Manjani flet për herë të parë për krisjen e koalicionit mes PS dhe LSI

Jul 22, 2016 | 9:35
SHPËRNDAJE

Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, ka qenë i pari që ka komentuar atë që është dukur ditët e fundit në koalicion, krisja e raporteve mes dy liderëve kryesorë politikë. Por kështu tha sot edhe deputeti socialist Erjon Braçe, se “e ardhmja e koalicionit është ndikuar shumë nga kjo marrëdhënie e krijuara këto 4-5 javët e fundit”, sipas tij.

manjani

I pyetur në studion e emisionit “Opinion”, nga gazetari Blendi Fevziu, se si do vazhdoni të qëndroni në koalicion me PS, pasi duket se është thyer të paktën në sytë e publikut”, Manjani është përgjigjur në këtë formë:

“Ne po qeverisim me Ramën, Rama me ne, nuk është kjo tema”.

Debati Manjani-Fevziu:

Fevziu: Tema kjo është.

Manjani: Mendoj që konsensusi fitoi.

Fevziu: Ka tendencë për mocion mosbesimi nga LSI për kryeministrin?

Manjani: Në dijeninë time më të mirë jo, s’kemi histori, skenarë me vijë apo prapavijë. Kjo është një histori që LSI është e njohur për respektimin e marrëveshjeve politike dhe s’kemi asnjë arsye të vëmë në dyshim afatet e respektimit të marrëveshjes politike.

Shumë shpejt do vijë momenti sepse ne do duhet të bëjmë një bilanc të funksionimit të gjërave në koalicion, se çfarë kemi bërë dhe çfarë kemi dështuar, besoj se reforma të mëdha janë bërë, vlerësimi i një koalicioni s’është me një pozicion të caktuar.

Fevziu i kujtoi Manjanit debatin e mëngjesit të sotëm mes Xhafës dhe Metës, ku ai i tha kreut të Kuvendit: “Kam kaq kohë që dëgjoj nga ty shprehjen “me qetësi dhe dashuri”, të paktën të mbetet qetësia se dashuria ka ikur”.

Fevziu: Batutë e ashpër ajo e Xhafës?

Manjani: Për çështjen e dashurisë?

Fevziu: Të koalicionit.

Manjani: U hoq ai neni i dashurisë së burrave, e hoqi Xhafa.

Gjatë ditës ka qarkulluar lajmi se disa deputetë kanë marrë mesazhe nga ambasadat e huaja në Tiranë për të votuar reformën. Këtë gjë e ka konfirmuar edhe Manjani.

“Për fat të keq ka pasur mesazhe të tilla. Dhe ne ndaj duhet të mësojmë nga ky rast. Partitë politike duam apo s’duam ne kanë të drejtë vendimmarrje. Ndaj këto sms janë gjëra të papranueshme”, deklaroi Manjani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura