Largime dhe ulje pagash, ja lojtarët që rrezikojnë te Kukësi

Nov 23, 2017 | 11:38
SHPËRNDAJE

Ecuria e dobët ka “turbulluar” ndjeshëm ambientin sportiv kuksian. Të gjithë aktorët dhe faktorët që janë të lidhur me klubin, nuk kanë në plan që të durojnë më, ndaj kërkojnë kthesën e menjëhershme. Humbja ndaj Partizanit, grumbullimi i vetëm tri pikëve në 4 ndeshje dhe fakti që janë 8 pikë larg Skënderbeut, solli edhe reagimin e presidentit Safet Gjici.

kukesi

E gjithë ngarkesa dhe gjendja e rënduar psikologjike që ka kapur ekipin së bashku me drejtuesit, u shkarkua te Hair Zeqiri. Mesfushori, edhe pse nuk u grumbullua në ndeshjen kundër të kuqve, u shpall fajtor për këto rezultate. Edhe pse tingëllon ironike, ky ishte vendimi i klubit, i pasuar dhe me vullnetin e vlonjatit për të ndërprerë aventurën e tij me verilindorët.

Hair Zeqiri u rikthye me bujë te Kukësi në mes të qershorit dhe u pa si një përforcim i rëndësishëm për Kupat e Europës dhe për kampionatin, por gjendja e tij fizike në fillim të sezonit nuk e lejoi të shprehte më të mirën e tij. Por, duket se Zeqiri nuk është i vetmi që do ta pësojë. Nëse kjo situatë vazhdon, të tjerë rrezikojnë.

Presidentit Gjici i ka shkuar një listë lojtarësh që trajneri nuk i ka më në planet e tij dhe për këtë arsye ata po vëzhgohen me “lupë”. Gazeta mëson se në të bëjnë pjesë emra si Ndriçim Shtubina, Rexhep Memini, Ardit Peposhi. Por, veç futbollistëve që janë në radhët e rezervave, në “fije të perit” janë edhe disa “big”, me Alijevin që kryeson listën dhe me Albi Allën.

RREZIKU

Shkodrani Shtubina erdhi si një afrim i rëndësishëm, por mesfushori ka gjetur shumë pak hapësira te kampionët. 30-vjeçari ka luajtur vetëm 192 minuta në 11 javë. Memini është njëri prej lojtarëve që sezonin e kaluar ka qenë i vlefshëm për trajnerin Ernest Gjoka, por nuk ka të njëjtin mendim Milinkoviç. Nën drejtimin e serbit, mbrojtësi 23-vjeçar durrsak ka 0 minuta në kampionat.

Në të njëjtën situatë është dhe Ardit Peposhi. Ish-lojtari i Tiranës nuk ka gjetur fare vend te verilindorët. Sakaq, listën “big” të largimeve e kryeson Rauf Alijev, i cili erdhi me shumë bujë te Kukësi, por deri tani nuk ka dhënë atë çka pritej te ai. Shkaqet kanë qenë nga më të ndryshmet, që nga përshtatja, e deri te klima e ushqimi.

Ish-sulmuesi i Kombëtares azere ka luajtur 521 minuta në 11 ndeshje, ka shënuar 3 gola në kampionat dhe 2 në Kupën e Shqipërisë, por nga ato çka vetë lojtari pretendon dhe ajo çka klubi pret, janë larg, kështu që një ndërrim ambienti për azerin, është një mundësi reale. Duke parë dhe rrogën e lartë të tij, rreth 70 mijë euro në sezon, presidenti Gjici do çlirohej nga kjo barrë financiare.

Dilema e madhe për këtë sezon është Albi Alla. 24-vjeçari u rikthye me bujë te Kukësi, ashtu siç dhe u largua sapo sezoni 2016-2017 përfundoi dhe marrëdhëniet me ulje-ngritje mes tij dhe klubit, me ecurinë dhe formën jo të mirë që lojtari ka treguar, ka bërë që palët të jenë acaruar, kanë bërë që largimi i tij nga ana e klubit të jetë një opsion real.

Presidenti Gjici e kritikoi ashpër lojtarin për gabimin e bërë në rastin e dytë të golit të Partizanit, por dhe për disa gabime të tjera të bëra në ndeshjet e shkuara. Paga e tij e lartë (5 mijë euro në muaj), marrëdhënia jo e mirë me trajnerin Milnikoviç dhe drejtues të tjerë të klubit, ka bërë që numri një i klubit të mendojë seriozisht largimin e tij nga Kukësi në merkaton e janarit.

Gjithsesi, çdo gjë do varet nga ecuria e skuadrës deri në përfundim të fazës së dytë. Plani është që, nëse Kukësi do afrohet të paktën në 4-5 pikë me Skënderbeun, presidenti do bëjë merkato të fuqishme dhe do sakrifikojë për të mbajtur lojtarët e mirëpaguar aktual, në të kundërt do të ketë ulje rrogash dhe largime.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura