalit, Zana Çela

Edhe këtë vit, producentja Zana Çela premton një garë të fortë, por edhe një spektakël, i cili nuk vjen përmes efektesh speciale, por zërave të mrekullueshëm të konkurrentëve të përzgjedhur mes shumë kandidatësh. Në këtë garë, Shqipëria përfaqësohet me dy konkurrentë, me baritonin e njohur tashmë për publikun, Armando Likaj dhe këngëtaren Enkeleda Kamani.

Konkurrentët nga të katër kontinentet, përzgjedhur midis 172 këngëtarëve qe aplikuan dhe u dëgjuan nga juritë në Milano, Vjenë, Bruksel dhe Tiranë, nga njëra anë, dhe anëtarët e jurisë, si gjithnjë ndër personalitetet më të rëndësishme të operistikes botërore, i japin besueshmëri e stabilitet këtij aktiviteti, që tashmë konkurron me aktivitete të të njëjtit lloj në vende të ndryshme të botës. Në këtë përvjetor të 15-të, producentja dhe drejtoresha artistike, Zana Çela, u ka besuar sërish artistëve ndër më të mirët e skenës, mjeshtrit të regjisë Pali Kuke, Robert Radoja si drejtor muzikor, Bashkim Zahaj për skenografinë dhe, për të disatin vit me radhë, dirigjentit italian Leonadro Quadrini.

FORMULA E GARËS
Më datë 29 tetor, këngëtarët do të konkurrojnë vetëm përpara jurisë me një repertor të përzgjedhur dhe profesional ariesh. Ndërsa në datat 30 dhe 31 tetor do të vijojë me dy kompeticione, te inkuadruara njëkohësisht gjatë netëve të festivalit: “Gara e arieve” gjatë së cilës do të interpretohen nga ariet më të bukura të repertorit botëror dhe “Gara e këngëve”, me repertorin më të famshëm të legjendave të këngës botërore. Këto dy kompeticione do të shoqërohen nga Orkestra Simfonike e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Edhe pse organizatorët po përpiqen ta mbajnë surprizë, në fund të tetorit, priten të vijnë në Tiranë personalitetet ndër më të rëndësishmit në fushën operistike botërore, që do të jenë dhe këtë vit pjesë e jurisë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura