Largimi i të rinjve, jo vetëm problem social dhe ekonomik! Si fenomeni i emigrimit po përkeqëson demokracinë në vend

Feb 2, 2024 | 13:23
SHPËRNDAJE

Largimi jo i zakontë i të rinjve nga Shqipëria, kryesisht në emigrim nuk është vetëm një problem social dhe ekonomik, por ndikon negativisht në cilësinë e demokracisë në vend thotë një analizë e fundit e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal që funksionin nën nismën e Berlinit.

te-rinje

Emigrimi i të rinjve prej vitesh ka krijuar probleme në tregun e punës, por po implikon erozionin e demokracisë dhe proceseve demokratike në vend, vë në dukje KBR.

Studimi llogarit se, popullsia e të rinjve në Shqipëri (14-29 vjeç) është ulur me 2.5% në katër vitet e fundit. Anketat mbi emigrimin potencial kanë zbuluar se 71% e të rinjve po mendojnë për emigracionin në planet e tyre afatshkurtra dhe afatmesme.

Në vitin 2022, rreth 46,460 shqiptarë emigruan, duke shënuar një rritje prej 10.5% krahasuar me vitin 2021. Shumica e tyre, rreth 36 mijë, ishin individë të rinj.

Aspektet ekonomike dhe sociale po kontribuojnë në këtë prirje. Emigrimi i të rinjve nxitet nga shqetësimet në lidhje me cilësinë e jetës, standardin e arsimit dhe mungesën e mundësive të punësimit.

Sipas të dhënave të INSTAT nga viti 2011 deri në vitin 2022 kanë emigruar nga vendi mbi 512 mijë persona, ku rreth 70 për qind e tyre ishin të rinj.

Emigracioni i të rinjve është një plagë që do të jetë prezentë edhe në vitet në vijim, sipas anketave. Sakaq politikat e Shqipërisë për fuqizimin e të rinjve nuk shoqërohen me mbështetje financiare.

Tashmë është e dukshme që emigracioni po përfshin të rinjtë, por Shqipëria nuk ka të dhëna të sakta mbi numrin e tyre dhe shpërndarjen rajonale.

Instituti Shqiptar i Statistikave (INSTAT) kryen kërkime të popullsisë në intervale të rregullta për të ofrojnë të dhëna demografike të përditësuara. Këto iniciativa kërkimore janë thelbësore për monitorimin e ndryshimeve në popullatë dhe ndjekjen e tendencave demografike.

Regjistrimi i fundit i popullsisë u zhvillua në vitin 2011 dhe një tjetër u krye në 2023, por INSTAT shkeli rregullin duke shtyrë publikimin e rezultateve në qershor 2024 në një kohë që kalendari fillestar parashikonte që të dhënat paraprake të censit të publikoheshin në dhjetor 2023.

Në përgjithësi, popullsia shqiptare është në rënie, kryesisht për shkak të emigrimit të konsiderueshëm te të rinjve dhe rënia e lindjeve./Monitor

Screenshot_20240202_125924_Word

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura