LSI kërkon shtyrjen e rezultateve në Kukës, KQZ rrëzon ankimin e PR

Jun 30, 2013 | 8:36
SHPËRNDAJE

Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi dje në mbledhjen e Komisionin Qendror të Zgjedhjeve shtyrjen e shpalljes së tabelave përfundimtare për rezultatin e zgjedhjeve në qarkun e Kukësit. Ish-anëtari i KQZ-së, Ilirian Muho, aktualisht në postin e përfaqësuesit ligjor të Lëvizjes Socialiste për Integrim në KQZ, kërkoi nga katër ish-kolegët e tij që t’i lënë më shumë kohë në dispozicion forcave politike për të krahasuar shifrat e KQZ-së me shifrat e partive politike. Kjo kërkesë është pranuar nga kryetarja e KQZsë, Lefterije Lleshi, duke e shtyrë për ditën e hënë seancën e miratimit të tabelave përfundimtare për qarkun e Kukësit.

Në këtë qark, Lëvizja Socialiste për Integrim ka shprehur pakënaqësi për shkak se forca e drejtuar nga Ilir Meta humbi mandatin e kandidatit Apostol Goçi, nga ndërhyrja e KQZ-së për korrigjimin e tabelave të rezultateve, pasi sipas KZAZ-së së Kukësit në sistemin elektronik ishte hedhur gabimisht një procesverbal. Vendimi i KQZ-së për të korrigjuar tabelat i shkaktoi LSI-së humbjen e mandatit, që në Kukës fillimisht ishte 2 me 2 midis të majtës dhe të djathtës, dhe që më pas kaloi 3 me 1 në favor të koalicionit të djathtë. KQZ hodhi poshtë dhe ankimimin e Partisë Republikane dega Shkodër, që pretendon se në këtë qark i është hequr padrejtësisht mandati i kandidatit Gasper Kokaj. Kërkesa është relatuar nga anëtari i propozuar në KQZ nga PR-ja, Klement Zguri, i cili tha se kërkesa nuk mund të pranohej, pasi ankimimi duhej bërë në një afat tjetër.

“Ankimuesi nuk legjitimohet pasi nuk është dega ajo që ka legjitimitetin për të bërë ankimimet, është kryetari partisë ose përfaqësuesi zyrtar i PR-së në KQZ që ka autoritetin për të bërë diçka të tillë, ndërkohë që diçka që ka të bëjë me thelbin e çështjes, sipas ligjit vendimet e ndërmjetme ankimohen së bashku me tabelën përmbledhëse që hartohet nga KQZ. Nuk jemi në këtë afat apo këtë moment, kështu që unë propozoj që të rrëzohet. Dhe afati i kësaj fillon kur KQZja të bëjë tabelat përmbledhëse të zonës. Atëherë i lind e drejta për ankimim”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura