Leipzig, shkrimtarët shqiptarë rrëfejnë përvojat e emigrimit

Mar 17, 2016 | 12:31
SHPËRNDAJE

Atdheu, arratia, dëbimi, shpërngulja… Janë këto tema të ditës sot në Europë. Dyndja e refugjatëve nga Siria e ka vendosur Europën, e në veçanti Gjermaninë, përballë një realiteti të ri. Por për shqiptarët, kjo është një histori e jetuar. Plot 25 vjet më parë, ishin shqiptarët ata që trokisnin në dyert e Europës.

Janë pikërisht këto tema që kanë bërë bashkë edhe shkrimtarët. Prej ditës së sotme, deri në 20 mars, do të zhvillohet në Leipzig Panairi i Librit: Leipziger Buchmess dhe Festivali “Leipzigu lexon”, ngjarja më e madhe e librit të këtij qyteti.

Edhe këtë vit autorët shqiptarë, të mbështetur nga Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me rrjetin TRADUKI, do të jenë pjesëmarrës në këtë takim të madh të njerëzve të letrave. Letërsia shqipe do të përfaqësohet në këtë ngjarje nga shkrimtarët Luljeta Lleshanaku, Virion Graçi dhe Ardian Christian-Kyçyku.

TEMA

“Atdheu, arratia, dëbimi, shpërngulja” është tema madhore rreth së cilës rrjeti TRADUKI ka ndërtuar panelet e diskutimit mes shkrimtarëve të Europës Qendrore dhe Juglindore. Historia e tri dekadave të fundit të këtij rajoni ka qenë ajo e shkëputjes nga regjimet totalitare, e përpjekjes për t’u integruar në Bashkimin Europian, e mbushur me histori ndarjesh të dhunshme nga familja e atdheu, histori arratie e dëbimi. Dhe e gjithë kjo nuk mund të mos zinte vend edhe në letërsinë e atyre autorëve që vijnë nga këto vende, që e kanë përjetuar, personalisht ose jo, dramën e emigrimit.

Luljeta Lleshanaku
Luljeta Lleshanaku

Luljeta Lleshanaku do të nisë takimet e Leipzigut sot, në një bashkëbisedim për fëmijërinë si ngujim shtëpie, si atdheu, si toka e patundur ku kemi lëshuar rrënjë. Fëmijëria në kohën e diktaturës së Lleshanakut përballë “Fëmijërisë si Utopi” të shkrimtares Sabine Bockmühls nga Lihtenshtejni.

Ardian Christian-Kyçyku
Ardian Christian-Kyçyku

Rumania, një vend që bashkon tre shkrimtarë me prejardhje e gjuhë të ndryshme: Ardian Christian- Kyçykun, Dana Grigorcean dhe Filip Florianin, të ftuar për të ndarë përvojat e tyre në diskutimin e ditës së premte, datë 18 mars. “Të rri apo të iki?” – dilema e zgjatur e qytetarëve të vendeve të Ballkanit. Rreth kësaj pyetjeje të vështirë për t’iu përgjigjur, rreth ëndrrës dhe shpresës, dhimbjes dhe dështimit, do të diskutojnë nesër tre autorë në panel: Ivan Landzhev, Luljeta Lleshanaku, Petar Matoviæ.

Në natën ballkanike, tashmë të kthyer në traditë, përmes leximeve autoriale, interpretimeve dhe muzikës, shkrimtarët Virion Graçi, Liliana Corobca, Dana Grigorcea, Jonathan Huston, Ulrich Ladurner, Andrej Nikolaidis, Stevan Tontiæ, Boštjan Videmšek, Marina Vujèiæ do të sjellin një tjetër tabllo të Ballkanit, ditën e shtunë, më 19 mars. Të shkruash mes dy vendeve, gjuhëve dhe kulturave: përvojat e dy shkrimtarëve: Ardian Christian- Kyçykut dhe Dževad Karahasan ditën e diel, më datë 20 mars.

Virion Graçi
Virion Graçi

Në aktivitetet dhe panelet e këtij panairi rrjeti TRADUKI do të paraqesë edhe një numër të madh të librave të përkthyer të autorëve të letërsisë së Europës Juglindore, të mbështetura prej këtij rrjeti. Por jo vetëm kaq: Në Leipzig, autorët do të mund të bashkëpunojnë me kolegë, gazetarë dhe kritikë letrarë gjermanishtfolës, si dhe do të mund të krijojnë njohje të reja me kolegët e tyre të Europës Lindore dhe Juglindore.

Në këtë panair merr pjesë edhe Kosova me shkrimtarët Agron Bajrami, Ervine Halili, si dhe antropologia Armanda Kodra-Hysa. Jo më pak se 25.000 libra të rinj do të prezantohen gjatë Panairit të Librit në Leipzig, rreth 3000 pjesëmarrës do të prezantojnë librat e tyre në rreth 3200 evente, të parashikuara në katër ditë.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura