Lutja e të dënuarve të Spaçit: Na falni jetën, jemi të rinj!

Apr 16, 2012 | 12:57
SHPËRNDAJE

Letrat e fundit të të dënuarve me vdekje për revoltën e ’73-shit.

Çfarë i shkruanin Haxhi Lleshit në pritje të ekzekutimit Skënder Daja, Dervish Bejko, Pal Zefi e Hajri Pashaj.

Revolta e Spaçit, e njohur si revolta e parë antikomuniste e burgjeve të Hoxhës, ka nisur në orët e para të mëngjesit të 21 majit 1973 dhe ka përfunduar paraditen e 24 majit, kur është shtypur përdhunshëm nga forcat e sigurisë.
Egërsia dhe terrori me të cilin regjimi “uli në gjunjë” të rebeluarit ka vijuar me kryqëzatën ndaj organizatorëve të demonstrimit kundër pushtetit popullor. Për të mbyllur procedurat për ridënimin e tyre, përfshirë edhe ekzekutimin e katër të dënuarëve me vdekje, kanë mjaftuar vetëm 13 orë. Raporti përfundimtar për ngjarjen dhe pasojat e saj, është firmosur në orët e fundit të 24 majit, ditës që shënoi edhe fundin e revoltës në Burgun e tmerrshëm. Për të konstatuar shpejtësinë e rrufeshme me të cilën është operuar për t’u “treguar vendin” rebeluesve që synonin përmbysjen e diktaturës së proletariatit nga ferri me emrin Spaç, mjafton të shfletosh dokumentin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, i cili konfirmon përmbylljen e procedurës më 24 maj, ditën kur ende në kampin e tmerrshëm vazhdonin përleshjet midis të dënuarve dhe forcave të Policisë. Pjesa më interesante e tij, është dinamika e sjelljes me katër të dënuarit me vdekje, të cilët janë përzgjedhur mes 70 të arrestuarve dhe janë

Pamje të Burgut të Spaçit

gjykuar e pushkatuar kur bashkëvuajtësit e tjerë vazhdonin demonstrimin antiqeveritar. Procesverbali i Gjykatës së Lartë i datës 24 maj 1973, që shpreh verdiktin e Këshillit Gjyqësor të Kolegjit Penal, bën të ditur se  Skënder Daja, Dervish Bejko, Naim Pashaj e Pal Zefi, deklarohen fajtor për pjesëmarrjen në një organizatë kundër pushtetit popullor me qëllim krimin e sabotimit ekonomik dhe dënohen me vdekje pushkatim. Veç ligjërimit të gjykatësve me perifrazime ligjesh, nenesh, madje edhe porosish parie, në dokument nuk ka asnjë rrjesht për mënyrën si kanë reaguar të dënuarit me vdekje që janë ekzekutuar po atë natë. E vetmja gjurmë në dosjen misterioze janë katër fletë me dorëshkrimet e tyre me kërkesën drejtuar Presidiumit të Kuvendit Popullor për tu falur jetën. Një procedurë standarde kjo për të tilla raste, të cilës katër të martirizuarit i janë përgjigjur po atë ditë, duke përsëritur ritualin e lutjes për mëshirë në adresë të të pamëshirshmëve. Çuditërisht, po atë ditë, madje brenda disa orëve, janë njohur me vendimin e institucionit që shpërfillte kërkesën e tyre për tu falur jetën. Gazeta “Panorama” ka zbuluar korrespodencën e fundit të të dënuarve me vdekje me Presidiumin e Kuvendit Popullor dhe dokumentacionin e shqyrtimit nga ky i fundit të kërkesave të tyre. Po çfarë i shkruanin Haxhi Lleshit në pritje të ekzekutimit Skënder Daja, Dervish Bejko, Pal Zefi e Hajri Pashaj dhe cili ishte reagimi i zyrës së tij…

Skënder Daja: Jam i ri, më falni jetën
Unë, Skënder Qemal Daja, i datëlindjes 1950, me arsim 8-vjeçar, lindur në Tiranë, me origjinë fshatar i varfër, i dënuar në Kampin e Spaçit me 10 vite për tentativë arratisjeje, sot i dënuar me vdekje, i akuzuar  me nenin 72-76 dhe 73. Në fakt, kam pranuar se i revoltuar kam bërë propagandë atë ditë, ashtu siç bërtitën të gjithë në kamp dhe nuk kam marrë pjesë në asnjë lloj grupazhi e nuk jam bërë pengesë për sabotim ekonomik dhe të frymëzoj ndonjë person. Kur mbaroi revolta ne kishim frikë se do të na rrihnin, prandaj u grindëm me ta. Me kaq e mbyll këtë letër lutjeje, me shpresë që të më falni jetën si i ri që jam

Palë Zefi: Jam grindur, nuk kam sabotuar
Unë, Pal Gjergj Zefi, i datëlindjes 1940, me arsim trevjeçar mjekësor, me origjinë fshatar i varfër, lindur në sektorin Sukth-Shijak, sot në Kampin 309 Spaç, i dënuar në vitin 1971 me dhjetë vjet burg për veprimtari propagandistike kundër Partisë dhe tani i dënuar me vdekje, pasi akuzohem se kam kryer krimin e parashikuar nga neni 72 dhe 76 dhe 73. Në fakt, ne e pranojmë se   kemi kryer një rrahje me nënoficerët e repartit 303 dhe kemi zhvilluar propagandë, por nuk kemi marrë pjese në ndonjë organizatë kundër Partisë. Prandaj, ju lutem të keni mirësinë që të na falni jetën.

Dervish Bejko: Mëshirë, kam dy fëmijë
Unë Dervish Bejko, emri i babës Enver, lindur në Pogradec dhe banues në Korçë. Jam dënuar në vitin 1971 nga dega e Elbasanit për përgatitje arratisjeje, ndërsa tani e kam hongër kot, ose si t’ju them, si njeri me ndjenja, por çdo gjë e kam bërë pa koshiencë dhe për këtë mbase duhet të keni mëshirë për mua dhe dy fëmijët që kam lënë. Jam ende i ri, me datëlindje 1946. Unë kam dhënë në çdo punë dhe në ushtri kam marrë flet-lavdërimi. Tani ju kërkoj mëshirë, juve të Kuvendit Popullor dhe ju them se do punoj për pushtetin popullor.

Hajri Pashaj: Jam 28 vjeç, më falni
Unë i dënuari Hajri Zenel Pashaj parashtroj lutjen sa vijon: U dënova me vdekje pushkatim nga Gjykata e Lartë për veprimtari armiqësore kundra pushtetit popullor, këtu në burg. Duke pasur parasysh se jam vetëm 28 vjeç, i lutem të nderuarit Presidium të Kuvendit Popullor që të ketë mëshirën dhe të më falë dënimin me vdekje. Do të jem i gatshëm për pushtetin popullor. Shpresoj se lutja ime do të merret në konsideratë.

Misteret e ekzekutimit
Katër të dënuarit me vdekje, pas një procedure të rrufeshme, janë ekzekutuar më 24 majit 1973. Pushkatimi, sipas burimeve konfidenciale nga ekzekutorët, është kryer në kamp për të terrorizuar të burgosurit. Pastaj, sipas të njëjtave burime, trupat i kanë sjellë në Tiranë për kadavër, por meqë nuk ka pasur nevojë për to, i kanë transferuar për t’i varrosur në rrugën Elbasan – Tiranë, afër vendit ku ka filluar tuneli i rrugës në fjalë.

Presidiumi: Jo mëshirë të dënuarve me vdekje

Procesverbal i mbledhjes për shqyrtimin e kërkesës për faljen e jetës
Të pushkatohen! Vetëm këto dy fjalë përmban vendimi i Presidiumit të Kuvendit Popullor në përgjigje të kërkesave të katër të dënuarve me vdekje për revoltën e Spaçit. Si në asnjë rast tjetër, forumi i lartë, i drejtuar nga Haxhi Lleshi, është detyruar të mblidhet e të procedojë në orët e vona të natës dhe kuptohet ka operuar si gjithnjë kur ka shqyrtuar lutje të tilla të adresuara nga të dënuar politikë. Procesverbali i mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit për gjyqin e revoltës së Spaçit dhe ekzekutimin e organizatorëve të saj, që ruhet në Arkivin e Shtetit, mban datën 24 maj 1973 dhe firmën e Bilbil Klosit, asokohe sekretar i Presidiumit. Ligjërata e këtij takimi, në aq sa ka mbetur e dokumentuar, duket si një bashkëbisedim midis Haxhi Lleshit dhe Aranit Çelës, i cili raportonte përpara ligjvënësve për revoltën në Burgun e Spaçit dhe mënyrën si ishte proceduar për ridënimin e pjesëmarrësve në të. Me përjashtim të një ndërhyrjeje solidarizuese të Rita Markos, askush tjetër nga të pranishmit nuk e ka parë të arsyeshme të shtojë diçka mbi platformën e paravendosur për fatin e katër organizatorëve të revoltës, të cilët pritej të ekzekutoheshin po atë natë. Ka mjaftuar si nga hera një “dakord” për t’i dhënë rrugë përgjigjes rutinë: “Nuk e pamë të arsyeshme t’u falim jetën”, dhe pastaj akti fatal ndaj katër të rebeluarve të Spaçit. Ja përmbajtja e dokumentit të mbledhjes në zyrën e Haxhi Lleshit…

DOKUMENTI
Procesverbal, mbajtur në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor, më datë 24 maj 1973. Marrin pjesë në mbledhje shokët: Haxhi Lleshi(kryetar), Rita Marko, Myslym Peza dhe Shefqet Peçi (nënkryetar), Bilbil Klosi (sekretar), Pilo Peristeri, Karaman Ylli, Sadik Bekteshi, Agim Mero, Dhimitër Shuteriqi, Vito Kapo dhe Spiro Moisiu (anëtar).
HAXHI LLESHI: Këtë mbledhje e bëjmë për të parë disa të dënuar me vdekje. Kemi thirrur kryetarin e Gjykatës së Lartë, shokun Aranit Çela, për të na referuar.
ARANIT ÇELA: Në Kampin 309 në Spaç, ditët e fundit u bë një revoltë nga të burgosurit që përfshiu rreth 500-600 veta. Në fillim u dukën se shfaqën kërkesat e tyre si gjysmëpolitike: kërkonin që të largoheshin nga miniera, kërkonin të faleshin nga dënimet, kishin disa ankime të tjera rreth trajtimit të tyre, etj. Mbasi plasi revolta, kërkesat u rritën dhe doli hapur se ishte një revoltë politike, kundër pushtetit popullor. Tani të gjithë elementët që janë në këtë kamp, janë nga ata politikë, janë njerëz që kanë kryer krime kundër shtetit dhe pushtetit popullor. Shkaku i revoltës ishte me parullën që të shpëtonin shokun që ishte një i dënuar që kishte shkelur rregullat e brendshme të kampit, i cili në përleshje u largua nga dhoma e izolimit që këta personat e tjerë nuk e dorëzonin. Revolta pra, nga disa kërkesa, doli hapur në një revoltë politike, sigurisht e nxitur nga disa elementë kryesorë që ishin në këtë kamp. Kërkesat pra, në fillim qenë të tilla, pastaj u dual me parullat nga i dënuari Hajri Pashaj: “Poshtë komunizmi”, “Poshtë Partia”, “Ju do të vini këtu dhe ne do të zëmë vendin tuaj” etj. etj. Revolta zgjati tri ditë, më datë 21, 22, 23 maj 1973. Mbas përpjekjeve u desh të dërgonim forca e u rrethua kampi. Ata, sipas tyre, kishin krijuar një zonë të çliruar, vunë ligjet e tyre. U bë një demonstrim i fortë dhe u desh të hidheshin breshëri armësh dhe në fund iu dha ultimatumi. Nëse nuk do të dorëzoheni, do përdorim armë. Mbas kësaj, nga ata u krijua njëfarë përçarjeje, sigurisht që në gjendjen që u krijua një pjesë e mirë u tronditën nga frika. Pra, në mëngjesin e ditës së fundit, në orën e caktuar, u futën forcat tona dhe filluan të dalin të gjithë me përjashtim të 60 vetave, kështu që u bë një përleshje me ta dhe më në fund u kapën. Nga këta, 12 veta i prunë në Tiranë dhe pas zhvillimit të hetuesisë shpejt e shpejt, në orën 11 të natës u zhvillua gjyqi nga të cilët, katër veta i dënoi me vdekje. Pra, nga 12, katër me vdekje.
HAXHI LLESHI: Po ata atje filluan punë?
ARANIT ÇELA: Sot atyre u është shpallur vendimi i Gjykatës për dënimin me vdekje të këtyre të katërve dhe u është thënë se në rast se shkelin disiplinën dhe rregulloren e brendshme të kampit, në rast se shkelin disiplinën më të vogël, do kenë përgjegjësi, do të kenë konsekuenca. Siç duket, situata u qetësua dhe turni i parë doli në punë. Tani zhvillimi i gjyqit u bë për 12 që janë nga kryesorët, por nuk është çudi të ketë shpëtuar ndonjë tjetër. Përfundimisht u dënuan katër me vdekje, ndërsa të tjerët, d.m.th 8 prej tyre, u dënuan me 25 vjet burg. Ishte shumë e vështirë të bëhej dallimi, por megjithatë u pa që katër të dënoheshin me vdekje, që janë: Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko, Hajri Pashaj.
HAXHI LLESHI: Tani shpjegimet janë të mjafta, prandaj si mendoni të bëhet me këta të katër, me pushkatim?
ARANIT ÇELA: Ne themi që të dënohen me vdekje (pushkatim) dhe të pushkatohen jo përpara të tjerëve dhe jo para kampit.
HAXHI LLESHI: Për këtë vendosni ju, si t’ju vijë mirë.
RITA MARKO: Dhe unë jam dakord që këta katër të dënohen me vdekje (pushkatim).
Vendoset që Skënder Daja, i dënuar nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vdekje (pushkatim), t’i refuzohet kërkesa për faljen e jetës. Pal Zefi, i dënuar nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vdekje (pushkatim), t’i refuzohet kërkesa për faljen e jetës. Dervish Bejko, i dënuar nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vdekje (pushkatim), t’i refuzohet kërkesa për faljen e jetës. Hajri Pashaj, i dënuar nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vdekje (pushkatim), t’i refuzohet kërkesa për faljen e jetës.

Raporti i Feçor Shehut: Si ndodhi revolta e Spaçit
Relacioni për ngjarjen i zv.ministrit të Brendshëm për Komitetin Qendror

Feçor Shehu

Revolta nisi mëngjesin e datës 21 maj 1973, kur i dënuari Pal Zefi doli forcërisht nga dhoma e izolimit dhe iu bashkua turmës së të dënuarve në oborr. Pas refuzimit të thirrjeve për t’u dorëzuar, Zefi u arrestua forcërisht, por kjo irritoi të tjerët,  të cilët u grumbulluan dhe filluan të hedhin parulla armiqësore “Ja vdekje, ja liri!”, “Ne nuk punojmë!”, “Ju jeni katila!” etj. Ky reagim i tyre vazhdoi për çaste të tëra, duke shpërfillur çdo urdhër të personelit të shërbimit. Me acarimin e mëtejshëm të situatës rojet dolën jashtë rrethimit. Në orën 21:00, të dënuarit thyen dhomat e izolimit dhe nxorën shokët e tyre. Rojet hapen zjarr me breshëri nga të gjitha drejtimet. Ndërkohë të dënuarit grumbullohen sa në shesh, në tarracë dhe mbajnë fjalime e  recitojnë poezi kundër pushtetit popullor, thirrje për kryengritje: “Rroftë Shqipëria e Lirë!”, “Ja vdekje ja liri!”, “Ushtria është me ne!” , “Populli është me ne dhe kundër jush!”,  “Ju jeni kriminela!”, “Do t’ju djegim si Stalini!”, “Poshtë komunistët!”, “Rroftë Europa e lirë!” etj. Mëngjesin e datës 22 maj ‘73, në katin e 3-të të pallatit të tyre, të dënuarit ngritën një flamur të kuq me shqiponjën pa yll, duke kundërshtuar edhe thirrjet e zëvendësministrit të Brendshëm për t’u shpërndarë. Pas shumë ndërhyrjeve energjike të forcave të ardhura nga Tirana, revolta u mposht dhe të gjithë të dënuarit u lidhën dhe u vunë në një shesh për kontroll. Grupi i operacionit vazhdoi aksionin për të mposhtur forcërisht grupin e të dënuarve që kishte hipur në tarracë dhe godiste prej aty forcat e Policisë. Përleshja vazhdoi disa orë. Në të u plagosen 5 të dënuar dhe dy nga forcat e Policisë. Në përfundim u bë demaskimi i revoltës, duke arrestuar 70 veta, 12 prej të cilëve u gjykuan e dënuan brenda ditës, katër syresh me vdekje dhe tetë me 25 vite burg. Vendimi u ekzekutua brenda disa orëve.

AFRIM IMAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura