Ligji i “Call Center”/ Ikin italianët, ja sa vende pune rrezikohen tek ne

Nov 26, 2016 | 14:55
SHPËRNDAJE

I paralajmëruar që në fillim të vitit nëpërmjet miratimit të ligjit nga Dhoma e Deputetëve dhe nxjerrjes së udhëzimeve përkatëse, senati italian pritet që në 6 dhjetor të miratojë ligjin për mbylljen e biznesit Call Center në vendet joanëtare të BE-së.
maxresdefault
Miratimi i ligjit kërcënon edhe kompanitë në Shqipëri, ndërsa 25 mijë qytetarë rrezikojnë të humbasin vendin e punës.

Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë, Ines Muçostepa, në intervistën për “Panorama” tha se miratimi i ligjit nga senati italian ka për qëllim largimin e biznesit Call Center nga Shqipëria, ku menjëherë dalin të papunë 10 mijë persona.

Duke iu referuar të dhënave zyrtare të administratës tatimore, në vend janë të regjistruara 847 kompani Call Center, ndërsa të punësuar janë 25 mijë persona. Hapja e këtyre kompanive në vendin tonë, sipas Muçostepës, ka ardhur për shkak të kostos së ulët të hapjes së biznesit dhe krahut të lirë të punës.

tab

Edhe pse krahu i lirë i punës ka shtyrë pronarët italianë të hapin filialet e tyre në Shqipëri, Muçostepa pohon se paga mesatare neto e punonjësit llogaritet 400 euro. Kryetarja e Unionit të Dhomave informon se nga takimet që ka zhvilluar me pronarët e kompanive mëmë është pohuar se në rast të miratimit të ligjit, nuk do të kthehen të operojnë në Itali, për shkak të taksave të larta.

Përfaqësuesja e biznesit tha se së bashku me kompanitë mëmë në Itali po lobon për mosmiratimin e ligjit, ndërsa vetë kompanitë shqiptare kanë kërkuar edhe ndërhyrjen e Kryeministrit Rama. Kompanitë po lobojnë edhe me shtetin italian, ku argumenti që po përdorin është hapja e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE dhe garancinë e ofrimit të standardeve.

MIRATIMI I LIGJIT

Kryetarja e Unionit të Dhomave të Tregtisë, Ines Muçostepa, shpjegon arsyet se pse shteti italian kërkon të miratojë ligjin e mbylljes së biznesit Call Center.

“Problemi nisi që me miratimin e udhëzimeve për rregullat e reja të biznesit Call Center, ku shumë ndërmarrje dolën jashtë Italisë dhe po hapnin filiale të reja në vendin tonë. Aktualisht në ndërmarrjet italiane janë duke u shkurtuar vende pune, sepse kanë hapur filialet e tyre në Shqipëri dhe kanë ofruar së paku 2 mijë vende pune në një filial, 3 mijë vende në një tjetër e kështu me radhë. Tashmë në Itali ekziston presioni i një ndërmarrjeje të madhe për heqjen nga puna dhe të atyre punonjësve që kanë ngelur e kjo për shkak të problemeve që lidhen me kostot e larta të biznesit. Pra, janë disa presione sektoriale, por edhe nga sindikatat italiane që mbrojnë të papunët, ku ndryshe nga ne, që i kemi më të qetë këto lëvizje, ndërsa kostot për biznes i kemi më të ulëta. Dhe këto biznese vijnë në Shqipëri për shkak të kostos së ulët”, shpjegon Muçostepa.

PUNESIMI

Kryetarja e Unionit të Dhomave të Tregtisë pohon se në rast se senati italian miraton ligjin, 25 mijë të punësuar humbasin vendin e punës.

“Në qoftë se Shqipëria del jashtë loje dhe nëse ligji aprovohet në senat, pas 1 viti do të mbyllen të gjithë Call Center-at dhe menjëherë dalin të papunë 10.000 persona. Këto janë shifrat e 4 operatorëve më të mëdhenj, duke iu referuar të dhënave të INSTAT, janë 25 mijë të punësuar. Hapja e Call Center-ave në vend ka ardhur për shkak të kostos së ulët të ngritjes të tyre dhe kostos së ulët të krahut të punës.

Pavarësisht kësaj, Call Center-at në vend kanë krijuar një pagë mesatare neto prej 400 eurosh, të cilat konsiderohen paga super të mira në Shqipëri dhe me një nivel të lartë profesional. Pavarësisht problemeve që mund të ketë pasur ekonomia për shtresat si studentë që përfundojnë studimet e larta apo studimet master, që nuk gjejnë punë menjëherë, janë punësuar në Call Center dhe paratë që fitojnë ju garantoj që shumë prej tyre mbajnë familjet”, tha Muçostepa.

NEGOCIATAT

Përfaqësuesja e biznesit i kërkon Qeverisë të nisë bisedimit me Qeverinë italiane dhe të paraqesë këto probleme sektoriale.

“Qeveria shqiptare me patjetër duhet të nisë bisedimet. Deri tani takimet janë zhvilluar tek e tek, së paku nuk jemi mbledhur të gjitha institucionet së bashku. Një letër i është përcjellë edhe kryeministrit nga kompanitë. Nga ana tjetër, edhe shoqëritë mëmë po kontribuojnë në vendin e tyre për mosmiratimin e ligjit, duke i përcjellë Qeverisë italiane materiale të vëna në dispozicion nga Unioni i Dhomave të Tregtisë që Shqipëria është duke hapur negociatat për anëtarësimin në BE, çka garanton siguri dhe standarde shumë më të larta se më parë. Ne kemi zhvilluar edhe bisedime me ambasadorin italian”, u shpreh Muçostepa.

DORINA AZO/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura