Luana Vjollca dhe Ardit Roshi, partnerë në “Summer Fest”

Jun 29, 2013 | 15:38
SHPËRNDAJE


Vajza e motit, Luana Vjollca dhe moderatori i “Pop Channel”, Ardit Roshi, do të jenë çifti prezantues i javëve të nxehta të “Summer Fest 2”, që do të hapë siparin më 7 korrik në Tiranë. Turneu i “Summer Fest” do të vijojë në disa qytete të Shqipërisë gjatë verës. Organizatorët kanë menduar të bëjnë bashkë në këtë aventurë televizive Luanën me shkathtësinë e saj dhe Arditin me batutat dhe sensin e humorit. Për të dytin vit, ”Summer Fest”, spektakli veror i muzikës moderne, do të ngjitë në skenë këngëtarët më të njohur të tregut muzikor të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi etj, së bashku me artistët e ”The Voice of Albania”, si dhe ”The Voice Kids”. Mbrëmjeve të spektaklit do u japin nota humori aktorët e trupës së “Portokalli”-së, në turin që nis nga Tirana për të vazhduar në Pogradec, Durrës, Kavajë, Vlorë dhe Sarandë. Pjesë e koncerteve janë dhe balerinët e trupës së baletit të “Top Channel”, të cilët do të performojnë me artistët pjesëmarrës, si dhe modelet e ”Grace Models”. Fituesja e “Top-Fest 10”, Samanta Karavella apo fituesja e ”The Voice of Italy”, Elhaida Dani, së bashku më shumë këngëtarë të tjerë do të ngjiten në skenat e gjashtë qyteteve kryesore. Vitin e kaluar, moderatorë të “Summer Fest” ishin Xhemi Shehu dhe aktori i “Portokalli”-së, Florian Binaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura