Luljeta Progni rrëfen “Azizin”, historinë e të mbijetuarit në tri kampe

Oct 26, 2018 | 14:28
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ Dera hapet dhe shfaqet fytyra e një burri, që vitet dhe dhimbja nuk ia kanë shuar mirësinë dhe buzëqeshjen nga fytyra.

azizi-

Është Azizi. I mbijetuari. Dhe salla duartroket. Ndoshta më shumë për të. Ai është aty në radhët e para. Salla ngrihet në këmbë. Azizi asnjëherë nuk e kishte menduar se dikur, atij të mbijetuarit të kampit famëkeq të Turanit, do t’i ngrihen në këmbë aq shumë njerëz. Duartrokitjet janë për të dhe për të gjithë si ai që mbijetuan.

Por edhe si një homazh e lutje bashkë për të gjithë ata që nuk u kthyen kurrë nga kampet famëkeqe të komunizmit. Dje, në Kinema Millenium u shfaq filmi “Azizi” me skenar të gazetares Luljeta Progni, regji të Gentian Kurtit, mbështetur nga Fondacioni Konrad Adenauer. Kinema Millenium nuk kishte parë ndonjëherë më shumë spektatorë se dje. Salla nuk e mbante dot numrin e madh të të interesuarve, të cilët u ulën nëpër shkallët e kinemasë.

film--730x450

Dhe kjo, jo sepse hyrja ishte e lirë, por sepse tek ai filmi kanë të gjithë diçka nga pak. Nuk munguan në radhët e publikut edhe politikanë, mes të cilëve edhe kreu i opozitës, Lulzim Basha. “Azizi” është historia e vërtetë e Aziz Ndreut, njeriut që i ka mbijetuar tre kampeve internimi, nga Kuçova, Berati e Turani, për të jetuar më pas baltërave të Myzeqesë, deri në ndërrimin e sistemeve. Gazetarja Progni dhe regjisori Kurti mund të kishin realizuar thjesht një dokumentar përmes rrëfimit të Azizit të vërtetë, por ata kanë preferuar që ta sjellin atë përmes një prodhimi artistik, ku personazhet interpretohen më së shumti nga njerëz të thjeshtë e nga një numër i vogël aktorësh (Aldo Sheldija, Suela Bako, etj.).

aziz

Më shumë se sa vlerat artistike të filmit, ajo për të cilën ia vlen ta shohësh këtë film, sidomos brezi i ri, është historia. Historia e një fëmije, që u bë burrë kampeve të internimit, që pa t’i shuheshin jetë në duar, por që mbeti gjallë dhe në këmbë për të ofruar sërish jetë. Një histori rrëqethëse që ka bërë të lotojnë gjithë të pranishmit. Sikur Aziz Ndreu të kishte pa sur dhuntinë e të shkruarit, padyshim që do të kishte konkurruar Primo Levin dhe veprat e tij “A është vallë njeri?” dhe “Armëpushimi”. Nuk ka dhoma gazi, por aftësia e regjimit komunist për ta dehumanizuar njeriun është thuajse e njëjta me atë të nazizmit,

HISTORIA

Në pranverën e vitit 1948, Azizit, atëherë 14-vjeçar, i digjet shtëpia. Babai është arratisur dhe ai bashkë me nënën dhe motrat pas disa ditësh në qeli marrin udhët e internimit. Fillimisht Kuçovë. Mungojnë dhe kushtet më minimale të jetesës. Të pangrënë, të palarë… pastaj vjen Berati, ku u duk një fije shprese në ca fletë fletoreje dhe një laps të ndarë më tresh. Por nuk do zgjaste shumë.

Së bashku me të tjera familje, ku shquhen mbiemra të njohur dyersh të mëdha, si Markagjoni, Mirakaj, Dosti, Kupi, etj., do t’i hipin sërish një kamioni për të përfunduar në kampin famëkeq të Turanit, ku vdekja nga dizenteria bënte kërdinë dhe në ajër ndihej kuja e grave që qanin fëmijët e pajetë, që shuheshin si flakë kandili. Në kampin e Tepelenës pas një dëmtimi në këmbë, gjatë punës për transportin e druve në mal, Azizi shtrohet në infermieri për t’u kuruar dhe më pas emërohet ndihmësinfermier.

Përparësja e bardhë i jep mundësinë që të jetë më pranë vuajtjeve të të internuarve, duke i ndihmuar me sa mundet. Pas mbylljes së kampit, në vitin 1954, për shkak të kushteve çnjerëzore dhe vdekshmërisë së lartë foshnjore, Azizi i mbetur vetëm, pa nënën e motrat, që u shuan kampeve, lë përparësen e bardhë dhe vazhdon internimin larg vendlindjes edhe për 37 vite të tjera deri në rrëzimin e regjimit komunist. Filmi përfundon me lindjen e djalit të parë të Azizit në barakë.

Progni: Të pranojmë historinë, që të çliroheni nga e kaluara

Luljeta-Progni1-701x600-701x400

Për të arritur deri në ditën e shfaqjes së “Azizit”, gazetarja Luljeta Progni ka punuar tre vjet. Ka takuar njerëz, ka zhvilluar intervista, ka dëgjuar dhjetëra histori mbijetese. Madje edhe vetë ajo vjen nga një familje të mbijetuarish dhe nëna e saj është një dëshmitare e gjallë e kalvarit të persekutimit komunist. Pas shfaqjes së “Azizit”, nën drejtimin e gazetares Sonila Meço, u diskutua rreth filmit. E pyetur se përse Progni nuk rrëfeu historinë personale, ajo u shpreh se “do të kishte qenë shumë e thjeshtë të tregonte historinë e nënës së saj, por duke dëgjuar shumë histori, duke i analizuar ato, pashë se Azizi i përfshinte të gjithë, sepse ai kishte mbi jetuar nga tri kampe internimi dhe më pas kishte punuar si infermier, duke parë nga afër dhimbjen e njerëzve, duke parë të gjitha tmerret. Ai është një dëshmitar i rëndësishëm i asaj historie të errët, të cilën ne duhet ta pranojmë si ka qenë sepse vetëm kështu do çlirohemi prej së kaluarës”. Ajo është e hapur për çdolloj vërejtje, por, nga ana tjetër, nuk shqetësohet për atë se si do të pritet ky film. E vërteta është aty. Aziz Ndreu është gjallë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura