Lufta për kohën në Greqi dhe me Greqinë

Oct 18, 2018 | 12:22
SHPËRNDAJE

MENTOR NAZARKO/ mentor nazarkoNë një lëvizje surprizë, si për të theksuar zëshëm ciklin e ri të rrezikshëm ku mund të hyjë politika greke, ministri i Jashtëm i vendit fqinjë, Nikos Kotzias dha dorëheqjen. Profesori i sociologjisë, marksisti i dikurshëm, zgjodhi të veprojë me dinjitet brenda kabinetit të vet, pa u zvarritur, ndonëse situata brenda qeverisë së Kryeministrit Tsipras është delikate dhe çdo votë, pra, edhe e ministrit të Mbrojtjes, ekstremistit të djathtë Kamenos dhe partisë së tij në Parlament, është e shtrenjtë. Për më shumë ato shtrenjtohen në llogaritë e ardhshme elektorale, ndërsa zgjedhjet zhvillohen vitin e ardhshëm dhe sondazhet japin për fitues konservatorët e djathtë. Kriza financiare është lënë pas krahëve dhe konservatorët, që kishin pjesën e tyre në krizë, kanë fituar terren.

Është një luftë për kohën, jo thjesht për Greqinë, por për politikën e jashtme të saj. Në përpjekje për të dhënë idenë e vijimësisë së politikës së jashtme të Kotzias, jo thjesht për marrëdhëniet me Maqedoninë, por dhe në plan global, por, në fakt, për të mos hapur telashe të tjera, duke kërkuar ministër të Jashtëm, Tsipras tha se do të bëhej ai ministër i Jashtëm dhe do të punonte për jetësimin e marrëveshjes së Prespës. Por të gjithë e dinë se Tsipras shumë rrallë ka folur për politikën e jashtme dhe përgjithësisht ka besuar në veprën e kryediplomatit të tij.

Pse luftë për kohën?

Marrëveshja me Maqedoninë ka dy anë. Ekziston rreziku që dhe nëse numrat për ndryshime kushtetuese, sipas kësaj marrëveshjeje, arrihen në Maqedoni, Parlamenti grek, që mund të hyjë në periudhën parazgjedhore, ta shtyjë atë. Për të mos e miratuar, nëse konservatorët vijnë në pushtet. Dhe marrëveshja e Prespës, që afron Maqedoninë me NATO-n, duke zemëruar Rusinë, nuk është thjesht çështje rajonale, por globale.

Në luftë për kohën është dhe paqësimi me Shqipërinë, ku seti i marrëveshjeve (detit, ligji i luftës etj.), pjesë e të ashtuquajturës Marrëveshje në kuadër të Partneritetit Strategjik, gjithashtu po shtyhet në kohë, pak nga protagonizmi i Metës, i kufizuar nga një vendim shumë i ngurtë i Gjykatës Kushtetuese, pak nga takticizmi i qeverisë, apo dhe nga ndikime të tjera jashtë vendit.

Në këtë rrezikim të kohës greke, apo me grekët, ikja e Kotzias ka peshën më të madhe. Si kurrë ndonjëherë nën udhëheqjen e tij, politika e jashtme greke, tentoi të rifitonte terrenin e humbur në Ballkan, apo rreth e qark Greqisë, ndonëse nën vështirësi të mëdha, me bjerrje serioze të autoritetit ndërkombëtar për shkak të falimentit financiar. Posaçërisht në Ballkan, por dhe duke theksuar linjën properëndimore. Besnik i linjës së të majtës ekstreme greke, pro shqiptare, apo më afër shqiptarëve, trashëgimtare e luftëtarëve komunistë të Luftës së Dytë Botërore, ku ka ndikim gjithsesi përbërësja arvanitase, Kotzias tentoi ta dinamizonte diplomacinë e vendit të tij në rajon, duke u shtyrë, duke rivalizuar me Turqinë, e cila në fakt ishte imponuar fuqishëm. Turqia gjatë krizës greke ishte bërë e pranishme jo vetëm në Shqipëri e Maqedoni, por dhe në Serbi, ministri i Jashtëm i së cilës i këndonte para pak muajsh këngën e Osman Agait para Presidentit turk Erdogan. Për të mundësuar këtë fuqizim të Greqisë në rajon, për të krijuar tregje të reja për ekonominë e ndrydhur greke, profesori, i cili është politikani fqinj, i cili ka shpenzuar më së shumti fjalë të bukura për shqiptarët, organizoi shumë vizita, takime, kortezira logjistike, festëra kulinarie dhe muzike, diplomacinë e monumenteve të Greqisë së lashtë, por jo vetëm kaq. Ai madje ka bërë dhe tërheqje nga qëndrime, që dukeshin të palëkundura. Sa më shumë koha kalonte dhe afroheshin zgjedhje, aq më shumë këto lëshime, zvogëloheshin dhe treteshin: armiku (rivalët konservatorë) te porta zgjaste hijen e vet. Filloi të fliste për çështjen çame, korrigjimin e marrëveshjes së detit, paraprirë, me siguri, nga bisedime të pafundme me homologun e tij Bushati në forume rajonale për t’u tërhequr gjithnjë e më shumë nga pozicionet e mëparshme. Një zot e di sesi është reflektuar ky ndryshim në tekstet që palët kanë arritur të përafrojnë deri më tani, por rreziqet janë serioze. A do ndryshohen apo nuk do të firmosen kurrë njëlloj- kjo është çështja.

Sepse është plotësisht e vërtetë dhe historikisht e provuar se Shqipëria ka mundur të normalizojë marrëdhëniet më së shumti pikërisht me qeveritë e majta greke. Në kushtet kur Greqia ishte në momentin e dobësisë së saj maksimale, këto marrëdhënie, të përkthyera në marrëveshje do të mund të prodhonin rezultatet më të mira. Nesër mund të mos jetë kështu. Është e sigurt se nuk do të jetë kështu.

Profesori i shëndetshëm, me humorin e tij cinik, iku dhe zgjedhjet greke po afrojnë. Me gjasë, edhe shanset që Greqia të normalizojë cilësisht marrëdhëniet me fqinjët e vet po humbin terren. Ndonëse Tsipras është garant i vijimësisë, si u zotua, në lojën për Ballkanin është dhe faktori rus. Greqia u acarua me të, për shkak të afrimit ruso-turk, duke përzënë diplomatë rusë, duke u pozicionuar në mënyrë kritike për shkak të rolit destruktiv rus ndajM së Prespës. Megjithatë, situata sot pas ikjes së Tsipras ngjan komplekse: Një vend i madh si Rusia ka shumë që t’i ofrojë njëherësh edhe dy shteteve rivale. Për këtë arsye sytë e Perëndimit dhe NATO-s, ndërsa nga politika e jashtme e një vendi anëtar ikën një properëndimor si Kotzias, janë nga vizita e ardhshme e Tsipras në Rusi në dhjetor…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura