Lista e pasurive të konfiskuara të Klement Balilit, ishin vënë pas përfshirjes së tij në aktivitetin kriminal

Sep 23, 2020 | 10:03
SHPËRNDAJE

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka kërkuar Gjykatës konfiskimin dhe sekuestrimin e 40% të pasurive të Kelmend Balilit, i dënuar më herët për trafik droge.

balili-santa-quaranta

SPAK e ka argumentuar kërkesën e saj me pretendimin se nga hetimi ka rezultuar se vetëm kjo pjesë (40%) e pasurive është krijuar pas nisjes së aktivitetit të paligjshëm të Kelmend Balilit, ndërsa pjesa tjetër është e ligjshme pasi janë krijuar më parë. Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka cilësuar të drejtë kërkesën e Prokurorisë dhe ka vendosur dje konfiskimin e pjesshëm të pasurive të Balilit.

Pasuritë e konfiskuara, të cilat do t’i kalojnë shtetit, janë të Kelmend Balilit dhe të vëllait të tij, Bashkim Balili. Në njoftim thuhet se bazuar në ligjin “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurive”, (i ndryshuar) është kryer hetim financiar mbi pasuritë e Kelmend dhe Bashkim Balilit, si dhe të shoqërisë “Balili & Co” sh.p.k..

Pas kërkesës për konfiskim të paraqitur nga SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur të hënën, më 21 shtator, konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit “në pjesë ideale” të 40% të pasurive që zotërojnë Kelmend dhe Bashkim Balili, ku përfshihen objekti 4+1 kate i ishKampit të Pushimeve të Punëtorëve, aktualisht resorti luksoz “Santa Quaranta”; dy troje me sipërfaqe totale 13.710 m2; 16 apartamente me sipërfaqe ndërtimore totale 940 m2 dhe të një njësie 120 m2.

KONFISKIMI

Pasuritë e sipërpërmendura, sipas Prokurorisë së Posaçme, tashmë do të kalojnë në favor të shtetit, pasi gjatë fazës hetimore ka rezultuar se kjo pjesë e pasurime është krijuar nga aktiviteti kriminal ku ishte përfshirë Kelmend Balili, vepra penale për të cilat ky i fundit është dënuar nga Gjykata. Për administrimin dhe përdorimin e pronave të konfiskuara, Gjykata ka ngarkuar Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Tiranë. Të gjithë pasuritë e konfiskuara pjesërisht rezultojnë në pronësi shoqërisë “Balili & Co”, sh.p.k. dhe të vëllait të Kelmend Balilit, Bashkim Balili.

pasurite e balilit

DËNIMI PËR TRAFIK DROGE

Kelmend Balili u dënua më 7 maj 2019 nga ishGjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda me 10 vjet burgim për përfshirje në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ai u dënua për “Trafikim të lëndëve narkotike në bashkëpunim” me 14 vjet burg, për akuzën e “Pjesëmarrjes në grupin e strukturuar kriminal” 2.6 vjet burg, për “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive i nëpunësve civilë” me 6 muaj burg dhe për “Pastrim të parave” me 5 vjet burgim. Në bashkim të të gjitha dënimeve, ai u dënua me 15 vjet burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar Balili përfitoi ulje të 1/3 së dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 10 vjet.

Këtë vendim, Apeli e la në fuqi më datë 17 tetor 2019. Veç këtij procesi, paralelisht u zhvillua edhe ai për pasuritë e Balilit dhe familjarëve të tij, përfshi edhe resortin luksoz “Santa Quaranta” në Sarandë, që u konkludua me vendimin e konfiskimit të pjesshëm të pronave të shumta.

Operacioni ndaj grupit që dyshohet se drejtonte Balili u zhvillua në maj të vitit 2016, fillimisht në Greqi dhe më pas në Belgjikë. Atëherë u njoftua arrestimi i 6 shqiptarëve, përfshi Dhimitër Potin dhe të vëllain, dy peshkatarët shqiptarë, Petro Dalanaj dhe Kleanth Palaj nga Saranda dhe disa persona të tjerë të akuzuar për përfshirje në rrjetin e narkotikëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura