I hapet rruga shkarkimit të Presidentit Meta, Kuvendi miraton ngritjen e Komisionit Hetimor! Ja sa vota mori nisma e PS

May 7, 2021 | 13:41
SHPËRNDAJE

Kuvendi i Shqipërisë i ka hapur rrugë shkarkimit të Presidentit Ilir Meta. Në seancën e sotme parlamentare, deputetët kanë miratuar ngritjen e Komisionit Hetimor.

Nisma e propozuar nga Partia Socialiste për Komisionin Hetimor me qellim hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese si pretendon mazhoranca  mori 97 vota pro, 6 kundër dhe 1 abstenime.

Ndërkohe raporti dhe propozimi i Komisionit të Ligjeve për ngritjen e Komisionit Hetimor mori 98 vota pro, 5 kundër dhe dy abstenim.

BALLA: SHKARKIMI I PRESIDENTIT, DETYRIM MORAL DHE KUSHTETUES

Më herët në fjalin e tij në Kuvend, Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla e shikon shkarkimin e Presidenti Meta si nje detyrim moral dhe kushtetues.

“Ne nuk po shkarkojmë Ilir Metën se duam të vendosim një përfaqësuesin tonë. Procedura për shkarkimin e Ilir Metës është një detyrim sa moral, që edhe Kushtetutës. T’ia heqim menjëherë turpin në derë Shqipërisë për t’ia lënë turpin Ilir Metës. Përplasja e tij me SHBA-të, makthi i tij se do ta vrasin me raketa, janë të mjaftueshme që komandanti i Forcave tona të Armatosura me urgjencë. Mosmarrja e kësaj nisme nga ana jonë do të ishte minimalisht moskallëzim krimi. Ky është një shërbim që ne po i bëjmë dinjitetit institucional të Shqipërisë sonë. Këtë turp Shqipëria jonë kurrsesi nuk e meriton” tha ai.

EMRAT E DEPUTETEVE NE KOMISION

Një ditë më parë u bene publik edhe emrat e deputeteve ne Komision, ku si kryetar i tij pritet të jetë deputeti, Alket Hyseni, ndërsa pjesë e tij mësohet se do të jenë edhe deputetë të opozitës parlamentare si: Myslim Murrizi, Halil Jakimi dhe Arlind Çaçani.

Afati i punës së Komisionit Hetimor pritet që të jetë një muaj, përgjatë të cilit do të shqyrtohen të gjitha argumentet e ngritura nga Partia Socialiste për shkarkimin e Presidentit. Vendimi i shkarkimit të Presidentit duhet të mbështetet nga të paktën 2/3 e anëtarëve të Kuvendit.

RAPORTI I KOMISIONIT TE LIGJEVE PER KERKESEN E 49 DEPUTETEVE

“Panorama” ka siguruar raportin e plotë të Komisionit të Ligjeve për shqyrtimin e kërkesës së 49 deputetëve të PS për shkarkimin e Presidentit Meta. Në raport saktësohet se në datën 4 maj komisioni është njoftuar nga Kryetari i Kuvendit dhe është mbledhur më pas më 5 dhe 6 maj, ku edhe miratoi kërkesën e deputetëve të maxhorancës.

Në raport vlerësohet se shkaqet që deputetët kërkojnë shkarkimin e Presidentit janë kryerja e shkeljeve të rënda, flagrante dhe në mënyrë të përsëritur të Kushtetutës si dhe sjellja në kundërshtim të hapur me funksionet që i parashikon Kushtetuta. Aty ndodhen dhe të gjitha argumentet e kërkesës nga maxhoranca se pse duhet shkarkuar Meta, nga shkeljet para, gjatë dhe pas fushatës, tek favorizimi i opozitës dhe denigrimi i Kryeministrit, maxhorancës e përfaqësues të saj si dhe cenimi i marrëdhënieve të Shqipërisë me BE e SHBA.

“Në abuzim të kompetencave kushtetuese dhe ligjore si dhe në kushtet e shkeljes së rëndë dhe flagrante të Kushtetutës, z. Ilir Meta para, gjatë dhe pas periudhës së fushatës zgjedhore të 2021, me veprimet, sjelljet dhe mesazhet e dhëna në publik, nuk ka garantuar unitetin kombëtar, nuk ka moderuar konfliktin politik, por përkundrazi e ka nxitur atë në terma të tilla, të cilat krijuan premisa për daljen e militantëve të partive politike në rrugë, duke terrorizuar qytetarët, duke kufizuar lirinë e tyre të lëvizjes si dhe lirinë personale, deri në kryerjen e konflikteve me armë dhe humbjen e jetës së një personi dhe plagosjen e disa të tjerëve, përfshirë vënien në rrezik të jetës së efektivëve të Policisë së Shtetit”, thuhet në raport.

Në përfundim Komisioni vlerësoi se kërkesa e deputetëve të PS plotëson kriteret procedurale dhe është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, si dhe ka shkaqe për të legjitimuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për shkarkimin e Presidentit. Ky raport u miratua në Komisionin e Ligjeve me 14 vota pro dhe 1 kundër dhe tashmë Komisioni Hetimor Parlamentar i është propozuar Kuvendit dhe pritet të votohet në seancën e sotme. Gjatë diskutimeve në Komision, deputetët e maxhorancës e kanë akuzuar Presidentin se nuk është paraqitur në diskutimin e sotëm gjoja për shkak të axhendës, por me qëllim që të shtyjë miratimin e komisionit për kërkesën përtej 9 prillit, afatit të fundit që mund të lejojë krijimin e një komisioni hetimor bë këtë legjislaturë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura