Lamtumirë Arben Bajos, artistit besnik të humanizmit e figurës njerëzore!

Aug 9, 2020 | 21:56
SHPËRNDAJE

Anila Dedaj/ Mëngjesin e sotëm, imazhi i shpërndarë i skulpturave të Arben Bajos me mesazhet plot dhimbje të miqve u bë përçuesi i lajmit të trishtë. Skulptori u nda nga jeta në moshën 53-vjeçare, ndërsa vepra e tij “mban në krahë” emrin e përjetësuar të artistit bashkëkohor, si te “Mëshira” e Mikelanxhelos.

117301757_232942877867618_5686933095450263367_n

 

Prej pothuajse 2 javësh, dalta qe lënë mënjanë e krijesat e tij në rrugicën “Eduart Mano”, bashkë me studentët që mjeshtri po u trashëgonte zanatin, prisnin me ankth kthimin e tij. Por kthetrat e pandemisë së Covid-19 qenë të pamëshirshme ndaj jetës së një artisti, që ende kishte shumë për të dhënë. Largimi fizik i Bajos gjunjëzoi shpresën e miqve, kolegëve e familjarëve, që u përpoqën deri në fund për ta fituar këtë betejë. Pavarësisht sensibilizimit të jashtëzakonshëm të dhuruesve me grup gjaku A negativ që kishin kaluar virusin korona për të shpëtuar Bajon e intubuar prej 4 ditësh në Spitalin “Shefqet Ndroqi”, virusi kobzi doli fitimtar. Sëmundja qe e beftë dhe artisti nuk pati më kohë as për t’u kuruar në Turqi përmes plazmës imune të personave që e kanë kaluar virusin. Një plan që ishte diskutuar mes të afërmve e miqve e që duket se kishte gjetur mbështetje, siç tregojnë ata. Virusi që i mori jetën e bëri edhe më të vështirë përcjelljen. Familja e artistit kërkoi mirëkuptim për shmangien e grumbullimit në ceremoninë private të përcjelljes, të mbajtur dje rreth orës 17 të pasdites. E megjithatë, në rrugëtimin e tij të fundit artisti qe rrethuar me dhjetëra kurora mirënjohjeje, për artin e humanizmin që ai la pas…

Portretet e Bajos, si fletë ditari të jetës së tij

Portretet i konsideronte si një formë ditari të jetës së tij. “Fletët e veprës” i mbushi me imazhe njerëzish të zakonshëm, që në një moment të caktuar ngjallën tek artisti ndjesi të jashtëzakonshme. Imazhe të afërmish e familjarësh, ku përjetësonte shkëlqimin e dashurisë për ta. Studentët e tij. Por edhe figura të tjera, fort të dashura për publikun, të artistëve e personaliteteve të njohura. Arben Bajo gdhendi mjeshtërisht portretet e kolegëve artistë, si: Dhimitër Anagnosti, Gazmend Leka, Muharrem Fejzo, Timo Flloko, Najada Hamza, Fatmiri Miziri e deri te më të rinjtë, si Gregor Rama. Ndryshe nga gdhendjet klishe shqiptare që vërshojnë drejt mitizimit apo figurës heroike, ai i ndërtoi portretet e tij në bazë të marrëdhënieve që kish krijuar me ta, duke hulumtuar në botën e tyre psikologjike e shpirtërore në aspektin human.

Nga At Zef Pllumi te Vaçe Zela, skulpturat “humaniste” të Bajos

“Mund ta gjej frymëzimin edhe në fenomene, objekte a njerëz që të tjerëve nuk u duken të rëndësishme. Por ajo që mbetet e pandryshueshme është boshti im filozofik, ai i humanizmit. I kam kaluar të 50-at e mendoj se do ngelem te figura e njeriut”. Sapo kishte përfunduar skulpturën ‘Vaçe Zela’ disa muaj më parë dhe me entuziazmin që i falte imazhi i artistes duke kënduar “Moj e bukura Arbëri”, Arben Bajo rrëfente punën e tij hulumtuese para se të jetësonte njeriun në skulpturë, duke u ndalur te personalitetet e njohura. Thellimi në historinë e kontributin e çdokujt prej tyre, përfshirja e tipareve karakteriale, i jepte prekjen elegante lojës së tij poetike me plastikën. Duke vargëzuar çdo tipar, deri në mbërritjen e poezisë finale. Në këtë formë, ai realizoi një sërë personalitetesh të njohura nga fusha të ndryshme: At Zef Pllumi në Shëngjin, Asim Zeneli në Gjirokastër, Lef Nosi në Elbasan, Baba Reshat Bardhi në Tomorr, Tina Turner në Durrës, grupe skulpturash në disa qendra të rëndësishme tregtare etj.

“Guri i rëndë në vend të vet”, skulptori që zgjodhi atdheun

Arben Bajo lindi në Gjirokastër në vitin 1967 dhe qysh në moshë të hershme kishte shfaqur prirje ndaj muzikës e skulpturës, derisa triumfoi kjo e fundit. Ai përfundoi Liceun Artistik të Fierit e në vitet 1988-1992 e vazhdon formimin e tij në Akademinë e Arteve. Pas studimeve u largua në Greqi, ku jetoi për 14 vjet. Aty u përfshi në jetën artistike, duke bashkëpunuar me artistë e muze të njohur. Po ashtu, dha mësim për 6 vite në një shkollë private. Lidhjet e krijuara gjatë kësaj periudhe do t’i ruante edhe gjatë kthimit në vend në 2008-ën. Ndonëse eksperiencën në Greqi do ta konsideronte si mjaft të çmueshme për formimin e tij personal, artisti pohonte se “guri i rëndë në vend të vet”. Në shtetin fqinj, krahas të tjerave, i mungonte mundësia për të realizuar personalitete me peshë, të cilat siç tregonte, çdo shtet ua beson artistëve vendës. Në Shqipëri, krahas krijimtarisë dhe realizimit të porosive, vazhdoi edhe aktivitetin e tij pedagogjik. E ardhmja e studentëve të tij ishte edhe një nga shqetësimet e artistit, duke parë edhe nga mundësitë e vakëta për angazhimin e tyre. “Talente ka në çdo epokë, në çdo brez, por se sa do ecin varet nga mundësitë, fati dhe këmbëngulja e tyre. Nuk duhet lënë t’u shuhet flaka talenteve të reja”, do të shprehej ai pak muaj më parë për “Panoramën”. Bajo ishte një nga artistët më të angazhuar në vend, ai ka çelur gjatë karrierës së tij disa ekspozita në Shqipëri dhe jashtë vendit.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura