Ligjet për integrimin, Berisha: Rama të dëgjojë Klintonin

Nov 3, 2012 | 11:50
SHPËRNDAJE

Kryeministri Sali Berisha është ndalur gjatë dje në mbledhjen e qeverisë në vizitën e sekretares amerikane, Hilari Klinton, në Tiranë. Ai e shfrytëzoi këtë vizitë disaorëshe të zyrtares së lartë të SHBA-ve për t’i kërkuar opozitës që t’i lexojë mesazhet e saj ashtu siç duhet. “Mesazhi i sekretares së Departamentit të Shtetit, Hilari Klinton, për shqiptarët në 100-vjetorin e pavarësisë, ishte një thirrje frymëzuese që të bashkohen për interesat e tyre kombëtare. Ajo e ilustroi këtë thirrje frymëzuese me aspekte personale të karrierës së saj të shkëlqyer. Dhe unë dua ta garantoj se kjo qeveri do të bëjë gjithçka për të gjetur konsensusin më të madh me opozitën, me të gjithë faktorët, në mënyrë që të konsolidojmë më tej vlerat të cilave u besojmë”, u shpreh Kryeministri. Në pjesën e parë të mbledhjes së qeverisë, e cila, ashtu si zakonisht, ishte e hapur për mediat, kreu i Ekzekutivit tha se e garantoi zonjën Klinton për zgjedhje të lira dhe të ndershme vitin e ardhshëm. Në këtë linjë ai i kërkoi kreut të PS-së, Edi Rama, që të votojë tri ligjet me shumicë të cilësuar, që janë ende të bllokuara në Parlament. “Unë e ftoj zotin Rama në frymën e këtij mesazhi. Le të punojmë bashkërisht për gjërat që na bashkojnë, dhe integrimi na bashkon ne. Sigurisht që kemi dallime, por pikërisht qershori është muaji që do të votohen dallimet. Në të përbashkëta fitojnë të gjithë, nuk fiton kapital më të madh qeveria, as opozita, fitojnë qytetarët, fiton qeveria, fiton opozita. Kemi dallime, ndaj shkojmë në zgjedhje, t’u paraqesim dallimet tona qytetarëve dhe ata do të vlerësojnë se për cilat platforma të votojnë”, u shpreh Berisha. Sipas Kryeministrit, “sekretarja Klinton e mbylli fjalën e saj me një thirrje, do ta quaja, ndër më të veçantat ose më e veçanta: Kush të dëshirojë të shohë një demokraci në zhvillim, të vizitojë Shqipërinë. Nuk kishte vlerësim më të madh për përpjekjet e shqiptarëve për ndërtimin e shoqërisë së tyre të lirë, sistemin demokratik dhe ekonomisë së tregut sesa ky vlerësim”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura