Mala si “patate e nxehtë”, Partizani do të mbushë arkën duke shitur ” xhevahirët”. Të kuqtë presin oferta të majme

Dec 6, 2019 | 8:47
SHPËRNDAJE

Partizani ka bërë një progres të madh në epokën “Demi”, ku kulmi ishte rikthimi i titullit kampion pas një mungese 26-vjeçare. Gjatë këtyre viteve presidenti Gaz Demi ka investuar shuma të mëdha, por klubi nuk ka ditur deri më tani që të funksionojë si një biznes fitimprurës, që ka lidhje me shitblerjet e lojtarëve.

partizani 

Era e ndryshimeve u mendua se do të niste që në merkaton e verës, ku u përfolën për shitje disa nga heronjtë e titullit kampion, por kjo nuk u realizua, për arsye nga më të ndryshmet. Partizanit i mungon rrjeti funksional për nxjerrjen në treg të lojtarëve, ku shembulli për t’u marrë mbetet Skënderbeu, i cili i ka gjetur shtigjet për të transferuar futbollistë në kampionate të huaja, madje edhe me shumë miliona eurosh.

Aktualisht, të kuqtë kanë gati “xhevahirë” për shitje në merkaton e janarit, por që të ndodhë kjo, duhen oferta të majme, të cilat do t’ia vlenin që drejtuesit të cenonin strukturën e ekipit fitues. Por, duke kërkuar ofertat e majme për të mbushur arkën, klubi po shkon drejt “faljes” së lojtarëve, ku gabimet e së shkuarës po shikohen edhe aktualisht, siç është rasti i mesfushorit Esat Mala. 21-vjeçari mbetet një “patate e nxehtë” për drejtuesit, pasi nuk po gjendet mirëkuptimi për rinovimin e kontratës.

esat mala

Në fund të sezonit Mala del futbollist i lirë, gjë e cila do të bënte që Partizani të mos përfitonte sërish nga largimi i një futbollisti të perspektivës. Çështja “Mala” mbetet pa zgjidhje për momentin dhe palët mbeten stoikë në llogoret e tyre. Drejtuesit e klubit kanë vendosur që para ndeshjes me Laçin që lojtari të mos luajë me ekipin, por masa ndëshkuese është thelluar gjatë ditëve përgatitore për Bylisin.

mala 2 logo

21-vjeçari prej ditësh kryen stërvitje individuale pranë skuadrës, ku më shumë bën vrapime, duke mos u përfshirë në asnjë moment nën urdhrat e trajnerit Lerda. Esat Mala prej kohësh ka kaluar nën menaxhimin e një agjencie holandeze, e cila akoma nuk u ka kthyer një përgjigje drejtuesve të Partizanit me kushtet e rinovimit të paraqitura nga klubi.

Nëse palët nuk gjejnë gjuhën e mirëkuptimit, i bie që Mala të stërvitet deri në fund të sezonit i diferencuar, gjë e cila do të sillte humbjen e formës së lojtarit.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura